Berisha për ministrin grek: Miqtë shkëlqejnë me mungesën e tyre

Nov 30, 2012 | 10:55
SHPËRNDAJE
Berisha dje ne konference shtypi

Kryeministri: Enveri vrau e burgosi 100 mijë shqiptarë.

“Zogu u rivarros më 17 nëntor për t’i hequr turpin vendit, po atë ditë i hodhën në erë varrin e nënës”

Kryeministri Sali Berisha ka komentuar dje bojkotin që u bëri Greqia festimeve zyrtare për 100-vjetorin e pavarësisë, pas deklaratave të tij për shtrirjen e Shqipërisë nga Preveza në Preshevë.   Në një konferencë për shtyp me homologun e tij slloven Janez Jansa, por edhe gjatë një daljeje në mbrëmje para mediave, i pyetur nga gazeta “Panorama”, kreu i Ekzekutivit u shpreh: “Nuk shtoj asgjë. Francezët kanë një përgjigje: Miqtë shkëlqejnë gjithnjë me mungesën e tyre. Unë, sa u përket mediave, në Ballkan, por edhe në Europë, nuk ka njeri që i do më shumë mediat. Edhe kur shkruajnë kundër meje, edhe kur shkruajnë pro meje, unë prapë mbetem dashnor i tyre”.
Eshtrat e Zogut
Kreu i qeverisë komentoi gjithashtu vendimin e Komitetit Ndërministror për 100-vjetorin, për të rivarrosur pikërisht më 17 nëntor eshtrat e Mbretit Zog. Në të njëjtën ditë me çlirimin e Tiranës në vitin 1944, u hodh në erë Mauzoleu me eshtrat e nënës së Ahmet Zogut. “Disa komente që janë bërë lidhur me datën 17 nëntor, askush nuk mund të ndihet i fyer. Pse u zgjodh data 17 nëntor? Për t’i hequr një turp vendit. Hedhja në erë e një varri përbën një turp kombëtar, është jashtë çdo tradite të shqiptarëve. Varret e armiqve nuk janë prekur kurrë. Aty ku janë varrosur, aty janë. Kurse këtu akti i parë, festuan duke hedhur në erë mauzoleun e një nëne shqiptare, të një gruaje të një prej familjeve më të mira të Matit dhe Shqipërisë së Veriut. Duke përuruar mauzoleun më 17 nëntor, nuk u bë gjë tjetër vetëm se u mbyll një histori turpi”, tha Kryeministri. I pyetur nga gazeta “Panorama” lidhur me mungesën e përurimit të shtatores së Ahmet Zogut, ai tha: “Viti vazhdon, jemi në vitin e pavarësisë. Janë një seri përurimesh. Do të përurohet tuneli i 100-vjetorit, do të përurohet autostrada e 100-vjetorit, do të përurohet shtatorja e Mbretit Zog. Do të mblidhet përsëri komiteti, do të përcaktojë përsëri disa detyra. Për shembull sot ne përuruam rrugën e Kontit Bertold”.
Therja e qengjave
Kryeministri komentoi gjithashtu një nga deklaratat më të diskutuara për therjen e një mijë deshve dhe një mijë qengjave me rastin e Pavarësisë. Në konferencën e djeshme ai tha se dhuratat e barinjve u shpërndanë në mënyrën e duhur teksa ironizoi edhe kreun e PS-së, Edi Rama, lidhur me librin e tij “Kurban”. “Falënderimi im është për të gjithë ata që dhuruan qengja e desh për këtë festë. Natyrisht, ato u shpërndanë sipas një rregulli. Ai që priste të shihte brirë deshësh dhe këmbë qengjash nëpër rrugë për të shkruar veprën tjetër, për të shkruar ‘Kurbanin’ bis, nuk e mori dot këtë kënaqësi. Por unë i falënderoj barinjtë për bujarinë e tyre”, u shpreh Berisha. Pasi falënderoi këngëtaren e njohur me origjinë shqiptare, Rita Ora, për spektaklin që dha në Tiranë, kreu i qeverisë tha: “E gjithë lodhja e padiskutueshme e akumuluar gjatë një muaji rresht dhe më gjatë u shkri, ishte shiu, por isha i gatshëm të dancoja bashkë me të rinjtë në shesh nën ritmet e saj”.
Deklarata e Metës
Në konferencën e mbrëmshme për shtyp, Berisha u pyet edhe për deklaratat e aleatit të tij në qeveri, Ilir Meta, për ridimensionimin e figurës së Enver Hoxhës. Sipas Kryeministrit, duhet vlerësuar Lufta Nacional-Çlirimtare, por jo ajo që Enver Hoxha i bëri Shqipërisë. “Sali Berisha nuk e ka mohuar kurrë Luftën Nacional-Çlirimtare. E ka quajtur dhe e quan një nga faqet më të ndritura, kjo është bindja ime. Lufta duhet parë me të vërtetat e veta. Enver Hoxhën në krye të PK-së e vendosi Dushan Mugosha. Në mbledhjen e parë themeluese ai është zgjedhur për financat. Si kryekujdestar është lënë Ramadan Çitaku. Enver Hoxha u mbajt në inkubator një vit dhe vetëm pas një viti u vu si Sekretar i Parë. U vu, si u vu, lufta është një meritë e madhe. Por ato çka i bëri ai Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë ju nuk mund t’i imagjinoni. Mbi 100 mijë shqiptarë të burgosur, të internuar, të vdekur në burgje dhe të pushkatuar me gjyq apo pa gjyq”, tha Kryeministri.
Parlamenti dhe stadiumi i ri
Në fund ai foli edhe për kompleksin e ri parlamentar dhe stadiumin e ri, të cilat ishin parashikuar të bëheshin për 100-vjetorin e pavarësisë. “Absolutisht do të bëhen. Që do të bëhen, do të bëhen, por që të bëhen jashtë procedurave, këtë nuk mund ta them. Nuk është një investim personal i imi, nuk është një investim disa qindra mijëra euro që mund të zgjedhësh procedura më të thjeshta, por ai është investim shumë serioz. Në këtë kontekst, të gjitha procedurat do të ndiqen. Për të shpallur tenderin duhet edhe projekt më i gjerë se sa ai që është paraqitur. Prix ka marrë përsipër ta përfundojë. Sapo të përfundojë projekti, ai do të realizohet. Sa i takon stadiumit, i është dhënë FSHF-së, janë transferuar të gjitha aksionet e qeverisë. Kjo nuk do të thotë që qeveria nuk do ta ndihmojë. Do të jetë Federata që do të zbatojë projektin që ajo mendon. Qeveria, sapo Federata të jetë gati, do të jetë gati të japë kontributin e vet. Por tuneli është ëndrra, stadiumi ja ku është”. Berisha tha gjithashtu se sot historia nuk është ajo e një viti më parë.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura