Beatrice De Saint Jean, frymë lirie nga vitet ’20

May 6, 2011 | 11:29
SHPËRNDAJE
Beatrice De Saint Jean në proces pune

Ajo ka qenë një periudhë e çmendur. Asgjë nuk ishte si më parë. Një botë e sapodalë nga lufta. Meshkujt ishin shumë të preokupuar për të, ndërsa gratë… ndryshuan modelin e flokëve, të veshjes, u ndjenë më të lira dhe më të rëndësishme. Me gjithë ngjyrat dhe entuziazmin që përçonte, kjo periudhë është prezantuar në ekspozitën e piktores Beatrice De Saint Jean në Hotel De Paris, në Tiranë. Prej vitit 2009 ajo jeton në Tiranë, duke ndjekur të shoqin, i cili punon këtu. Por ndërkohë edhe Beatrice nuk ka reshtur së punuari. Ajo ndjek pasionin e saj, pikturën. Zbulon teknika të reja, por në të njëjtën kohë i është kushtuar edhe punës në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara, së bashku me Caritas Albania. Dhe një nga arsyet e hapjes së kësaj ekspozite, është pikërisht ky projekt dhe një e treta e vlerës së pikturave të shitura do t’i shkojë Caritasit për qendrën ditore në Arrameras të Fushë-Krujës. Ekspozita u çel dje në Hotel De Paris, ku gjithçka ofronte aromë franceze. Por më së shumti pikturat e Beatrices, të cilat ishin

Disa nga punët e ekspozuara në “Hotel de Paris”

frymëzuar kryesisht nga imazhi i gruas në vitet ’20 të shek. XX. “Kam bërë kërkime mbi këto vite dhe kam zbuluar se ka qenë një periudhë lirie për femrat. Kjo në aspektin politik, në punë, në raportin me fëmijët. Ka qenë një zgjim në fushën e modës, të jetës artistike, sentimentale etj. Vihet re një çlirim i trupit, por edhe shpirtëror. Kanë bërë shumë gjëra të mrekullueshme. Ka qenë një kohë e mbushur plot gëzim dhe entuziazëm”, thotë piktorja, teksa të tregon tablotë ku paraqiten imazhe plot dritë femrash, të cilat të kthejnë gati një shekull pas. “Është gruaja që pozon, që lexon, që pret diçka. Për të shprehur gjallërinë e asaj periudhe, kam përdorur ngjyra të gëzueshme, të gjalla, me shumë dritë. Unë trajtoj figurativen dhe abstrakten gjithashtu dhe shpeshherë i përziej të dyja”, vazhdon ajo. Gjatë karrierës së saj si piktore, është ndalur në tema të ndryshme, që nga ato fetare, kisha e engjëj, gjatë periudhës së shtatzënisë, apo nëna e fëmijë, teksa vetë ishte bërë nënë dhe po e jetonte vetë këtë ndjesi. Ajo lëvron si artin figurativ, ashtu edhe atë abstrakt, por e veçanta e punëve të saj është fakti se ajo pikturon me të dyja duart njëkohësisht. Përmes rulonëve ajo krijon vibrime, të cilat përçojnë imazhe fizike e njëkohësisht edhe ndjesi shpirtërore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura