‘Bleva dyqan me lekët e llotos’/ Prokurori apelon vendimin e shkarkimit nga KPK, përcaktohet trupa gjykuese

SHPËRNDAJE

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u hodh sot shorti për caktimin e trupit gjykues, pas apelimit të vendimit të KPK-së, që shkarkoi nga detyra Prokurorin e Apelit në Tiranë, Luan Kaloçi.

Trupi gjykuese

Kryesues: Rezarta Schuetz

Relator:  Natasha Mulaj

Anëtarë: Ardian Hajdari, Ina Rama, Luan Daci

Njoftimi i KPA-së
Njoftimi i KPA-së

Vendimi i KPK-së

Trupa gjykuese e KPK-së, e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Xhensila Pine si relatore dhe Etleva Çiftja si anëtare, njoftoi shkakrimin nga detyra të prokurorit më 5 Korrik. Kaloçi ishte pjesë e listës prioritare të vetingut si njëri prej 19 kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Probleme me pasurinë

Në seancën dëgjimore, relatorja Xhensila Pine nënvizoi se nga tre kriteret e vetingut, hetimi për Kaloçin ishte përqendruar te pasuria e tij dhe justifikimi i saj. Si pjesë e procesit të vlerësimit të pasurisë, KPK kishte administruar raportin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, sipas të cilit Kaloçi kishte mospërputhje në deklarim, kishte bërë deklarim të rremë, kishte mungesë burimesh financiare për disa asete, por nuk ishin konstatuar raste konflikti interesi.

Më tej, relatorja Pine nënvizoi se KPK kishte ndërmarrë një hetim të pavaruar mbi disa asete të deklaruara nga prokurori, të tilla si një apartament me sipërfaqe 145 m2 në njësinë nr.10 në Tiranë, një dyqan me sipërfaqe 132 m2 si dhe një apartament tjetër në Elbasan, duke konstatuar mospërputhje të shumta midis deklaratës “veting” të prokurorit Kaloçi si dhe deklaratave periodike të subjektit, të dorëzuara çdo vit pranë ILDKPKI.

Për apartamentin prej 145 m2 në njësinë 10 në Tiranë, prokurori Kaloçi ka deklaruar fillimisht në vitin 2003 se është blerë nëpërmjet shitjes së një apartamenti në Elbasan për 4.8 milionë lekë. Më vonë në 2005, ai e ka justifikuar burimin me një kredi prej 55,000 eurosh, ndërsa në deklaratën “veting” ka pretenduar se e ka paguar për vetëm 52,000 USD. Përveç tre shumave të deklaruara nëpër formularë të ndryshëm, akti i shitblerjes së apartamentit me djalin e xhaxhait të tij ka të shënuar vlerën 2.5 milionë lekë.

“Dyqani i blerë me lekët e llotos”

Mospërputhje dhe deklarimi i rremë konstatohet nga KPK edhe për blerjen e një dyqani prej 132 m2, ku në deklaratën “veting” deklarohet si burim shitja e apartamentit në Elbasan, ndërsa në deklaratën periodike të vitit 2003, të depozituar në ILDKPKI shkruhet se burim janë të ardhurat nga llotaritë sportive dhe një hua prej 1.5 milionë lekësh nga një shtetas.

Për vlerën e dyqanit janë gjetur mospërputhje midis deklaratave periodike dhe asaj “veting” si dhe klasifikimit të të ardhurave nga lloto. Dyqani në vitin 2003 është deklaruar si 86 m2, ndërsa në deklaratën “veting” është deklaruar si 132 m2. Ndërkohë, po për këtë dyqan ekziton një kontratë dhurimi midis ndërtuesit dhe bashkëshortes së prokurorit.

Gjithashtu, Kaloçi akuzohet se ka fshehur disa depozita bankare në emër të bashkëshortes me vlerë 5000 USD dhe 20,300 euro në vitin 2007, 15,000 USD të depozituar cash në bankën Intesa San Paolo në vitin 2009, si dhe një makinë të blerë nga vajza e tij në vitin 2015.

Ndaj prokurorit ka pasur dhe 3 denoncime nga publiku, mbi të cilat relatorja Pine nuk sqaroi nëse KPK ishte thelluar ose jo.

Duke reaguar ndaj gjetjeve të hetimit administrativ, përfaqësuesi ligjor i prokurorit, z. Ardian Visha nënvizoi se në interpretimin e tij të ligjit, mospërputhjet midis deklaratës “veting” dhe deklaratave periodike të pasurisë nuk përbënin bazë për vlerësimin e pasurisë së klientit të tij, të cilën ai përshkroi si ‘modeste’. Sipas Vishës, pasurie e Kaloçit nuk kishte mospërputhje dhe ishte ‘brenda të ardhurave të realizuara në shërbim të shtetit.” Avokati fajësoi informalitetin në ekonominë shqiptare në periudhën kur janë vendosur këto asete në vitin 2003, si shkak për mospërputhjet dhe kundërshtoi përfundimet e raportit të ILDKPKI si të pambështetura në ligj.

Më tej, Kaloçi iu përgjigj një serie pyetjesh nga komisionerët Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe përfaqësuesi i ONM-së në seancë, ku ai pranoi mospërputhjet në deklarimet e tij të pasurisë si dhe faktin se kontrata e dyqanit dhe e shtëpisë në njësinë 10 në Tiranë ishin fiktive, të bëra me vetëdije dhe në rastin e apartamentit kishte pasur qëllim shmangien e taksave. Kaloçi gjithashtu pranoi se deklarimi i një kredie prej 700,000 lekësh në vitin 2003 për shkollimin në universitet në Itali të vajzës kur ajo ishte vetëm 15 vjeç ishte thjesht një lapsus, ndërsa edhe kjo hua ishte fiktive dhe ishte bërë për efekt vize. Vajza e Kaloçit ka ndjekur universitetin në vitet 2007-2011.

Megjithëqë gjetjet e panumërta negative të hetimit administrativ, në fund të seancës dëgjimore nëpërmjet avokatit të tij, prokurori Kaloçi kërkoi konfirmimin në detyrë. Por, KPK vendosi ndryshme.

PANORAMA

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakRrëfimi i këngëtares shqiptare: Kam hequr dorë nga kënaqësitë “mëkatare”
Artikulli tjetërFerhati habit fanset me deklaratën për jetën private: Mua më pëlqen shumë kur..

S'KA KOMENTE

Comments are closed.