Beteja për Lagjen 5

Jun 13, 2013 | 12:57
SHPËRNDAJE

HAMDI JUPE

Ethet e zgjedhjeve të 23 qershorit kanë përfshirë edhe Lagjen 5 të qytetit të Tiranës, me shtrirje të gjerë hapësinore. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rruga “Zhan D’Ark” buzë Lanës, deri te “Pallati me shigjeta”, janë kufijtë e saj nga ana e qendrës së qytetit. Diga e Liqenit Artificial, Kopshti Botanik, Kodra e Diellit dhe Shkolla Teknologjike janë kufijtë e tjerë të saj. Toponime të kohës së komunizmit, madje që nga Revolucioni Francez, bashkëjetojnë këtu ende me emra të rinj të shekullit të 21-të, në një hapësirë ku, sipas shifrave zyrtare, banojnë mbi 80 mijë njerëz, pa folur për të tjerë, të pazyrtarizuar ende.
Kjo mund të jetë lagjja më e çuditshme e një kryeqyteti në botë. Këtu kamerieri i një bar-bufeje mund të bëhet President i Republikës; një deputet i staxhionuar i së majtës mund të gdhihet një ditë si deputet i së djathtës; Blloku i dikurshëm komunist mund të ngjajë me një geto kasollesh, në krahasim me “blloqet” e reja luksoze, të ngritura në periferi të lagjes e plot çudita të tjera të tilla të tranzicionit shqiptar.
“Blloku” i dikurshëm, me luksin e tij të vjetër dhe të ri, si dhe zona e stadiumit “Selman Stërmasi”, janë pjesa e vjetër e kësaj lagjeje. Por zona më e populluar e saj është ajo e rrugës “Medar Shtylla”, e njohur nga banorët si “Komuna e Parisit”. Emrat e rrugëve të lagjes janë gjithashtu një amalgamë simbolesh të historisë dhe së sotmes.
Shumica e kësaj popullsie, ose mbi 70 për qind e saj, është banore e re në Tiranë, e ardhur kryesisht nga zonat e Jugut të vendit, në këto dhjetë–pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Natyrisht, e re dhe aktive edhe në moshë, që do të thotë, edhe në kutitë e votimit.
Numri zyrtar i votuesve të lagjes aktualisht është më shumë se 64 mijë veta. Me këtë numër vendimmarrësish, kjo lagje kontribuon në zgjedhjen e katër deputetëve në Parlamentin e ri. Kështu ajo ngre ose përmbys qeveri, njëlloj siç mund të bëjnë qytete të tjera të kategorisë së parë të vendit. Këtu qëndron rëndësia elektorale e saj.
Kufijtë elektoralë ngatërrohen keqazi këtu me kufijtë administrativë, sepse territori i qytetit të Tiranës mbaron te “Qendra Kristal”, për t’ia lënë vendin pastaj komunës së Farkës. Por banorët e lagjes së komunës janë zyrtarisht qytetarë të bashkisë së Tiranës dhe prandaj ata votojnë në qytet.
Rrugët janë ato të bllokut, ashtu siç kanë qenë 50 vjet më parë. Vitet e fundit ato u riparuan dhe u gjelbëruan rishtazi nga Bashkia e Tiranës. Rruga “Komuna e Parisit” është një nga arteriet kryesore në pjesën e re të kësaj lagjeje. Si në shumë raste të tjera, “Komuna…” nuk dëshiron t’ia lërë vendin “Shtyllës…” në vetëdijen e qytetarëve.  
Dendësia e zyrave elektorale të partive këtu është më e madhe se kudo tjetër. Po ashtu edhe numri i flamujve partiakë dhe i banderolave shumëngjyrëshe, prodhime kineze dhe turke, të destinuara vetëm për një përdorim. Kjo vjen sepse pallatet dhjetëkatëshe në dy anët e rrugës kanë shumë votues brenda tyre. Zyrat elektorale të partive konkurrojnë tani në numër, me kafenetë dhe me sallat e loto–sportit, aktivitete këto kryesore të biznesit në këtë zonë, pa harruar bankat e shumta që kanë zyrat e tyre në këtë rrugë.  
Në këtë lagje filloi të ndërtohet ajo që quhet Unaza e Madhe e Tiranës, e cila del te TEG–u (qendra tregtare) dhe pastaj në rrugën e re për Elbasan. Unaza (më saktë, kjo pjesë e saj) duhet të kishte përfunduar në muajin mars të këtij viti. Kështu thotë reklama, e vendosur te fundi i digës, buzë Liqenit. Por ajo nuk po përfundon ende dhe shiritat e përurimit të saj nuk po duken gjëkundi as në këtë fushatë. Vetëm në njërin krah të saj është hedhur një shtresë asfalti, i cili po gërryhet dita–ditës nga gomat e makinave të rënda të betonit dhe të mallrave të tjera. Duan të thonë që rruga ka mbetur pa u mbaruar, sepse qeveria shqiptare nuk ka dhënë kontributin e saj, ose atë që quhet ndryshe: “kosto lokale” të financimit, sepse financuesit e huaj e kanë bërë punën e tyre.
Nga ana tjetër, nuk ka shenja të fillimit të segmentit tjetër të rrugës: atij nga “Qendra Kristal” deri te Shkolla Teknologjike. Ky ishte një premtim i bujshëm i kandidatit Lulzim Basha, gjatë fushatës së tij për kryetar Bashkie dy vjet më parë. Lumi i makinave që vijnë nga Elbasani nëpërmjet një cope të re rruge, ngecin në grackë këtu, sepse edhe rrugët ekzistuese janë bërë copë në çdo drejtim që të marrësh. Drejtuesit e tyre shajnë mbarë e prapsht me zhargon shoferësh ata që i kanë lënë rrugët në këtë gjendje. Në këto rrethana, qeveria ka pak gjëra të hairit për t’u treguar këtu votuesve potencialë të saj në këto zgjedhje.  
Pjesë e elektoratit të Lagjes 5 është edhe Kodra e Diellit, territor i komunës së Farkës. Por kokën banorët e kanë në qytet. Atje kalojnë, atje bëjnë pazare, atje votojnë. Edhe pasaportizimet e tyre janë te Lagjja 5. Në këtë lagje është banor edhe Presidenti i Republikës, zoti Nishani. Ai vazhdon të flejë në pallat, ashtu siç bënte kur ishte ministër. Eskorta e tij lëviz pa zhurmë kur hyn apo del në lagje, duke zgjedhur kohën kur nuk ka qarkullim të madh, për të mos bezdisur banorët.
Por rruga nga kalon Presidenti, me gjithë zgjedhjen që bën, vende–vende është gjithashtu plot me gropa dhe makinat e eskortës lëkunden në të si varka në det të trazuar. Më mirë të bënin zhurmë me sirenat e tyre dhe t’i kishin rregulluar këto rrugë, sesa kjo qetësi që nuk i hyn në punë askujt. Punëtorët e komunës i mbushin herë pas here gropat që po shtohen në asfalt me dhè të kuq, në vend të asfaltit. Por ja që shirat e këtij viti nuk dëgjojnë të ndalen as në qershor, dhe ato e marrin dheun menjëherë, duke i lënë përsëri gropat dhe gojët e njerëzve të hapura, gati për sharje, sidomos tani, në prag të zgjedhjeve.
Kjo lagje shquhet për mbështetje tradicionale të së majtës në zgjedhje. Tri herë është zgjedhur kryetare e Minibashkisë zonja Jeta Seitaj, e Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e fundit ajo mori më shumë se pesë mijë vota, krahasuar me rivalen e saj dhe, po kështu, edhe shumicën e këshilltarëve në këshillin e minibashkisë. Në zgjedhjet e fundit lokale, PD ia la LSI-së këtë minibashki, me shpresë se kjo do t’ia dilte të  mblidhte bashkë votat e së djathtës me ato të një pjese të së majtës.
Por edhe kjo përpjekje e panatyrshme nuk funksionoi. Lagjja, siç i thonë vetë banorët, vazhdon të mbetet “Stalingrad” i së majtës. Nga koha e zgjedhjeve të kaluara kanë mbetur si kujtim i fushatës nëpër mure posterat dhe billbordet ende të padëmtuara të kandidatëve të pasuksesshëm të asaj fushate. Edhe në këto zgjedhje nuk pritet ndonjë përmbysje e madhe e rezultatit të tyre. Megjithatë, partitë po përpiqen të marrin prej saj sa më shumë vota, për “koshin” e madh të votave të qarkut të Tiranës.
Partia Socialiste ia ka besuar drejtimin e këtyre zgjedhjeve në këtë lagje numrit një të listës shumemërore të deputetëve të saj për Tiranën, zotit Pandeli Majko. Ky këto ditë rri më shumë në këtë lagje, sesa në shtëpinë e tij, sepse e di peshën e saj në ditën e 23 qershorit. Me të janë edhe funksionarë dhe vullnetarë të tjerë të shumtë të kësaj partie. Banorët e lagjes e njohin dhe përshëndeten me të.
Nga ana e partive të maxhorancës po lëvizin gjithashtu disa figura jo të panjohura. Kastriot Islami është i njohur këtu, sepse katër vjet më parë “shoku Kastriot” kërkonte vota për Partinë Socialiste, ndërsa tani “zoti Islami” i kërkon po ato vota për Partinë Demokratike. Vihet re gjithashtu të takohet me votuesit mjeku i njohur Halim Kosova, aktualisht ministër i Shëndetësisë. Ai edhe shtëpinë dhe klinikën private gjinekologjike i ka këtu.
Caktimi i tij është bërë, me sa duket, për shkak të vështirësisë së njohur të zonës për Partinë Demokratike. Doktori ka emër të mirë në publik. Por disa deklarata të tij të kohëve të fundit në media lidhur me “besimin” që kanë burrat kur dërgojnë gratë e tyre në klinikën e tij për vizitë, janë pritur me komente kontradiktore nga banorët.   
Përfaqësuesit e dy forcave kryesore politike kanë organizuar deri tani një numër të konsiderueshëm takimesh me elektoratin e tyre nëpër lagje: PD, town – hallet e saj, ndërsa PS, këndet e fjalës. Fjalori politik u pasurua kështu me terminologji të re, të panjohur më parë.
Qendrat e votimit do të jenë kryesisht në shkollat e shumta të lagjes. Shkolla “Petro Nini”, “Edit Durham”, “Besnik Sykja”, “Dëshmorët e lirisë” dhe disa kopshte   do të presin votuesit e 75 qendrave të votimit, ndërsa vetëm shkolla “At Zef Pllumi” do të ketë njëmbëdhjetë qendra votimi, me 7700 votues.  
Qendra e numërimit të votave do të jetë te palestra e shkollës “Vasil Shanto”. Këtu ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara lokale. Numërimi pritet të vazhdojnë gjatë dhe me nota dramatike, njëlloj si në zgjedhjet e kaluara lokale, jo vetëm për numrin e madh të votuesve. Shyqyr që nxënësit tashmë e kanë mbaruar mësimin!
Flamujt elektoralë të partive po duken gjithandej në lagje. Më lart dhe më herët në shtylla janë të vendosur flamujt e PD-së. Duket se kjo parti kërkon ta kompensojë kompleksin e humbjes në zgjedhjet e kaluara në këtë lagje me supermacinë e vendosjes së sa më shumë dhe sa më lart të flamujve blu të saj.
Por dalëngadalë rrugët po mbushen edhe me flamuj të partive të tjera, të mëdha e të vogla, të të gjitha ngjyrave. Flamujt vendosen natën, nga grupe të rinjsh që lëvizin me shkallë të gjata në krah, në përpjekje për të gjetur një hapësirë bosh për vendosjen e tyre. Kur nuk gjenden hapësira bosh, flamujt e dy partive kryesore kundërshtare vendosen pa problem edhe ne një shtyllë të vetme. Çdo mëngjes rrugët i gjen me ngjyra të reja, që nuk ishin një ditë më parë, pa i prishur ato të vjetrat.
Pasi lodhen me veprimtaritë e fushatës së ditës, fushatarët ndalen për pak çaste te kafe “Sofja”, në mes të rrugës “Komuna e Parisit”. Ata pinë atje ndonjë gjë për çlodhje, duke uruar njëri-tjetrin me shprehjen “Kafe e zezë për ditën e bardhë” të 23 qershorit. Pronari i kafes i pret ata me zemër të hapur, në çdo moment të ditës e të natës, pa dallime partiake, krahinore a fetare.
Beteja elektorale deri tani po zhvillohet e qetë, pa eksese, brenda një kuadri etik të pranueshëm. “Bubullimat” e liderëve të partive kryesore, që bien në  qytete e fshatra të tjera të vendit, këtu dëgjohen vetëm nëpërmjet ekraneve të televizorëve. Ato do të vijnë edhe këtu, por në ditët e fundit të fushatës. Alabakëria elektorale, gjithashtu, nuk ka hapësira të mjaftueshme në këtë lagje.  
Njerëzit janë përgjithësisht të kulturuar, dhe kjo imponon seriozitet edhe te organizatorët e fushatës, pavarësisht se cilës partie i përkasin. Edhe në fushatat e kaluara nuk ka pasur eksese dhe besojmë se kështu, me paqe, do të mbyllen zgjedhjet edhe këtë radhë. Tani kanë mbetur pa u bërë vetëm “rifiniturat” e fundit dhe mitingjet përmbyllëse elektorale. Pastaj, mirë u pafshim më 23 qershor!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura