Basha: Rama të bëjë legalizimet e premtuara

Sep 30, 2013 | 13:41
SHPËRNDAJE

Nis rikualifikimi urban i bllokut të banimit te Doganat.

“Me këtë projekt dëshmojmë se po ndryshojmë Tiranën”

Nis rikualifikimi urban i bllokut të banimit te Dogana në kryeqytet. Kryebashkiaku Basha i ka kërkuar dje qeverisë të mbajë premtimet duke bërë legalizimin e banesave në këtë zonë. “Uroj që me mbajtjen e këtij premtimi nga ana e Bashkisë, të nisë edhe premtimi i zotit Kryeministër për të përfunduar pa lekë legalizimin e atyre që s’janë legalizuar dhe për t’u kthyer lekët atyre që i kanë paguar ato”, u shpreh dje kryebashkiaku Basha. Këto deklarata ai i bëri gjatë nisjes së punimeve në këtë bllok banimi duke shprehur gjithashtu kënaqësinë e nisjes së urbanizimit të tij, që do t’u shërbejë 12 mijë banorëve të Tiranës. “Sot, bashkë me banorët e bllokut më periferik të Tiranës perëndimore, blloku që njihet si te Dogana, po mbikëqyrim nisjen e punimeve me një sipërfaqe prej 37 ha të këtij blloku, që do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së mbi 12 mijë banorëve, fëmijëve, të moshuarve dhe familjarëve të kësaj zone”, tha Basha. Ai shprehu kënaqësinë për nisjen e këtij projekti. “Ky në fakt është edhe përfundimi i urbanizimit të një blloku të ri të qytetit tonë, që përbëhet mbi 99% nga banesa të reja, të cilat kanë qenë subjekt i ligjit për legalizimin”, u shpreh kryebashkiaku Basha. Duke e konsideruar si një tjetër premtim të mbajtur para banorëve urbanizimin e këtij blloku banimi, kryebashkiaku Basha i kërkoi Kryeministrit të mbajë premtimin e tij për legalizim falas të këtyre shtëpive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura