Berisha: Zhdukja e varfërisë në Shqipëri, betejë e vështirë

May 31, 2012 | 12:53
SHPËRNDAJE
Berisha, dje në UET

Konceptet dhe funksionimi i biznesit social, si një sipërmarrje e re në botë që synon të luftojë varfërinë. Shembuj nga ngritja dhe funksionimi i sipërmarrjeve të biznesit social në botë dhe raste potenciale të biznesit social në Shqipëri. Të gjitha këto ishin në fokus të Konferencës Kombëtare “Lëvizja e biznesit social në Shqipëri”, e cila u organizua dje në ambientet e UET-it. Në të merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të qeverisë dhe grupe aktorësh të ndryshëm zhvillimi, përfshirë sipërmarrësit, institucionet publike, bizneset, organizata dhe agjenci zhvillimi lokale dhe ndërkombëtare, akademikë dhe të rinj. Ceremonia e hapjes u përshëndetet nga Kryeministri Sali Berisha, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera dhe zonja Saskia Bruysten, CEO i Yunus Social Business. Duke përshëndetur këtë konferencë, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e organizimit të një prej nismave më të rëndësishme në luftën kundër varfërisë të ndërmarrë pak vite më parë nga profesor Muhammad Yunus, nismë kjo që ka pasur për rezultat luftën eficiente kundër njërit prej tre armiqve më të rrezikshëm të njeriut, që është varfëria. “Varfëria, pavarësisht nga dimensionet e mëdha të tregut, dimensione që s’i ka pasur kurrë në historinë e njerëzimit, mbetet dhe sot një armik ndofta më i rëndësishëm dhe më kryesor i njerëzimit”, theksoi Kryeministri.
Berisha vlerësoi se rritja ekonomike, rritja e ndihmës ekonomike dhe pensioneve, krijimi i vendeve të punës, janë ndër faktorët kryesorë në luftën kundër varfërisë dhe pa diskutim që ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në uljen e saj, por prapë ajo mbetet dhe ka hapësirën e vet, hapësirë të cilën Yunus, theksoi Kryeministri, dhe iniciativa e tij marrin përsipër ta mbulojnë. “Unë realisht e besoj plotësisht se varfëria mund të çrrënjoset dhe se nuk është pamundësia e çrrënjosjes së saj faktor që e mban atë, është pamundësia dhe paaftësia e qeverive dhe e shoqërisë që e bën atë një faktor konstant në të gjitha vendet në të gjitha kombet”, u shpreh Kryeministri Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura