Berisha: Do heqim vizat me SHBA, marrim statusin

May 31, 2013 | 12:04
SHPËRNDAJE
Berisha dje në Kamzë

Kryeministri Sali Berisha premtoi dje marrjen e statusit të vendit kandidat, hapjen e negociatave me BE-në dhe liberalizimin e vizave me SHBA-të gjatë mitingjeve elektorale që zhvilloi në Kamzë dhe Krujë. Kreu i qeverisë u ndal gjithashtu te votimi i paradites në Parlament për tri ligjet, ku tha se Rama e harroi pretendimin për qarkun e Fierit. “Ia dolëm të anëtarësohemi në NATO dhe të lëvizim të lirë në mbarë Europën. Në mandatin e ardhshëm së bashku do të marrim statusin, do hapim negociatat dhe do liberalizojmë vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Berisha në Kamzë. Ndërsa në Krujë ai deklaroi: “Edi Rama, me një akt, më të papërgjegjshmin, bllokoi statusin e vendit kandidat. A mundet që një shqiptar t’ua bënte shqiptarëve këtë që u bëri Edi Rama për 236 ditë? Le t’i shtrojmë pyetjen, të nderuar socialistë të Krujës dhe të mbarë Shqipërisë: çfarë ndodhi që i votove sot pas 236 ditësh? A nuk thatë ju zotërinj se po i bllokoni për Fierin? Sot çfarë do t’u thoni qytetarëve të Fierit, që nuk kishe as motiv për t’i bllokuar, por spekulove me emrin e tyre për interesa personale?”. Berisha u ndal gjithashtu te etiketimet që, sipas tij, PS-ja u ka bërë banorëve të ardhur nga rrethet e tjera dhe të vendosur në Kamzë. Sipas tij, këta banorë kanë ndërtuar sot qytetin e gjashtë më të madh në vend, ndërsa Rama është një piktor i dështuar. “Sot qarkullon me autobusin tënd. Jeni identik si me qenë binjak me Nastradinin. Ai udhëtonte me veshgjatin, ti udhëton me autobus. Ndaj dhe 23 qershori do të të përcjellë ty në banesën e gënjeshtrës, do të përcjellë ty në bunkerin e harresës”, deklaroi Berisha. Ai tha më tej se “të quash Koço Kokëdhimën, Fidelin apo Tom Doshin rilindës të shqiptarëve, është si të quash Zani Çaushin Skënderbeun e tyre. Ndaj nga Kruja i bëj thirrje: Mos i ofendo shqiptarët! Për shqiptarët, rilindësit janë shenjtorët e shqiptarësisë. Me Rilindjen nënkupton rikthimin në pushtet të neobllokmenëve, por e shkuara në Shqipëri nuk do të kthehet kurrë. Ne do të ecim përpara drejt së ardhmes, përpara drejt zhvillimit, përpara drejt Europës”.
I pranishëm në mitingun e mbrëmshëm në Kamzë ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili tha se tiranasit dhe kamziotët ia kanë pirë lëngun Edi Ramës. “Kemi një pyetje për zotërinë që rri shtrembër: Pse i bllokove tri ligjet, pse bllokove 150 milionë euro falas për qytetarët shqiptarë, pse bllokove 100 shkolla falas, pse bllokove 50 qendra shëndetësore, pse bllokove 150 km autostradë falas? Është e drejta jonë ta dimë, ndonëse e dimë që nga ty nuk marrim kurrë përgjigje. Sot kjo pyetje është vetëm retorike, se sado që të rrish shtrembër dhe të flasësh drejt, shqiptarët, dhe në veçanti tiranasit e kamziotët, ta kanë pirë lëngun”, tha Basha.

Fation Binjaku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura