Basha: Tirana, qendër e teknologjisë dhe inovacionit në rajon

May 31, 2013 | 12:54
SHPËRNDAJE
Gjatë përurimit të rrugës së re “Endri Keko”

Tirana do të ketë parkun e saj teknologjik. Koncepti i parkut teknologjik është ai i një qendre kërkimore, ku nga njëra anë biznesi, korporatat, kompanitë e ndryshme dhe, nga ana tjetër, bota akademike, universitetet, institutet kërkimore bashkëpunojnë për të realizuar aktivitete në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.  Kompania “Arkada” prezantoi dje studimin e parafizibilitetit për parkun teknologjik të Tiranës, një nga projektet strategjike të Tiranës së shekullit XXI, lançuar nga kryebashkiaku Basha gjatë fushatës elektorale. “Projekti parashikon ndërtimin e një parku në një sipërfaqe 30 mijë metra katrorë, ku do të mblidhen të gjitha firmat kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me projekte zhvillimore dhe kërkimore për rritjen e kapaciteteve prodhuese, zhvillimin e ndërmarrjeve, gjenerimin e punësimit dhe natyrisht, përmirësimin e lidhjeve midis botës akademike dhe industrisë, midis botës universitare dhe botës së biznesit”, tha kryebashkiaku Lulzim Basha. Sipas tij, Bashkia e Tiranës, me ngritjen e këtij parku, synon mbështetjen e kompanive në fushën e teknologjive të informacionit dhe rritjen e punësimit, kryesisht të të rinjve. “Përfitimet e pasjes së një parku teknologjik në Tiranë janë në qarta. Ato nxisin krijimin dhe zgjerimin e kompanive dhe njësive të tjera në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, rrisin bashkëpunimin mes universiteteve, qendrave kërkimore dhe bizneseve, krijojnë mundësi për punësim, me një fokus të veçantë te të rinjtë e kualifikuar në këtë sektor”, tha Basha. Më herët kryebashkiaku ishte i pranishëm edhe në përurimin e një rruge të re në Tiranë. Me një investim prej 41.4 milionë lekësh është rikonstruktuar rruga “Endri Keko”, e cila lidh bulevardin “Zhan D’Ark” me rrugën “Sadik Petrela” dhe ndodhet në Njësinë Bashkiake Nr. 3. Rikonstruksioni i kësaj rruge ndihmon në lehtësimin e lëvizjes së mjeteve dhe u shërben mbi 3000 qytetarëve të zonës dhe shumë të tjerëve që përdorin këtë rrugë për t’u lidhur me pjesë të tjera të kryeqytetit, siç është edhe zona e Kinostudios. “Ky është standardi me të cilin ne po ekzekutojmë dhe do të ekzekutojmë me dhjetëra vepra të tilla, këtu në Njësinë Bashkiake Nr. 3 dhe anembanë qytetit të Tiranës”, tha Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura