“Beleri mbahet në burg, ndonëse me një dosje shëndetësore, ndërsa Tahiri…”- Genc Burimi për Panorama TV: E njëjta situatë nuk trajtohet njësoj nga drejtësia shqiptare

Jun 8, 2023 | 17:35
SHPËRNDAJE

Analisti Genc Burimi është shprehur se një situatë e njëjtë nuk trajtohet njësoj nga drejtësia shqiptare.

Komentet Burimi i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku mori si shembuj rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit dhe ish-ministrit Saimir Tahiri.

Burimi tha se Beleri mbahet në burg ndonëse u paraqit me një dosje të plotë shëndetësore, ndërsa Tahiri, ndonëse nuk kishte një dosje të tillë shëndetësore, por me argumentin e gjendjes shëndetësore të gruas së tij, u lirua nga burgu.

“Zhvillimet i kam parë me skepticizëm sepse janë zhvillime me kontradikta. E njëjta situatë nuk trajtohet njësoj nga drejtësia. Nëse marr rastin e Belerit që mbahet në burg ndonëse u paraqit një dosje shëndetësore, ndërkohë që për zotin Tahiri, me një dosje jo të tillë shëndetësore, por të gruas, fiton lirinë. E njëjta gjë edhe për Dakon. Me drejtësinë shqiptare, nuk po kuptojmë se nga cili parim udhëhiqet kjo drejtësi. Mendja të shkon te interferenca.

Reforma në drejtësi është e ngjashme me atë të Italisë dikur, por atje drejtësia fshiu gjithë forcën politike, ndërsa në Shqipëri, i vetmi rast është rasti i Tahirit. SPAK kërkoi 12 vite burg për trafik droge dhe Tahiri u dënua me vetëm 3 vite e 4 muaj burg dhe bëri 1 vit e gjysmë. SPAK është një pjesë, është organi akuzues, por është pjesa tjetër te gjykatësit pastaj. Pra SPAK nuk jemi as te fillimi i një revolucioni në drejtësi.

Shqipëria vijon të përbëjë një përjashtim nga demokracitë europiane. Në 2021 Rama ndryshoi kushtetutën pak muaj para zgjedhjeve, duke hequr koalicionet. Pra janë disa kode në perëndim që nuk i shoh të zbatohen në Shqipëri. Nuk po shoh efektim amerikan në Shqipëri, nuk po e shoh as në drejtësi, as në ekonomi. Shqipëria vijon të jetë vendi me të ardhurat më të ulëta në rajon për frymë”, u shpreh burimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura