Disidentja bjelloruse fiton “Nobelin” për Letërsinë

Oct 8, 2015 | 13:21
SHPËRNDAJE

0,,16549620_303,00

Një grua fiton çmimin “Nobel” për letërsi. Është gazetarja dhe shkrimtarja bjelloruse Svetlana Alexievich, e cila u nderua me këtë çmim nga Akademia Suedeze, “për veprën e saj polifonike, një monument për vuajtjet dhe kurajen e epokës sonë”.

Nuk mund të thuhet se ishte e papritur kjo fitore, siç mund të ketë ndodhur jo pak herë të tjera. Emri i Alexievich- it ishte ndër kryesuesit në listën e pretendentëve. Madje ajo ishte më e kuotuara në qendrat e basteve në Europë (me koeficientin 5/1). Të tjerë kandidatë ishin “të përjetshmit” Haruki Murakami, Ngugi Wa Thiong’o, Philip Roth, Joyce Carol Oates, apo Adonis. Ndër pretendentët kryesorë ishte sërish shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i cili sërish nuk arriti ta prekë çmimin. Edhe pse Kadare ka mbështetësit e vet kudo në Europë, Akademia Suedeze funksionon me një tjetër logjikë.

Redaktorja e kulturës e gazetës suedeze “Sydsvenskan”, shkrimtarja Ann Lingebrandt, në një shkrim për çmimin “Nobel”, para shpalljes së fitueses, ndër të tjera shkruante: “Në krye të listës sime është një shkrimtar europian, Ismail Kadare, i cili gërsheton mrekullisht folklorin me realitetin e ashpër kur përshkruan gjakmarrjen, që mbretëron mbi fshatrat malore shqiptare te romani “Prilli i thyer”, tregon historinë e luftës nga këndvështrimi i fëmijës së habitur në “Kronikë në gur” ose portretizon përpjekjen e diktaturës për të monitoruar ëndrrat tona, me një mjeshtri kafkiane te “Pallati i Ëndrrave”. Vetëm një fitues i denjë i çmimit ‘Nobel’ mund të shkruajë si Kadare.

Por duhet të përgatitemi për befasi, Akademia Suedeze ka aftësinë për të shkuar kundër pritshmërive tona”. Në këtë rast, në pritshmërinë dhe dëshirën e të gjithë dashamirësve të Kadaresë. Fitorja e Svetlana Alexievich e çon në 14 numrin e grave që kanë arritur të rrëmbejnë çmimin më prestigjioz në letërsi. Ka lindur më 31 maj 1948 në qytetin ukrainas Ivano-Frankivsk.

Ka studiuar për Gazetari në Universitetin e Minskut mes viteve 1967- 1972 dhe ka punuar si mësuese dhe gazetare. E ka filluar gazetarinë në një gazetë lokale në Brest, pranë kufirit polak, për shkak të pikëpamjeve të saj kundërshtuese.

Për shumë vite grumbulloi material për librin e saj të parë “1985: War’s Unwomanly Face”, 1988, i cili mbështetej në qindra intervista të grave që kishin marrë pjesë në Luftën II Botërore. Kjo ishte vepra e parë e ciklit të madh “Voices of Utopia” e Alexievich, në të cilët jeta në Bashkimin Sovjetik përshkruhej prej një këndvështrimi individual. “Fantastike!”.

Ky ka qenë reagimi i parë i shkrimtares, pasi mësoi lajmin. “Menjëherë u ndjeva e rrethuar nga shpirtrat e të mëdhenjve si Bunin apo Pasternak, një ndjesi nga njëra anë fantastike dhe nga ana tjetër shqetësuese”, ka deklaruar ajo për televizionin suedez “Svt”. Ajo ka rrëfyer se kur mori vesh për çmimin ishte duke hekurosur rrobat dhe ka falënderuar Suedinë që “ka kuptuar dhimbjen ruse”.

Alma Mile

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura