Bombat atomike s’janë asgjë krahasuar me bombat biologjike

Aug 11, 2020 | 10:35
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR BIBERAJ Aleksander-Biberaj

Këto ditë të fillim gushtit, përkatësisht me 6 dhe me 9 gusht, Japonia përkujtoi përvjetorin e 75-të të hedhjes nga amerikanët të bombave atomike mbi Hiroshima dhe Nagasaki, bomba të cilat ishin hakmarrje amerikane ndaj masakrës japoneze të Pirl Harborit, por edhe goditje fatale me qëllim që japonezët t’i jepnin fund Luftës së Dytë Botërore.

Dhe ashtu ndodhi realisht, pasi Japonia direkt pas bombardimeve “atomike” do të nënshkruante me 2 shtator 1945 aktin e kapitullimit, gjë që do të shënonte edhe fundin e luftës në Paqësor dhe të Luftës së Dytë Botërore. Dëmet nga bombat atomike ishin të jashtëzakonshme, vlerësohet se rreth 210.000 japonezë humbën jetën direkt nga bombardimet, por dhe nga pasojat e rrezatimit që vazhdoi për dekada me radhë, ndërkohë që edhe dëmet ekonomike ishin të konsiderueshme. Gjithsesi, edhe pas kësaj goditjeje atomike jeta vazhdoi dhe Japonia sot është një superfuqi botërore, një lider global në zhvillimin industrial dhe teknologjik, duke u renditur si fuqia e dytë botërore ekonomike pas SHBA-së.

Amerikanët ishin ata që hodhën bombat dhe po amerikanët ishin ata që e rimëkëmbën Japoninë, duke e ndihmuar që të jetë kjo që është sot. Po në gusht, por pas 74 vitesh nga Hiroshima dhe Nagasaki, pra në gushtin e vitit 2019, në një vend tjetër aziatik që po synon lidership botëror në ekonomi, pra në Kinë, “doli nga laboratori” i WUHANit (një ndër laboratorët më modern në botë për mikrobiologji) një “virus laboratorik” që po nënshtron planetin, pa përdorur asnjë lloj bombe, pasi është “thjesht një virus i padukshëm”, por që si fantazmë po merr çdo ditë jetë njerëzish. Sipas ekspertëve të fushës, tashmë është e vërtetuar hipoteza që virusi “doli” vjet në gusht, “shëtiti” lirshëm deri nga viti i ri kinez dhe pastaj “u mor vesh”, ndërkohë që ai ishte përhapur në të gjithë planetin tonë.

Edhe sot e kësaj dite, Kina nuk ka ofruar as mundësi hetimi dhe as nuk ka bashkëpunuar për të dhënë informacione dhe statistika për kohën, vendin, shfaqjen, përhapjen dhe pasojat e virusit, duke e bërë shumë të mjegullt një periudhë prej më shumë se gjashtëmujore, pra nga gushti 2019 deri për vitin e ri kinez. Nuk jam as ithtar dhe as predikues i teorive konspirative, por sipas ekspertëve është mëse e qartë se virusi është prodhuar në laborator, duke u programuar si virus që u përshtatet “si me kompjuter” të gjitha llojeve të kombinimeve të mundshme të mutacioneve biologjike, varësisht nga vendi, koha, klima, temperatura e kështu me radhë, përfshirë edhe bashkëjetesën me virozat/viruset e tjera stinore.

Virusi që u quajt fillimisht “Corona 2019” dhe më vonë “Covid 19”, mesa duket e gjeti të papërgatitur dhe nxori zbuluar komplet shkencën e mjekësisë, kërkimin shkencor në mjekësi/mikrobiologji dhe farmaceutikë, kompanitë farmaceutike, OBSHnë, shërbimet sekrete përfshirë edhe spiunazhin teknologjik/kibernetik/biologjik e kështu me radhë, qeveritë dhe institucionet e sigurisë, që ishin dhe janë gati për “luftëra me bomba atomike apo me hidrogjen”, apo për “luftë tjetër yjesh”, por ishin komplet në gjumë nga një sulm i tillë biologjik/bakteriologjik. Institucionet respektive që paguhen nga taksat tona e kanë lënë njerëzimin realisht komplet të pambrojtur, vetëm në mëshirën e “larjes së shpeshtë të duarve dhe fytyrës me sapun”, “karantinimit”, “distancimit social” e kështu me radhë, si të ishim në epokën e gurit dhe jo të inteligjencës artificiale.

Fatkeqësisht, edhe këto metoda primitive rezultuan me zero rezultat, pasi virusi po përhapet “për qejf të vet”, kudo dhe pa asnjë lloj pengese, ndërkohë që akoma edhe pas një viti nuk ka një studim serioz dhe të besueshëm për këtë virus, pasi çfarë thotë një ekspert në Paris e rrëzon brenda ditës një ekspert i Londrës dhe çfarë thotë një ekspert i New Yorkut, e rrëzon brenda natës një ekspert i Tokios. Çudia është se nga WUHANi virusi “erdhi direkt pako postare” në Lombardi, ku jetojnë edhe pjesa më e pasur e planetit, por me moshë mesatare të lartë, që kanë superpaga, superpensione, super të ardhura nga dividendët, supersiguracione, si dhe superpasuri me testamente hipotetikisht të pafundme në rast se humbasin jetën.

OBSH që paguhet nga taksat e qytetarëve të vendeve anëtare, që nga fillimi që shpalli edhe pandeminë, sillet sipas ekspertëve të fushës si të jetë “qeni i Pavllovit”, pasi çfarë thotë në mëngjes nuk e thotë në drekë dhe çfarë thotë në drekë nuk e thotë në darkë, duke u bërë komplet e pabesueshme dhe joshkencore në ato që thotë, në mos shërbëtore komerciale dhe aleate e Kinës. Vende të ndryshme e menaxhojnë apo keqmenaxhojnë në mënyra të ndryshme pandeminë, duke e shfrytëzuar në mjaft raste për pushtet absolute të lidershipit politik, për korrupsion galopant, për biznese dhe trafiqe të pista, siç është edhe rasti i Shqipërisë. Fatkeqësisht, edhe media botërore është bërë si agjenci funeralesh, pasi 24 orë në 24 orë jep vetëm njoftime për vdekjet nga Covid19, duke filluar që nga Poli i Veriut, duke i marrë që të dyja hemisferat shtet për shtet me radhë dhe duke përfunduar në Polin e Jugut, duke iu mësuar me këtë rast edhe shumë njerëzve hartën e botës dhe vende që nuk figurojnë as në këtë hartë.

Media botërore, fatkeqësisht, me dashje apo pa dashje, po ushtron një terror dhe dhunë psikologjike, duke dhënë pamje dhe bërë komente “horror”, duke i shëtitur dhe shitur pamjet e “Lombardisë’ si të “New Yorkut” apo të “Rio De Janero” e kështu me radhë, duke i shërbyer me sa duket atyre që e iniciuan, lançuan dhe po e vazhdojnë këtë lufte biologjike me pasoja katastrofike në ekonomi, pasoja social-psikologjike, pasoja në stilin e jetesës e kështu me radhë, duke e shndërruar plantin tonë në vendin më të pasigurt për të jetuar në galaktikën tonë.

Ky me sa duket qenka edhe “rendi i ri botëror”, pa bomba atomike apo me hidrogjen dhe pa armatime, ku tërmetet dhe vullkanet duken karamele krahasuar me “luftën biologjike”, ku me një “virus Covid-19” mund të vrasësh qindra, mijëra apo miliona njerëz, mund të shkatërrosh ekonominë si me magji me pasoja trilionë e trilionë Euro apo USD humbje, mund të humbasin vendet e punës miliona e miliona njerëz dhe për pasojë mundësitë e arsimimit, strehimit, kujdesit shëndetësor e kështu me radhë, ndërkohë që ata që e iniciuan po shtojnë eksponencialisht pasuritë e tyre, por edhe ata nuk do kenë garanci, pasi një ditë do të bien vetë brenda, pasi viruset e programuara me kompjuter “bëhen të pakontrollueshme” dhe nuk e njohin më as të zotin. E vetmja zgjidhje me sa duket, në kushtet kur shkenca e mjekësisë ka kapitulluar, është rasti suedez, që pati edhe kosto minimale, lënia në rrjedhën e lirë të gjërave, model që të paktën nuk u krijon iluzione njerëzve se mjekësia i mbron, secili le të mbrohet për vete sipas parimit: “Secili për vete dhe ZOTI për të gjithë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura