Berisha, kosto për PD? Nishani: Debat që nxitet nga… Basha të bëjë transparencë se çfarë i ka kërkuar qeveria e SHBA

Sep 8, 2021 | 8:19
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Ish-Presidenti Bujar Nishani është pozicionuar në anën e atyre që mendojnë se qëndrimi i Sali Berishës, që është shpallur “non grata”, në Grupin Parlamentar të PD-së nuk është një kosto për forcën politike dhe nuk do të ndikojë në marrëdhëniet SHBA-PD.

basha-nishani

Gjatë një intervistë për “News 24”, Nishani u shpreh se SHBA dhe të gjitha vendet demokratike nuk e kanë në parim margjinalizimin e një grupimi të caktuar vetëm për shkak të një individi.

“Edhe në rastin Berisha ka një mungesë transparence dhe qartësie nga Basha. Është një problem që përcaktimi ‘non grata’ për Berishën është vendim individual, që është për Berishën. Nuk e ka marrë mbi bazën e të qenët si përfaqësues i Grupit Parlamentar të PD-së. SHBA dhe shumë vende të tjera demokratike nuk i marrin vendimet në dënime kolektive. Nuk mund të dënojë PD-në që është minimum, është sot 625 mijë vota. Nuk është në konceptin e administratës së SHBA-së që të margjinalizojë kolektivisht”, tha Nishani.

AKUZA

Sipas ish-Presidentit, debati për Berishën brenda PD-së dhe në publik sponsorizohet nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe Kryeministri Edi Rama. Këtë bindje ai e mbështet në këto argumente.

Ajo që kam vënë re është se ka një fokusim në debatin e brendshëm të kësaj çështjeje. I gjithë ky debat, në bindjen time, ka një sponsorizim të fortë nga dy persona: që janë Edi Rama dhe Lulzim Basha. Pse kam këtë bindje? Mendoj se problematika dhe arsyeja se pse PD nuk vjen dot në pushtet nuk është protagonizmi në ‘Facebook’ i Berishës, por paaftësia e Bashës për të krijuar një projekt politik të fuqishëm, bindës për shqiptarët, që tejkalon masakrën elektorale që organizon Rama në çdo zgjedhje. E keqja e këtij vendi sot nuk është opozita. Nuk është Lulzim Basha, është qeveria, hallet e njerëzve krijohen nga qeverisja, që është Rama. Por mekanizmi që bën korrigjimin e kësaj gjëje është opozita. Është PD-ja. Dhe PD-ja nuk po ngrihet në lartësinë që i takon, jo për shkak të protagonizmit në ‘Facebook’ të Berishës, por për shkak të Lulzim Bashës. Dhe pikërisht interesi i Ramës dhe Bashës është që të shmangë debatin nga kjo problematikë kryesore, që është paaftësia e Bashës dhe të merren me një problematikë personale të Berishës”, vijoi Nishani.

Ndërkohë ish-Presidenti e akuzoi kryedemokratin Basha se nuk bën transparencë për opinionin publik dhe strukturat e larta të PD-së se cili ka qenë qëndrimi i qeverisë amerikane me vendimet e PD-së për djegien e mandateve dhe për bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Nishani kërkoi nga kreu i partisë së tij që të tregojë aq sa është e lejueshme se cila ka qenë kërkesa e administratës amerikane për djegien e mandateve, bojkotimin e zgjedhjeve dhe për çështjen “Berisha” dhe të tregojë përgjigjet që i ka kthyer.

TKURRJA E PD

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar vijoi edhe më tej me akuzat ndaj Lulzim Bashës.

Sipas Nishanit, sondazhe serioze tregojnë se pas zgjedhjeve të 25 prillit PD është tkurrur me 100 mijë votues. Përgjegjës për këtë, sipas Nishanit, është Lulzim Basha.

“Sot PD në konceptin tim është një parti më e vogël se sa ishte para 25 prillit. Nuk ka demonstruar vullnetin dhe projektin për të reflektuar thellë nga ajo që pësoi pas 8 viteve të opozitës. Nuk ka asnjë reflektim që të kuptojë se kë ka kundërshtar të vërtetë edhe pas 8 viteve opozitë. PD, si një nga dy forcat kryesore, nuk e shoh dimensionin e saj për të qenë një parti alternativë. Nëse sot sondazhet tregojnë se nga 25 prilli deri më sot PD ka humbur edhe 100 mijë vota, ky është një shqetësim për Partinë Demokratike”, vijoi ish-Presidenti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura