Beteja e qeshur e Nimfa Jaços

Apr 7, 2014 | 15:19
SHPËRNDAJE

Nimfa Jaço
Deri sot, ato që janë shkruar për Nimfa Jaçon, u janë referuar krijimeve të saj të vogla, kukullave-personazhe që e identifikuan Nimfën ndryshe nga ajo mësuesja e letërsisë që ishin mësuar ta njihnin nxënësit e saj. Libri që sapo ka nxjerrë e që së shpejti shpreson të promovojë, “Të vallëzosh nën shi”, sjell anën e panjohur, atë që ajo vetë nuk njihte…

Deri sot, ato që janë shkruar për Nimfa Jaçon, u janë referuar krijimeve të saj të vogla, kukullave-personazhe që e identifikuan Nimfën ndryshe nga ajo mësuesja e letërsisë që ishin mësuar ta njihnin nxënësit e saj. Libri që sapo ka nxjerrë e që së shpejti shpreson të promovojë, “Të vallëzosh nën shi”, sjell anën e panjohur, atë që ajo vetë nuk njihte…
“Jo, jo, kjo nuk është më jetë! Sot fillova ‘ta zhbëj'”.  “Zhbërja” filloi më parë në ditët e trishtuara dhe netët me ankth ëndrrash…  E fillova zhbërjen nga sendet, nga copat… Fala dhe hodha në plehra qese e qese të grumbulluara me fanatizëm dhe kujdes për të bërë artin tim, kukullat dhe kompozimet me copa e qëndisje… Ishin fustane të Lorës së vogël dhe të Lidrës nuse; ishin copa tezgjahu të blera panaireve; ndonjë ndriçim “Gabi”; copat e dhuruara nga

Kopertina e librit
Amy dhe Mira; materiale të blera brenda dhe jashtë vendit. I zbrita vetë zvarrë deri te kazanët e plehrave ndën një shi të imët pranveror…”
Sa herë e bëjmë të gjithë ne këtë?! Flakim sende, mendime… mund t’u rikthehemi sërish, më të zbutur, të harruar, sepse në çdo rast, ato të shumicës prej nesh, janë situata kapricioze që nuk do të ishin nëse motivi i vërtetë i “zhbërjes” do të ishte si ai i Nimfa Jaços. Realizuesja e kukullave të vogla me dorë sot nuk ka më energjitë e dikurshme për të bërë qindra krijime personazhesh si dikur, ama nuk e la asnjëherë veten që, ai që e ka quajtur “tigri”, ta vinte përfund. Tigri është sëmundja me të cilën iu desh të përballej për së pari dy vite më parë. Në mes të gëzimit të saj prej fëmije, dashurisë së miqve e të afërmve që e kanë shoqëruar gjithnjë, buzëqeshjes së madhe që vazhdon të ketë në fytyrë, Nimfa me emrin e rrallë mori goditjen që askush nuk pret e të gjithë i druhen. Diagnoza erdhi shpejt, kancer në gji. Domosdo që u trishtua, u dëshpërua, ju drejtua të gjithë botës se pse zgjodhi atë… Do të ishin reagimet e çdokujt. Sot, që ato turbullimet e para Nimfa Jaço i ka kapërcyer, vjen në libraritë e Tiranës me një libër. “Të vallëzosh në shi” nisi në prill të vitit të shkuar, pasi sulmet e brendshme me veten ishin tërhequr nga betejat e forta. Është i gjithi një ditar i cili është shkruar herë në Spitalin Onkologjik të Tiranës ku zgjodhi të kurohej, herë në gjysmëdritën e dhomës së shtëpisë. Herë me energji e herë me këputje… Për ata që e kujtojnë, Nimfa Jaçon e kemi parë duke u dhënë kurajë njerëzve që ndajnë të njëjtën vuajtje me të, tetorin e shkuar në një intervistë për “Shqip” me Rudina Xhungën. Cilësuar si muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, tetori që shkoi nuk ishte i gjithi shpresëdhënës e solar si në atë intervistë mes pemësh, ku e pamë Nimfën gjithë ngjyra. Të nesërmen e asaj dite u shtrua papritur në reanimacionin e Sanatoriumit me tromboemboli në mushkëri. Dyshohej se ishte një efekt anësor i kimioterapisë. Edhe atje, shtrirë, vazhdoi të shkruante në bllokun e saj, mbresat e fundit nga lufta. Kishin mbetur dy kapituj për të përmbyllur librin që do donte të ndante me njerëzit. Atë realitet që kishte parë me sy e atë dhimbje që kishte prekur me dorë dhomave të spitalit, nuk mund ta mbante për vete. “Njoha atje fshataren e re nga Librazhdi, e cila më tregoi që, kur po i binin flokët (“të gjata deri te beli…”), nuk i futej krehri, se i ishin ngatërruar aq shumë, saqë ia preu i shoqi me gërshërë…  Njoha burrelasin e frikësuar nga sëmundja, por të përkëdhelur, që e asistonin gruaja dhe dy djemtë si diva. Njoha kavajasin guximtar, që e shpejtonte vetë ritmin e pikës së serumit, se donte të ikte sa më parë. Njoha malësoren me veshje tipike dhe krehje me gërsheta të rrotulluara te veshi, po me emër jotipik, Frida, që më tregonte për historinë e emrit të saj të vënë që larg, nga mërgimi, prej axhës së arratisur. Njoha ish-parashutisten e viteve ’70, që tregonte me humor për sëmundjen dhe që kishte pasur kurajën të bënte 20 seanca kimioterapie.  Afrimi me ata njerëz, gra dhe vajza, burra dhe djem, të ndryshëm nga formimi, që flisnin dialekte të ndryshme, që ndanin përvoja të ndryshme të sëmundjes, më bëri mirë”… “Të vallëzosh në shi” është një mesazh për të gjithë ata që si bashkëndarësit e dhomës së kurimit vuajnë nën zë. Është një mesazh për të gjithë ata që nesër, fare papritur, qielli mund t’u ndahet në dysh. Është një mesazh nga Nimfa Jaço, siç e quajti veten salamandra e zjarrit, që përshkon flakët e nuk digjet…

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura