Berat, emri i shkollës bën bashkë me vota PS dhe LSI

Oct 31, 2012 | 12:45
SHPËRNDAJE
Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak në Berat

Emri i shkollës 9-vjeçare “22 tetori” në Berat bën bashkë LSI-në me PS-në në Këshillin Bashkiak. Anëtarët e këtyre forcave të majta kanë mbështetur njëra-tjetrën, duke rrëzuar iniciativën për të ndryshuar emrin e këtij institucioni. Këshilltarët e djathtë kanë pranuar kërkesën e një grupi intelektualësh për të ndryshuar emrin e shkollës “22 Tetori”, ndër më të vjetrat në qytetin e Beratit dhe për t’i vënë atë të mësuesit patriotik, Sulo Rexhepi. Sipas kryetares së Këshillit Bashkiak, Valbona Zylyftari, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, komisioni i vlerësimit të figurave ka sugjeruar një listë me emra patriotësh të qytetit të Beratit, për t’i përjetësuar në emra institucionesh të ndryshme apo rrugësh. Debati është ndezur në momentin kur është diskutuar një ndër pikat e paralajmëruara, që ishte dhe ajo e ndryshimit të emrit të shkollës “22 Tetori”. Në këtë moment ka pasur përplasje të ashpra, pasi çështja është politizuar nga palët. Data 22 tetor 1944 është e shënuar në histori si dita e krijimit të qeverisë së parë demokratike, në kohën kur vendi ishte i pushtuar nga ushtria gjermane. Por, sipas demokratëve, shkolla më e vjetër e qytetit po mban datën e një ngjarjeje, ku morën pjesë ata persona që masakruan shqiptarët për dekada të tëra. Nga ana e të majtëve është kërkuar që çështja të mos politizohet, por emri të qëndrojë i tillë, pasi shkolla është ndër më të vjetrat në Berat dhe njihet ndër breza si “22 Tetori”. Sipas tyre, Sulo Rexhepi është një personalitet i Beratit, por fare mirë emri i tij mund të vendoset në një tjetër institucion dhe jo në shkollën 9-vjeçare. Debatet kanë përshkuar të gjithë mbledhjen, mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë. Të pranishëm ishin dhe 5 këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët nuk kanë marrë pjesë në debat, por në fund kanë bashkuar votat me të majtën. Kryetarja e Këshillit Bashkiak kërkoi hedhjen në votim të kësaj çështjeje. Të pranishëm kanë qenë të 34 këshilltarët, ku 19 prej tyre i përkasin të majtës (PS, PSD dhe PKSH-së), 10 të PD-së dhe 5 të LSI-së. Me kartonët kundër, këshilltarët e LSI-së i janë bashkuar PS-së, duke vendosur që emri i shkollës së ndërtuar rreth 40 vjet më parë të mos ndryshojë. Kundërshtim ka pasur dhe stafi i shkollës, një përfaqësi e së cilës ishte e pranishme në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak. Dje në sallë ndodhej dhe kryetari i qarkut të Beratit.

Debatet mes këshilltarëve
Mensur Hoxha, këshilltar i PS-së
“Emri i shkollës ‘22 Tetori’ është një datë e shënuar. Ajo përfaqëson krijimin e qeverisë demokratike të parë shqiptare. Tregon se mijëra dëshmorë kanë derdhur gjakun për çlirimin e vendit. Si për ne socialistët dhe për ju demokratët, 22 tetori është një nga datat që ka në përbërje të saj krijimin e qeverisë së parë demokratike dhe ne nuk do të lëshojmë pe”.

Astrit Qafa, këshilltari i PD-së
“Kjo datë ka shumë pasoja të rënda. Nga kjo datë kanë dalë ata që masakruan dhe vranë shumë njerëz në emër të ligjit. Shumë familje u internuan dhe shumë të tjera pësuan dramë të dhimbshme. Ne nuk jemi dakord”.

Arenc Berati, këshilltar i PD-së
“Nuk kemi si ta lëmë këtë shkollë me këtë emër. Ne mendojmë që duhet ta zëvendësojmë me emrin e mësuesit të nderuar. Ju po e politizoni këtë datë, por ne nuk jemi dakord”.

BERAT/ DILAVER XHELILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura