“Basti” i Plorit: Në Burrel na bënë padrejtësi, por Besëlidhja do ngjitet

SHPËRNDAJE

Elvis Plori nuk e diskuton ngjitjen. Edhe pse janë 4 pikë larg kreut, trajneri i Besëlidhjes jep garanci për misionin final.

elvis plori

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai skanon 7 javët e luajtura deri më tani, ndërsa hapur e thotë se në Burrel iu bë padrejtësi.

Jeni -4 nga kreu, a do të ndikojë kjo diferencë në misionin final?

Unë erdha në Lezhë me dëshirë dhe ambicie të mëdha. Dhe mund ta them që diferenca prej 4 pikësh nuk influencon fare në pikësynimet tona. Te ky ekip unë besoj shumë. Pastaj, kampionati sapo ka mbushur 1/4-at e sezonit, ndaj gjithçka mbetet e hapur.

Ju po jepni garanci për objektivat, ku mbështeteni?

Unë e njoh shumë mirë Besëlidhjen. Këtë grup çdokush do ta kishte lakmi. Duke iu referuar kësaj, jam shumë kërkues, pasi kushtet po na plotësohen të gjitha. Është një ekip që përveç cilësisë së futbollistëve, ka fatin të ketë në krye një president korrekt. Ndaj, duke pasur këto avantazhe, nuk do të resht së besuari.

Si e shihni garën në Grupin A?

Skuadrat nuk kanë diferenca të mëdha. Vetëm në dy vitet e fundit historia ishte ndryshe. Kishim një Tiranë apo një Vllazni që me të vërtetë të “frikësojnë”. Gjithsesi, duke u bazuar në realitetin që shoh, them se Besëlidhja është një rivale e denjë dhe i mungon elitës.

U kontestua shumë ajo humbje në Burrel…

Për Burrelin kam respekt maksimal, madje ndeshja mes nesh ishte shumë miqësore. Edhe publiku na priti shumë mirë, por rezervat e mia janë për gjykimin, konkretisht për anësorët. Ata bënë dy gabime që ndikuan direkt në rezultat dhe kjo është shumë e rrezikshme. Të anulosh një gol më se të rregullt dhe t’i dhurosh një gol të paqenë kundërshtarit, është padrejtësi e madhe. Kjo lë pasoja edhe psikologjike.

Cilat janë pikët që “qani” deri në këtë fazë?

I pafalshëm për ne ka qenë barazimi ndaj Egnatias në shtëpi, por edhe në Burrel do merrnim pikë po të mos ndodhte ajo që konsumova më lart.

Është herët për të folur, por a do të ndërhyni në merkato?

Duke parë, e duke bërë. Nuk përjashtohet mundësia. Mund të bëjmë një ose dy goditje, ku ta gjykojmë se ekipi ka me të vërtetë nevojë.

Në radhë tani keni ndeshjen ndaj Dinamos. A mund t’ju nxjerrë probleme ekipi që renditet në fund të tabelës?

Të gjitha ekipet, kur vjen puna te mbijetesa bëhen më agresive, ndaj ne po e vlerësojmë maksimalisht Dinamon. Ata do të vijnë këtu për të dhënë maksimumin, është një skuadër që luan futboll. Do të shfrytëzojnë edhe gjendjen tonë jo të mirë psikologjike. Por, ne do të luajmë të qetë besoj dhe kjo do të na japë garanci për fitore.

PRENG GJIKOLA

 

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.