BERZH: 60% e shqiptarëve janë varfëruar nga kriza

Jun 30, 2011 | 10:17
SHPËRNDAJE
Selia e Berzh

Kriza ekonomike ka prekur shumë mëny-rën e jetesës së 60 për qind të shqiptarëve.Raporti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim lidhur me një sondash të zhvilluar nga kjo e fundit dhe nga Banka Botërore, reflekton impaktin që dha kriza në jetën e njerëzve. “Jeta në tranzicion pas krizës” merr në pyetje qytetarët e 30 vendeve të ndryshme të Europës dhe Azisë, të lidhura këto me perceptimin e tyre mbi efektin e krizës në jetën e tyre dhe mbi efektin e politikave dhe sistemeve ekonomike që zbatohen. Në Shqipëri, rreth 25 për qind e të anketuarve pranojnë se jeta e tyre është prekur shumë nga kriza, 35 për qind shprehen se është prekur mjaft, që bëjnë edhe kategorinë e parë të atyre që janë prekur më shumë në nivelin 60 për qind, dhe kjo kategori, për shkak të krizës, ose mund të ketë humbur vendin e punës, ose ka pasur reduktim të pagës, ose i kanë rënë të ardhurat nga emigrimi. Në masën 10 për qind, përgjigjet e të anketuarve kanë qenë se jeta e tyre nuk është prekur shumë, kurse 30 për qind konfirmojnë se kriza nuk i ka prekur fare. Fakt tjetër interesant në raportin e BERZH-it është ai lidhur me mbulimin që u është bërë kategorive në nevojë gjatë periudhës së krizës me ndihmë. Kjo ndihmë mund të jetë pagesë ndihme ekonomike, pagesë për fëmijën, apo asistencë. Niveli i mbuluar me ndihmë i popullsisë në nevojë për Shqipërinë është 12 për qind, që, krahasuar me rajonin, paraqitet më mirë, me përjashtim të Sllovenisë, e cila udhëheq skemën si vendi me mbulimin më të mirë. Përkeqësimi i kushteve ekonomike pas krizës duket se ka sjellë me vete ndryshimin në atë që qytetarët besojnë më shumë. Përgjigjet e tyre reflektojnë një rënie të besimit te shërbimi publik, duke filluar nga shëndetësia, te sigurimet shoqërore, te përfitimi që merret nga papunësia, por, nga ana tjetër, reflektojnë rritjen e besimit te tjetri. Qytetarët kanë filluar t’i besojnë më shumë njëri-tjetrit, sesa shtetit. Raporti i BERZH-it në këtë pikë thekson se Shqipëria dhe Mongolia janë dy shtetet që kanë pësuar rritjen më të madhe absolute në nivelet e besimit të përgjithshëm, nga 27 për qind në 2006-n në 46 për qind në 2010-n. Kjo masë e të anketuarve është përgjigjur se ka besim apo besim të plotë tek të tjerët. Rezultate të tjera, të cilat nuk përbëjnë surprizë për vendin tonë, janë ato që lidhen me diskriminimin racial apo fetar. Shqipëria paraqitet si një vend tolerant lidhur me racizmin apo fetë dhe, sipas sondazhit, edukimi dhe gjinia luajnë pak rol për përgjigjen dhe sjelljen e të anketuarve. Ajo që bie në sy është rënia e besimit te sistemi i demokracisë. Nivelet krahasuese për mbështetjen e demokracisë si sistem në 2006-n ishin 67 për qind, ndërsa në 2010-n vetëm 57 për qind e qytetarëve kanë qenë dakord me përkrahjen e këtij sistemi politik.

Sistemi ekonomik

Modeli i ekonomisë së tregut varet në fije të perit, nëse sot Shqipëria do të vendoste të bënte një referendum për të mbajtur të njëjtin kurs apo për të ndryshuar sistem ekonomik. Raporti i BERZH-it ka nxjerrë nga përgjigjet e të anketuarve se vetëm 51 për qind e shqiptarëve përkrahin sistemin ekonomik aktual të ekonomisë së tregut. Ky sistem ka pësuar rënie të theksuar të përkrahjes krahasuar me vitin 2006, kur rreth 67 për qind e shqiptarëve e përkrahnin si sistem. Në 4 vjet, 16 për qind e shqiptarëve kanë ndryshuar mendje për suksesin e modelit aktual.

Kënaqësia

Por, sa të kënaqur janë shqiptarët me jetën që bëjnë? Jo shumë, në fakt. Në raportin e BERZH-it, kësaj pyetjeje, vetëm 40 për qind e të anketuarve në 2010-n i është përgjigjur “po, jam i kënaqur”, ndërkohë që 60 për qind nuk janë të kënaqur. Krahasuar me 2006-n vihet re një rënie e numrit të atyre që japin përgjigje pozitive lidhur me jetën që bëjnë pas krizës ekonomike.

Korrupsioni

Për shqiptarët është rritur perceptimi lidhur me ekzistencën e korrupsionit. Në Europën Juglindore, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të përgjigjeve që konfirmojnë pagesa informale për të marrë një shërbim publik. Rreth 21 për qind e të anketuarve deklarojnë se gjithmonë apo zakonisht u është dashur të bëjnë pagesa apo dhurata nën dorë për të marrë një shërbim publik.

Sektori publik

Trafiku dhe pagesa e papunësisë duket se janë dy pikat kyçe të sektorëve publikë ku shqiptarët janë më të pakënaqur. Në shifra, nga sistemi shëndetësor rezultojnë 45 për qind e të anketuarve të kënaqur; nga policët e trafikut, 29 për qind e qytetarëve janë shprehur të kënaqur; nga përfitimet e sigurimit shoqëror, 31 për qind; nga përfitimi nga papunësia vetëm 29 për qind.

Efekti krizë

Rreth 60 për qind e shqiptarëve pranojnë se jeta e tyre është prekur shumë apo mjaft nga kriza ekonomike, në dallim nga 10 për qind që pranojnë se kriza i ka prekur pak dhe 30 për qind që përgjigjen me “aspak”. Raporti i fundit i BERZH-it reflekton impaktin që ka dhënë kriza në jetën e qytetarëve përmes sondazheve të zhvilluara në 30 vende të ndryshme.

 

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura