Berisha kërkon votat e të papunëve në Konventën e PD: Do hapim 250 mijë vende pune

Mar 31, 2013 | 10:38
SHPËRNDAJE
Berisha duke folur ne Konventen e PD-se

Kryeministri Sali Berisha u përqendrua në fjalimin e tij në mesazhin për të bindur ata që ende sot nuk e kanë një punë për të votuar Partinë Demokratike.

Në mbyllje të Konventës së demokratëve për punësimin, kreu i kësaj partie u shpreh se qëllimi i mandatit të ardhshëm do të jetë pikërisht punësimi i çdo të papuni. “Në emrin tuaj, unë dua të garantoj sot gratë e burrat, të rejat e të rinjtë e Shqipërisë, që presin me padurim për të pasur vendin e punës, se Partia Demokratike, qeveria dhe Kryeministri i vendit do të bëjnë çdo përpjekje për punësimin e tyre, për krijimin e vendeve të reja të punës”, u shpreh Berisha në fillim të fjalës së tij, e cila zgjati rreth 30 minuta. Pasi premtoi punësimin e çdo qytetari që sot ende nuk e ka një punë, Kryeministri iu përgjigj edhe pyetjes se përse duhet ta besojnë atë për një mandat të tretë qeverisës. Sipas kreut të PD-së, një argument është fakti se në vitin 2009 u premtua hapja e 160 mijë vendesh pune, ndërsa sot janë punësuar 200 mijë persona. “Duhet të na besoni, sepse këto tetë vite, por edhe gjatë gjithë ekzistencës sonë në politikë, ne u kemi faktuar shqiptarëve vendosmërinë tonë për çdo sakrificë, për të mbajtur premtimet. Duhet të na besoni se katër vjet më parë, në këtë sallë Sali Berisha premtoi 160 mijë vende pune, por u krijuan 200 mijë vende pune. Duhet të na besoni se në të gjithë jetën time politike kurrë ndonjëherë nuk jam përpjekur të mësoj më shumë se në këtë kohë”, tha më tej Kryeministri. Si arsye të tjera se përse duhet besuar PD-ja, ai renditi rezistencën ndaj krizës ekonomike dhe rritjen e investimeve të huaja pas anëtarësimit në NATO. Berisha tha se në katër vite kjo qeveri do të punësojë 250 mijë persona, gjysma e të cilëve në sektorin e bujqësisë. “Shqipëria mori 12 miliardë dollarë investime, sepse taksa e sheshtë 10 për qind, taksa e librave të shenjtë u shndërrua në levën e Arkimedit për ekonominë shqiptare. Ne që premtuam 160 mijë vende pune, realizuam 200 mijë, a nuk kemi të drejtë të premtojmë sot, me realizmin më të madh, me minimumin më të madh, 250 mijë vende”, u shpreh më tej Kryeministri. Gjatë fjalës së tij, ai nuk e përmendi asnjëherë kundërshtarin politik, por tha se mandatin tjetër Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat dhe do të hapë negociatat për në BE. “Së shpejti, në Parlament do të kalojë ligji, i cili do të përjashtojë të rejat e të rinjtë nga çdo lloj detyrimi tatimor në tri vitet e para të punës së tyre. Të tjerët mund të më pengojnë me votën e bllokimit, që t’u njoh të drejtën 16- vjeçarëve për të votuar, por nuk mund të më pengojnë kurrë për të mbështetur punësimin e tyre pa asnjë taksë, pa asnjë tarifë, për tri vite rresht”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri.

(Artikullin e plotë të gazetarit Adi Shkëmbi e lexoni në numrin e sotem te gazetes Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura