Rezultati i dobët i UT-së, mundësi për të dalë nga keqkuptimi

Oct 3, 2017 | 19:16
SHPËRNDAJE

PROF. ASOC. DR. BELINA BUDINI 

Lajmi se Universiteti i Tiranës mori rezultatin më të dobët në akreditimin e universiteteve shqiptare nga Agjencia Britanike e Sigurimit të Cilësisë (QAA) ishte, pa asnjë dyshim, një lajm i keq. Si të tillë e kanë përjetuar me të drejtë pedagogët e atij universiteti, edhe pse janë studentët ata që preken më drejtpërdrejt. Si ish-studente dhe për një periudhë kohore edhe pedagoge e atij universiteti, kam pjesën time të keqardhjes dhe të përjetimit të pakëndshëm të këtij lajmi. Kjo ishte arsyeja përse zgjodha të hyj në dialog me një kolege të nderuar të këtij universiteti, madje profesoreshën time të preferuar, aktualisht deputete në Parlamentin e Shqipërisë, zonjën Valentina Duka, nisur nga një artikull i saj publikuar në gazetën “Panorama”, me titull “Arsimi shqiptar, viktimë e papërgjegjshmërisë së kabinetit Rama”.

belina budini

Në fakt, kontestimi im nuk ka të bëjë aspak me titullin e mësipërm, as me opozitarizmin e saj parlamentar elokuent, por me leximin e realitetit të Universitetit të Tiranës dhe, përmes tij, të spektrit universitar në vend. Ky lexim lipset të jetë faktik dhe i vërtetë, përtej emocioneve dhe keqkuptimeve të akumuluara në vite. Mirëpo, që të jetë i tillë, ai nuk mund të nisë me pretendimet se kemi të bëjmë me “sulme poshtëruese e fryese” ndaj UT, me “spektakël të shëmtuar mediatik”, apo me “sponsorizim qeveritar rreth rezultateve të akreditimit”, të nxjerra nga një agjenci britanike, të cilën vetë prof. Duka e cilëson ndër agjencitë më prestigjioze në këtë fushë. Nuk duket se premton ndonjë lexim më të balancuar të realitetit të Universitetit të Tiranës, por edhe të spektrit të arsimit të lartë në tërësi, etiketimi i UT-së me terma të fryrë si “gjigand i arsimit të lartë në Shqipëri”, “ikonë e trashëgimisë sonë kombëtare” apo vetëshpalljen e tij si “më i miri, më cilësori dhe më tërheqësi” në Shqipëri, sikurse e etiketon prof. Duka. Kjo është edhe arsyeja përse u thirr një arbitër i paanshëm, për t’i renditur universitetet shqiptare në bazë të cilësive të observuara, të dokumentuara, të matura dhe të kontrolluara, dhe jo përmes vetëcilësimeve, sikurse ka mbetur zakon.

Çdo institucion prestigjioz universitar në botën e sotme përdor raporte vlerësimi të jashtme për të “certifikuar” veten. Një certifikim të tillë ndoqa personalisht kur studiova në Goldsmiths College, University of London, pikërisht në Departamentin e Mediave dhe të Komunikimit, i cili renditet i 8-ti në botë për studime të kësaj fushe (referuar QS World University Rankings 2017, sipas subjekteve) dhe i pari në Britaninë e Madhe për cilësinë e kërkimit (Research Excellence Framework 2014 Times Higher Education research intensity subject rankings). Këto lloj renditjesh janë orientues të domosdoshëm për vetë universitetet, por mbi të gjitha për studentët, kërkuesit shkencorë, profesionistët e fushave përkatëse, ashtu si edhe për mediat e institucionet e tjera. Një mjedis kaotik, pa sinjalizues të kësaj natyre, ku zgjedhjet bëhen verbtazi, apo akoma më keq bazuar në spekulime, keqkuptime e paragjykime të shtresëzuara, është në dëmin e studentëve në radhë të parë, që nuk marrin ofertën më të mirë universitare, por edhe të vetë institucioneve universitare, që i bëjnë rezistencë vetinspektimit, pa shkuar pastaj te përmirësimi, modernizimi apo reformimi, që bëhen yje edhe më të largëta e të paarritshme.

Si drejtuese e Departamentit të Komunikimit dhe të Marrëdhënieve Publike në një universitet shqiptar, kam asistuar gjatë procesit të vlerësimit të agjencisë britanike në Universitetin Europian të Tiranës dhe kam konstatuar inspektimin e të gjithë zërave të rëndësishëm që e bëjnë një universitet të jetë i tillë, duke filluar që nga kurrikulat, tekstet dhe literatura, pedagogët, auditorët, udhëheqja e studentëve, kërkimi shkencor, laboratorët, dokumentacioni dhe sekretaria, koordinimi e aspektet menaxheriale dhe vlerësimi i standardeve tona si “plotësisht të arritura” nuk përbën asnjë habi për mua. Për të qenë të sinqertë, as renditja e dobët e Universitetit të Tiranës nuk ka pse të na habisë kaq shumë, sa kohë një pjesë e mirë prej nesh e njohim nga afër dhe ia dimë, sikurse prof. Duka, problemet dhe mangësitë.

Megjithatë, nuk dua që ta përdor këtë si moment revanshi dhe as nuk mendoj se duhet të lexohet si i tillë, duke qenë se të gjithë jemi të interesuar në mirëfunksionimin e Universitetit të Tiranës, ashtu si edhe të universiteteve të tjera në Shqipëri. E para herë që bëhet një vlerësim kaq kompetent i universiteteve shqiptare duhet të na shërbejë më së paku për të reflektuar dhe për të dalë nga keqkuptimi. Periodiciteti i këtyre vlerësimeve, shndërrimi i tyre në procese të vazhdueshme, do të ishte hapi tjetër, që do të mundësonte ruajtjen e standardeve dhe ngritjen e atyre ekzistuese.

Prandaj, lajmi i keq në këtë rast është lajm i mirë, jo për logjikën e njohur gazetareske, sipas së cilës lajmi i keq përbën lajm, ndaj është i mirë. Ky mund të jetë shpjegimi se përse ngjarja është mbuluar nga mediat dhe ka marrë përmasat e një skandali. Mundësia për të dalë nga keqkuptimi është rrjedhoja e parë komunikative që ka prodhuar ky lajm. Dhe ky nuk mund të jetë veçse lajm i mirë për ata që janë të interesuar në të vërtetën dhe jo gjasmimin. Akuzat dhe kundërakuzat mund të rezultojnë të pashmangshme, por së paku po i jepet mundësia gjykimit të vonuar të “gjigandit” të fjetur dhe bashkë me të edhe përgjegjësve për gjendjen e tij. Duke filluar që nga përgjegjësitë e qeverisë Rama, që me të drejtë thërret deputetja e djathtë, e deri tek ato të vetë eksponentëve universitarë të interesuar të vegjetojnë, të patrazuar në gjumin e tyre letargjik…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura