“Betimi mbi Kushtetutë, jo akt formal”, Arian Vasjari: Radha nocion kushtetues, KED ka gabuar. I jap të drejtë Presidentit

SHPËRNDAJE

Analisti Arian Vasjari mbështet Presidentin e Republikës sa i përket debatit për Gjykatën Kushtetuese. Vasjari tha në “Real Story” në News24 se betimi mbi Kushtetutë para Presidentit nuk është një akt formal dhe simbolik por të është pranosh supremacinë e Kushtetutës.

safe_image

Ai deklaroi se KED ka gabuar, duke shpjeguar arsyet sipas tij dhe se i jep të drejtë Presidentit sa i përket radhës dhe transparencës, disa nga çështjet e ngritura në padinë ndaj kreut të KED Ardian Dvoranit.

“Më kushton nga pikëpamja humane që të mos mendoj njësoj me zonjën ministre por më kushton edhe sa i përket qasjes, mbështetjes që i kam dhënë dhe vazhdoj t’i jap reformës në drejtësi, si një nga revolucionet më të mëdha që kanë ndodhur në demokracinë shqiptare në këto 28 vjet.

Ta miratosh reformën është pak, reformës duhet t’i pranosh edhe produktet që nuk të konvenojnë politikisht. Kjo do të thotë ta duash, ta mbështetësh reformën. Sa i përket çështjeve kushtetuese ligjore, janë distante në raport me çfarë thoni ju. Psh. me çështjen e betimit. Dëgjoj shumë që thonë betimi është një moment solemn. Është betim solemn, por tek betimi është rrënja etike e besnikërisë kushtetuese.

Betimi në fakt është të pranosh publikisht supremacinë e Kushtetutës dhe nënshtrimin ndaj saj. Betimi është të deklamosh, të provosh publikisht devocionin dhe luajalitetin e tekstit më të rëndësishëm në një republikë parlamentare, në një republikë laike. Të tjerë kanë librat fetarë por ne kemi Kushtetutën. Nuk mendoj që betimi është një akt thjesht formal. Betimi nuk është një akt simbolik por shumë më i madh se një akt simbolik.

Të kthehemi tek ajo çfarë ka depozituar në padi Presidenti i Republikës. Tre çështje me aq sa e pashë, ishte mosrespektimi i radhës, ishte mungesa e transparencës për mospublikimin e procesverbaleve nga KED dhe publikimi i Arta Vorpsit në Fletore Zyrtare duke anashkaluar betimin. Këto ishin 3 çështjet të cilat ngrinte Presidenti i Republikës”, deklaroi Vasjari.

Ai tha se nocioni i radhës është një nocion kushtetues. “Është i qartë. Është në dispozitë, është në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe them që KED ka gabuar sepse mund të shtroja lehtësisht një pyetje: nqs kjo çështja e radhës nuk do të kishte asnjë lloj vlere nga pikëpamja ligjore, pse nuk ia dërgoi KED listën me emra në datën 8 parlamentit dhe t’ia dërgonte në datën 14 Presidentit për shembull por ia dërgoi Presidentit të parit dhe parlamentit të dytit. Jam dakord me ju kur thoni që mekanizmi zhbllokues është një nga elementët më të rëndësishëm të reformës sepse nuk e lë atë peng të apetit politik të njërit apo tjetrit apo epsheve që politika ka për ta zaptuar një institucion. Radha është një nga argumentet ku Presidenti i Republikës bazohet dhe unë më duhet t’i jap të drejtë”, u shpreh Vasjari.

Ai deklaroi më tej se procesi i KED ka shumë dritëhije. Sa i përket Arta Vorpsit të zgjedhur nga parlamenti ai tha se po penalizohet padrejtësisht.

“Nuk shikoj në horizont mundësinë kështu siç janë koklavitur gjërat të shikoj një zgjidhje. Mungesa e transparencës nga KED gjykoj që është një problem sepse çfarë mekanizmi ka zgjedhur KED? Kishte të drejtë Avokati i Popullit. Dhoma e këshillimit që ka ngritur KED në fakt cenon një parim themelor të vetë reformës por edhe vetë funksionimit të KED. Për mua hyn në konflikt. Nuk është se dëmtojnë reformën, por ngrenë paragjykime ndaj jush. Unë personalisht nuk jam i gatshëm, nuk jam në gjendje në këtë fazë që të ngre akuza të drejtpërdrejta sepse nuk kam prova ndaj maxhorancës, por ky proces ka shumë hije. Kjo procedurë dhe KED.

Arta Vorpsi në këndvështrimin tim, unë e njoh shumë pak, kemi qenë koleg në fakultet për shumë pak kohë, është një vajzë e zonja në atë që ka marrë përsipër të bëjë. Por pikërisht këto problematika të kësaj procedure, ky qëndrim me shumë hije i KED, komplikimet që ndodhën me Presidentin e Kuvendin e kanë penalizuar Arta Vorpsin, e kanë penalizuar padrejtësisht sepse mendoj së është nga më të zonjat për të qenë atje. Në mënyrë absolute”, u shpreh Vasjari.

Për të, çfarë ka ndodhur deri tani manifeston një nga simptomat e një krize të paprecedentë që ka mbërthyer demokracinë tonë.

“Shkoi tek Gjykata Kushtetuese, e di pse ka mbërritur tek Gjykata Kushtetuese sepse është maja e piramidës dhe terreni ku politika përmes rrugëve, mekanizmave, hileve mund të futet. E gjithë kjo pangopje e këtyre të pangopurve për të kapur gjithçka ka bërë që Gjykata Kushtetuese të jetë në agoni. A ka rrugëdalje nga kjo? Unë mendoj se nuk ka një rrugëdalje. Dëgjoj gjithmonë zgjedhjet e parakohshme. Nuk mendoj që edhe zgjedhjet e parakohshme do ta zhbllokojnë këtë. Kjo është një gjë… që ne jemi minimalisht të lexuar, përditë me këtë punë merremi, lexojmë, unë të gjej ndonjë skenar afërsisht të ngjashëm me këtë që ndodh në këtë vend unë nuk e gjej. Duke qenë një rast sui generis, duke qenë një demokraci në paralizë totale, unë së paku një zgjidhje kushtetuese nuk e shikoj, por nuk e shikoj as zgjidhje ekstrakushtetuese. Nuk e shikoj as zgjidhjen politike. Ose duhet të bëjnë një pakt këta të gjithë, një pakt të madh, social, politik, ligjor dhe të themi do të bëjmë 2-3 ndërhyrje në Kushtetutë, ta zhbllokojmë këtë situatë dhe të ecim përpara. A janë të gatshëm ta bëjnë këtë gjë? Është një marrëzi totale por duke mos parë asgjë në horizont them që e shikoj si të vetmen rrugë. A kanë vullnet ta bëjnë këtë gjë, nuk e shikoj”, u shpreh Vasjari.

Nga ana tjetër ministrja Gjonaj tha se radha jo më kotë është vendosur në Kushtetutë në atë mënyrë, gjithmonë për të përcaktuar dhe për t’i dhënë mundësi organit të emërtesës funksionin kushtetues për të zgjedhur kandidatin për vakancën që po ashtu është e lidhur me mandatin.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.