Berisha: Shqipëria etnike në 67 mijë km2

Nov 30, 2012 | 10:48
SHPËRNDAJE
Dje gjatë përurimit

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se kufijtë etnikë të Shqipërisë përpara se ajo të copëtohej ishin 67 mijë kilometra katrorë. Gjatë ceremonisë së përurimit të rrugës “Kont Leopold Bertold”, ai u shpreh se “Konti Bertold, qeveria dhe vendi i tij, Perandoria Austro-Hungareze prej vitesh ishin të përcaktuar për Shqipërinë etnike, Shqipërinë e trojeve shqiptare ku banonin shqiptarët, Shqipërinë e 67 mijë kilometrave katrorë, vend kryesor në gadishullin e Ballkanit, në pjesën jugperëndimore të tij. Por, momenti, aleanca ballkanike dhe faktorë të tjerë bënë të pamundur asokohe realizimin e këtij shteti të pavarur”.
Pas 11 vjetësh, një arterie e re i shtohet kryeqytetit. Rruga e ndërtuar nga Bashkia e Tiranës lidh Unazën, bulevardin “Bajram Curri” me rrugën “Ali Demi”. Të pranishëm në ceremoninë e djeshme ishin edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zv.presidenti i Parlamentit  Austriak, Fritz Neugebauer dhe ambasadori i Austrisë në vendin tonë. “Nuk është e rastësishme që për datën dhe ditët historike që po kalojmë, vendosëm që kësaj rruge të standardit europian t’i vëmë një emër të nderuar të një personaliteti historik, të cilin, ndonëse errësira ideologjike e fshiu për 50 vjet nga librat e historisë, këtu në Shqipëri ne sot e rizbulojmë dhe e nderojmë emrin e ministrit të Jashtëm të një perandorie, e përbërë nga dy vende mike, Austria dhe Hungaria, i cili qëndroi vendosmërisht për Pavarësinë e Shqipërisë”, tha Basha. I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe zv.presidenti i Parlamentit të Austrisë, z. Fritz Neugebauer. Zoti Neugebauer  garantoi se ashtu si 100 vjet më parë, konti Bertold mbështeti Shqipërinë të mos zhdukej nga harta e Europës, po kështu edhe sot Austria do ta mbështesë Shqipërinë të bëhet pjesë e Europës. Rruga tërësisht e re, ka një gjatësi prej 312 metrash dhe një gjerësi prej 15 metrash.  Në të dyja anët e rrugës janë parashikuar xhepa parkimi me gjerësi 2 m dhe trotuare në të dy anët e rrugës me gjerësi 2,5 m. Përgjatë rrugës ka ndriçim, si dhe hapësira të gjelbra. Gjithashtu, është ndërtuar i gjithë rrjeti i nevojshëm i ujësjellës – kanalizimeve. Nisja e punimeve është paraprirë nga shpronësimet. Me një fond prej 122.7 milionë lekësh janë shpronësuar të gjitha familjet, shtëpitë e të cilëve u prishën për ndërtimin e kësaj rruge.

Kush ishte konti Bertold
Më 12 shkurt 1912, konti Bertold u emërua ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë. Që pas disa muajsh ai i kërkoi Ismail Qemalit të shpallë pavarësinë në mënyrë që Serbia të mbetej pa dalje në det. Dalja e Serbisë në Adriatik kishte për të pasur pasoja tragjike për shqiptarët. Konti Bertold e kishte përkrahjen e madhe, apo si quhej në diplomaci “çekun e bardhë” të Gjermanisë në vendimin e Austro-Hungarisë për “luftë me të gjithë”, që e pengonin pavarësinë e Shqipërisë. Ai e ndihmoi Ismail Qemalin për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, për të themeluar shtetin shqiptar si një domosdoshmëri jetike për të shpëtuar shqiptarët, kombin që ai e donte dhe respektonte, nga shuarja e tyre nga harta politike e Europës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura