Bogdani gol, i shënon Milanit

Apr 30, 2012 | 13:20
SHPËRNDAJE

Juventusi marshon drejt titullit, Leçe gabon fatalisht në shtëpi, ndërsa mundet edhe Xhenoa.

Shënjestra e 40-të e sulmuesit në Serinë A, humbet Siena.

Erjon Bogdani ka shënuar golin e tij të 40-t në këto 8 vite që është aktivizuar në elitën e futbollit italian (katër sezone ka luajtur në Serinë B). Sulmuesi ka shënuar në ndeshjen ndaj Milanit.
Nuk janë shumë, por gjithsesi janë kontribut i rëndësishëm i 34-vjeçarit për një Sienë që s’mund të quhet veçse modeste. Siena u mund 1-4 nga Milani, madje në fushën e saj, ndërsa “Bogu” i shpëtoi nderin me golin e tij, që  madje ndezi edhe shpresat, pasi shkurtoi rezultatin në 1-2, shtatë minuta para fundit. Sulmuesi veteran e tregoi veten shumë të aftë në zonë, ndonëse luajti vetëm një “copë” të pjesës së dytë, duke ndëshkuar gabimin e vetëm të Bonerës, për të dërguar topin në rrjetë pas devijimit të Abiatit. Tashmë, Bogdani ka 40 gola në Serinë A, një shifër jubilare dhe po i afrohet ndoshta Riza Lushtës, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë shqiptar në kampionatin italian. Gjithsej, në futbollin italian Bogdani ka 74 gola, në të gjitha kategoritë dhe kompeticionet. Me gjithë humbjen, Siena mbetet në pozicion të mirë në renditje, pasi me 43 pikë, vështirë të rrezikohet, kur vendi i tretë nga fundit është 8 pikë larg, e kanë mbetur vetëm 3 javë deri në fund të kampionatit, pra në lojë janë vetëm 9 pikë. Sakaq, Milani nuk hoqi dorë, por as Juventus nuk toleroi dhe dy skuadrat e kreut janë në të njëjtën distancë si edhe para javës së 35-të, pra 3 pikë. Torinezët e Antonio Kontes goditën shpejt në Novarë me Mirko Vuçiniç, që në minutën e 16-të, dhe më pas golat “rrodhën lumë”. Borrielo konfirmoi momentin e mirë, duke shënuar për të dytën ndeshje radhazi, 5 minuta para fundit të pjesës së parë, ndërsa me të nisur e dyta, realizoi gol Vidal. Malazezi Vuçiniç shënoi golin e katërt në të 64’-n dhe më tej Juventusi nuk kishte pse të lodhej shumë. Në Sienë, veç Bogdanit, shënuam edhe Kasano, Noçerino dhe Ibrahimoviç (dopietë). Fitore e vështirë, por me karakter e Interit në “San Siro” ndaj Çezenës. U duk e lehtë, por doli tepër e zorshme. Çekareli kaloi miqtë në epërsi në pjesën e dytë, por një autogol i Von Bergenit barazoi shpejt shifrat. Në minutën e 72-të, Zarate tregoi se është i rëndësishëm për skuadrën e Stramaçonit, duke shënuar golin e dytë. Në ndeshjet e tjera ra në sy humbja e Leçes në fushën e vet ndaj Parmës. Kalabrezët kishin rastin e mirë për të kaluar në renditje Xhenoan, e cila kishte luajtur dhe humbur pak orë më parë në Bolonjë. Që të dyja skuadrat mbeten me një pikë diferencë nga njëra-tjetra, duke rrezikuar rënien nga kategoria. Kujtojmë se tri skuadrat e fundit bien në Serinë B. Ka humbur, por është sërish më e qetë Fiorentina ,e cila ka 41 pikë. Toskanët nuk arritën të dilnin me pikë në Bergamo përballë Atalantës. Denis dhe Bonaventura sigluan edhe golat e fitores. Me këtë trepikësh, Atalanta ngjitet në vendin e 10-të me 46 pikë, duke siguruar që një javë më parë qëndrimin në elitën e futbollit italian. Kujtojmë se bergamaskët e nisën këtë sezon me minus 6 pikë, ndaj bashkë me to, sot mund të pretendonin Europën.

Trajneri
Trajneri i Juventusit, Antonio Konte, ka shprehur kënaqësinë e tij për suksesin e radhës të skuadrës së tij, duke u përpjekur që të zbulojë sekretin e saj: “Unë si Guardiola dhe Juve si Barcelona? Ky është ekzagjerim. Guardiola ka fituar 11 trofe nga 14, kjo bën diferencën. Ndërsa ne po përpiqemi ta ndjekim si shembull Barcelonën, në mënyrën sesi luan futboll dhe sesi sillen në fushë. Ajo që duhet të pranoj është fakti se Juventusi im është si Barcelona këtu në Itali. Le të shpresojmë se do dalim fitimtarë në fund të sezonit”, ka thënë Konte.

Milan
Teksa Masimiliano Alegri luante në Siena shanset e vogla që i kanë mbetur Milanit për titull, Silvio Berluskoni mendonte për pasardhësin e tij. Të paktën kështu bën të ditur e përditshmja italiane “Repubblica”, sipas së cilës numri një i shtëpisë kuqezi i ka dhënë mandat Adriano Galiani të nisë bisedimet me trajnerin Pep Guardiola. Ky operacion merkatoje duket pothuajse i pamundur, meqenëse vetë Guardiola ka bërë të ditur që dëshiron të pushojë për një vit. Pra, me pak fjalë, operacioni “Guardiola” ka startuar, edhe pse siç thamë më lart është tepër i vështirë për t’u realizuar. Si fillim janë disa vështirësi që Milani duhet të kalojë për të siguruar shërbimet e teknikut spanjoll: të bindë Guardiolën, rroga, merkatoja dhe largimi i Ibrahimoviçit.

Rezultatet
Të shtunën

Palermo-Katania            1-1
Shënues: Mikoli 47’/ Legrotalie 25’
AS Roma-Napoli            2-2
Shënues: Markuinjo 42’, Simplisio 88’/ Ziniga 49’, Kavani 67’
Kaljari-Kievo            0-0

Dje
Bolonja-Xhenoa            3-2
Shënues: Portanova 24’, Ramirez 37’, Gariks 67’/ Palasio 59’, Zhorkera 77’
Atalanta-Fiorentina        2-0
Shënues: Denis 11’, Bonaventura 51’
Inter-Çezena            2-1
Shënues: Zarate 72’, Von Bergen 59’ (autg)/ Çekareli 57’
Leçe-Parma            1-2
Shënues: Tomoviç 83’/ Xhovinko 68’, Paleta 78’
Novara-Juventus        0-4
Shënues: Vuçiniç 16’, 64’, Borrielo 40’, Vidal 50’
Siena-Milan            1-4
Shënues: Bogdani 83’/ Kasano 26’, Ibrahimoviç 29’, 90+2’, Noçerino 90’
Udinese-Lazio            2-0
Shënues: Di Natale 69’, Pereira 90’

Renditja
Nr. Ekipi    P    ND

1. Juventus     77     35
2. Milan    74     35
3. Napoli    55     35
4. Udineze     55     35
5. Lazio    55     35
6. Inter    55     35
7. Roma     51     35
8. Katania     47     35
9. Parma    47     35
10. Atalanta     46     35
Nr. Ekipi    P    ND
11. Bolonja     45     35
12. Kievo    44     35
13. Siena    43     35
14. Palermo     42     35
15. Kaljari     42     35
16. Fiorentina     41     35
17. Xhenoa     36     35
18. Leçe    35     35
19. Novara     28     35
20. Çesena     22     35

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura