Biznesi kundër qeverisë, rishikoni rritjen e taksave! Jaka: Kjo paketë fiskale të tërhiqet, punoni me grupet e interesit

Nov 9, 2021 | 8:35
SHPËRNDAJE

jakaShoqatat e biznesit në Komisionin Parlamentar për veprimtarinë prodhuese kundërshtuan paketën fiskale 2022, duke kërkuar rishikim të kasave pasi në këtë mënyrë po rëndohet gjendja e biznesit në vend. Ata kërkuan bashkëpunim me Ministrinë e Financave për të reflektuar ndryshimet e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë biznese. 

Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, kërkoi tërheqjen e qeverisë nga kjo paketë fiskale, ndërsa kërkoi të hartohet një axhendë ekonomike, e cila do t’u vijë në ndihmë bizneseve.

“Kjo paketë fiskale ne e kemi kërkuar te Komisioni i Ekonomisë dhe te Ministria e Financave që është në nderin tuaj të tërhiqet, të punohet me grupet e interesit duke parë çdo fenomen dhe vështirësi që ka biznesi dhe duke e analizuar me atë që ne e quajmë sot sukses, rajonizimi ekonomik. Duhet një axhendë ekonomike, ndryshe shumë shpejt do të shkojmë drejt mbylljes, tërheqjes. Në qoftë se ne do paguajmë gazin 6 lekë për litër që i bie 12 lekë për kilogram plus TVSH-ja i bie 14.4 lekë për kilogram: paaftësia e administratës për të menaxhuar evazionin, i bie shkurt”, tha Jaka.

Vendosja e akcizës 6 % për gazin sipas biznesit do të krijojë një barrë të rëndë për sektorin prodhues. Kjo nismë sipas tyre duhet të shoqërohet me masa mbështetëse. “Barazimi i akcizës për gazrat e naftës me 6 lekë për litër. Kemi bërë një llogari me industrinë, e cila përdor 10 mijë litra në ditë për procesin e vetë teknologjik. Kjo llogaritet gati 500 euro në ditë. Pse na duhet kjo, e pashoqëruar me një masë mbështetëse. Nuk është viti i duhur për disa reforma sepse jemi në krizë”, u shpreh Arben Shkodra, kreu i shoqatës së prodhuesve.

Shqetësim tjetër i biznesit në komisionin e veprimtarisë prodhuese ishin edhe ndryshimet që prekin bujqësinë si heqja e TVSH-së së rimbursueshme 6% për fermerët dhe vendosja e TVSH-së 10% për inputet bujqësore.

Edmond Gjata, kryetar i Shoqatës së Prodhimit dhe Përpunimit të Qumështit dhe Mishit, tha se vendi po përballet me mbingarkesë nga tregu i huaj, veçanërisht nga Bosnja dhe Serbia.

“Deformimi i TVSH-së është strumbullari, duhet të marrim masa që të mos kemi largime nga zonat rurale. Nga 6% që ishte tani e çoni 0%, ne u kemi kërkuar të na jepni një shembull, më të mirin për ju dhe më të keqin për ne. Ne nuk kemi interes të blejmë te prodhuesi shqiptar, unë ta blej me TVSH-në 0 dhe ta shes me 20% të mbyt produkti i Bosnjës dhe i Serbisë në Shqipëri. Më thoni ju ta blej unë me zero lëndën e parë dhe ta shes me 20% TVSH nuk ka shanse. Lënda e parë e jona zë 60% të kostos tonë të prodhimit. Duhet shtruar situata që mos të jetë vonë nesër. Ka rënë numri i fermave dhe i krerëve. Ne propozojmë një grup studimi, merrni shembull një shtet të huaj dhe e vendosim. Thuhet do jepni subvencion, si do e japësh, unë nuk kam interes ta marr qumështin me letra. Ai që sjell qumështin nga Serbia ai merr fitimin që atje. Po nuk u rregullua do të ketë një rënie drastike. Nuk ka 289 mijë krerë lopë jo, është më pak se gjysma. Skema është problem kombëtar nuk është problem politik”, tha Gjata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura