“Bërtisnin ‘jemi policia shtetit’, djalin e shtrinë në tokë”- Nëna rrëfen tmerrin e përjetuar nga efektivët e FNSH-së: Fëmijët thoshin mami janë tek dritaret

Feb 3, 2023 | 15:39
SHPËRNDAJE

Kryefamiljarja Kristina Gjinaj ka treguar tmerrin e përjetuar mëngjesin e sotëm (3 shkurt) nga efektivët e FNSH-së së Shkodrës, të cilët i ushtruan kontroll në banesë e saj në Dajç të Lezhës duke mos i dhënë asnjë shpjegim.

Ajo tha se efektivët tentuan të hapnin derën me forcë dhe bërtisnin ‘jemi policia e shtetit’. Pasi u hapi derën, kryefamiljarja tregoi se efektivët i shtrinë djalin e mitur përtokë dhe i kontrolluan banesën.

Më pas u larguan pa i treguar arsyen e këtij operacioni policor. Kristina Gjinaj, e cila ishte në banesë vetëm me dy fëmijët e mitur të moshës 14 dhe 16 vjeç, tha se nuk kanë pasur asnjëherë probleme me ligjin e shtetin.

“Dëgjova zhurmë, bërtisnin ‘policia e shtetit”. Fëmijët po thoshin ‘mami janë tek dritaret’. Tentuan të hapin derën dhe ua hapa unë, u futën brenda dhe nuk dhanë asnjë shpjegim se për çfarë kishin ardhur. Të armatosur, me maska, ishin 5-6 efektivë jashtë, brenda hynë 3 të tjerë. Thanë vetëm “policia e shtetit”, nuk thanë asnjë fjalë. Bënë kontroll, dolën. U trembëm, djalin e shtrinë përtokë. Ishte stres, pa i bërë gjë njeriu. Asnjëherë s’kemi pasur probleme as me ligjin e shtetin”, tha ajo.

Siç, shpjegoi kryefamiljari Artan Gjinaj, i cili ndodhej në Mal të Zi kur ndodhi ngjarja, FNSH-ja e Shkodrës ka shkatërruar telën ngjitur me portën për të hyrë brenda në oborr. Më pas kanë dëmtuar dritaret dhe derën në tentativë për të hyrë në banesë me forcë.

Policia e Lezhës, sipas korrespondetit të Panorama, ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të këtij operacioni.

VIDEO E PLOTE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura