Berisha në ceremoninë e themelimit të “Vatrës”: Nderim Nolit e Konicës

Apr 30, 2012 | 12:35
SHPËRNDAJE
Berisha në shoqatën Vatra

Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha, morën pjesë dje në Nju Jork në ceremoninë e themelimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”. Me moton “100 vjet në shërbim të kombit”, shoqata “Vatra” kremtoi themelimin e saj si organizatë, e cila për një shekull vendosi të parin interesin kombëtar. Kryeministri Sali Berisha u bëri homazh të gjithë atyre shqiptarëve elitarë që, bashkë me Fan Nolin dhe Faik Konicën, u bashkuan, themeluan “Vatrën” dhe ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare në ditët më të errëta për kombin, kur ishte vënë në pikëpyetje ekzistenca e tij. “Ky 100-vjetor është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu, në atdheun e lirisë, në vendin e madh të lirisë, ‘Vatrën’, si vatër të lirisë së kombit shqiptar. Themeluan ‘Vatrën’, si vatër të dritës së kombit shqiptar, themeluan ‘Vatrën’, si vatër të shpresës së pashuar kombëtare”, u shpreh Berisha. Me nderimin që i bëri Fan Nolit për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, si bastion të patriotizmit shqiptar, Kryeministri Berisha solli në vëmendje edhe përpjekjet shekullore të të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri, si modele të atdhetarizmit. “Kur vështrojmë  këto 100 vite, kanë qenë vitet në të cilat kombi ka përjetuar drama dhe tragjedi të mëdha. Kanë qenë vite në të cilat kombi ka njohur pushtimet më të egra dhe diktaturat më mizore, por kanë qenë vite në të cilat shqiptarët kanë bërë më shumë se kurrë në tërë historinë e tyre për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Kanë qenë vite në të cilat, në të gjitha momentet më kritike të ekzistencës së tyre, ata ia kanë dalë të fitojnë, sepse kanë pasur mbështetjen e fuqishme, përcaktuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Krijimi Vatrës
Federata panshqiptare “Vatra” u krijua më 28 prill të vitit 1912 në Boston. Vatra festoi dje në Nju Jork 100-vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet ku merrnin pjesë drejtues të saj, kryetari Gjon Bucaj, zëvendëskryeministrja e Maqedonisë, zonja Teuta Arifi dhe ministri i Kosovës për Diasporën, Ibrahim Makolli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura