Basha prezanton Voltana Ademin: T’i japim Shkodrës shansin të ecë përpara. Mungon Topalli (FOTO)

Apr 19, 2015 | 22:50
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar sot Voltana Ademin si kandidaturën zyrtare të selisë blu për zgjedhjet lokale të 21 qershorit për Bashkinë Shkodër. Basha tha se me zonjën Ademi “Shkodra do të dijë të ecë përpara drejt horizonteve të reja, të mirëqenies, taksave të ulëta, punësimit, zhvillimit e qytetarisë, ndonëse kjo nuk është një sfide e lehtë pasi varfëria, papunësia dhe pasiguria janë sot prezent në çdo cep të vendit”.
[portfolio_slideshow] 

Në fjalën e tij në sheshin para Bashkisë Shkodër zoti Basha apeloi: ‘T’i japim Shkodrës shansin të ecë përpara me qytetarët e saj drejt horizonteve të reja”.

Në ceremonine e zhvilluar sot ra në sy mungesa e ish nënkryetares së PD-se, Jozefina Topalli, e cila në disa aktivitete rradhazi nuk e ka shoqëruar kryetarin Basha në Shkodër.  

Basha e cilësoi Ademin si përfaqësuesen e denjë për të qenë kryebashkiakja e ardhshme e Shkodrës.

“Sot, dua t’u them votuesve të zhgënjyer të së majtës, në Shkodër e komunat përreth, që përveç një mijë e një arsyeve të zhgënjimit tuaj, papunësisë, premtimeve të pambajtura, faturave të fryra, çmimeve të rritura, pasigurisë, prerjes në besë, poshtërimit nga dyshja Rama-Meta, ne demokratët ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit dhe arsyeja tjetër se pse duhet të votoni e të bashkoheni me ne është bija e Shkodrës, përfaqësuesja e denjë e virtyteve më të mira të vajzave, nënave të Shkodrës, ekspertja e shquar e pushtetit vendor, drejtuesja e departamentit të pushtetit vendor në kryesinë e PD, zëri juaj i deritanishëm në Parlamentin e Shqipërisë që nuk e ka braktisur për asnjë moment Shkodrën, që e do Shkodrën, që është kujdesur për Shkodrën dhe shkodranët në detyra të ndryshme që i janë besuar dhe që nesër do kujdeset për çdo shkodran e shkodrane e do të luftojë për shkodranët si kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi”, deklaroi Basha”, tha Basha.

Kreu i PD ftoi qytetarët të bashkohen rreth ofertës së opozitës për punë dhe dinjitet dhe për t’i dhënë fund qeverisjes së oligarkëve në pushtet, siç u shpreh ai.

“Sot, jemi mbledhur këtu  për të filluar së bashku një aksion të madh politik që bashkon të djathtë e të majtë sepse zgjedhjet e 21 qershorit janë edhe një sfidë e madhe për çdo shqiptar, për çdo shkodran. A do të pranojmë të ulim kokën para horrllëqeve, arrogancës, poshtërimit, varfërisë dhe krimit që kanë sjellë Edi Rama e Ilir Meta; a do të pranojnë të djathtë por edhe të majtë të votojnë projektin e tyre të vazhdimit të shtypjes së qytetarëve, të shtrydhjes së xhepave të tyre, vetëm e vetëm që një grusht njerëzish në krye të kupolës të pasurohen përtej imagjinatës, me miliona e miliona euro pasuri, këtu por edhe të transferuara në konto sekrete jashtë Shqipërisë, të lidhura ngushtë me klanet e kartelet më të rrezikshme të drogës e narko-trafikut?!

Vota e 21 qershorit është një armë në dorën e çdo shkodrani e shkodraneje, është një armë në dorën e çdo shqiptari e çdo shqiptareje, për të ngritur kokën, për t’u thënë ndal oligarkëve, për t’u thënë oligarkëve Rama-Meta dhe kohortëve të tyre kriminalë se shqiptarët nuk e pranojnë këtë poshtërim, se Shkodra nuk e pranon këtë poshtërim. Ne do i ndalim me fuqinë e votës, në 21 qershor dhe do të bëjmë gati portën e largimit të tyre pas 21 qershorit, jo vetëm nga Shkodra, Tirana, Durrësi por edhe nga qeverisja e vendit”, tha Basha.

Sakaq në fjalën e saj zonja Ademi tha se do të punojë fort dhe me besnikëri për Shkodrën.

“Ne, ajo që i  ofrojmë qytetarëve tonë, banorëve të Shkodrës, është besnikëria, ne do punojmë me besnikëri, me besnikëri ndaj parimeve të shenjta tonat që i kemi në gen, që kemi punuar dhe jetuar fort me vite me shekuj, janë tek ne dhe mendoj që njerëzit, ju më shumë se askush, e dinë që vetëm kështu ne mund të bëjmë të mundur që ta çojmë rritjen e zhvillimin e Shkodrës më tej, ta bëjmë atë një qytet, një Shkodër me të gjithë banorët e saj, në Malësi, në Shkodër, në bregdet, në fushë, kudo duke shfrytëzuar burimet krahasimisht më të mëdha, më tërheqëse që kjo bashki ka për t’i kthyer në burimin tonë kryesor të rëndësishëm për njerëzit, me njerëzit, në shërbim të njerëzve për mirëqenien e tyre. Do ta bëjmë këtë me ju, ne do ta bëjmë bashkë. Shkodra është e jona dhe ne i përkasim Shkodrës.

Ne do ta bëjmë atë me besnikëri, do punojmë bashkë dhe do vazhdojmë bashkë  ta udhëheqim atë për të mirën tonë dhe të fëmijëve tonë, do bëjmë atë që të rinjtë e të rejat që jetojnë sot në Shkodër sikurse të rinjtë e Europës ta shohin të ardhmen e familjeve të tyre në Shkodër gjithmonë, në një qytet europian për të cilën ne tashmë e kemi nisur rrugën e zhvillimit.

Do ta bëjmë bashkë dhe do fitojmë, do fitojmë të gjithë bashkë, PD do të fitojë në Shkodër, njerëzit populli i Shkodrës, të gjithë ne dhe kështu do të bëjmë të mundur që të jetojmë në qytetin më të lumtur që kemi dëshiruar të kemi gjithmonë duke punuar fortë, me vetëmohim, përkushtim, dashuri dhe bashkë me njëri tjetrin duke ja dhënë krahun njëri tjetrit dhe duke punuar me njëri tjetrin duke u parë sy më sy, duke qenë të sinqertë dhe dukë e bërë këtë të mundur realitet. Vetëm kështu ne mund ta bëjmë”, tha Ademi. 

Kreu i opozitës akuzoi qeverinë si shkaktare të eksodit masiv të shqiptarëve drejt vendeve të Perëndimit:

“Rama-Meta janë tashmë të njohur për të madh e të vogël si njerëzit që premtuan vende pune por shkatërruan vende pune, si njerëzit që thanë se do të ulnin çmimin e energjisë por e rritën për të gjithë shqiptarët, si njerëzit që premtuan uljen e taksave për 97 % të shqiptarëve dhe i ngritën taksat për të gjithë, pra njerëzit që gatuan me duart e tyre, me papërgjegjshmërinë e tyre, me arrogancën e tyre, me mashtrimin që e kanë në shpirt e u lexohet në surrat krizën ekonomike, papunësinë dhe varfërinë që ka mbërthyer Shqipërinë cep më cep.

E keqja e dytë më e madhe është kjo. Tashmë që kriza ekonomike ka pllakosur dhe vetë shifrat e qeverisë nuk e fshehin dot, këta në vend që të reflektojnë, thonë se jemi në drejtimin e duhur, jemi në rrugën e duhur, thonë këta. Cila është rruga e duhur? Rruga e eksodit, ku shqiptarët 25 vjet pas eksodit historik të viteve ’91-’92 janë rikthyer përsëri në statistikat europiane si qytetarët me numrin më të madh të azil-kërkuesve në Europë, pas një vendi ku lufta civile po bën kërdinë, siç është Siria?!

Pse po ikin shqiptarët, pse po largohen shqiptarët, shkodranët, korçarët, krutanët, durrsakët, kuksiane, tiranasit, pse po largohen shqiptarët nga shtëpitë e tyre?! Pelivani kryeministër thotë se janë banda dhe organizata kriminale që e shkaktojnë këtë eksod. Dakord jam edhe unë. Por banda e ka emrin qeveria e Republikës së Shqipërisë, me në krye Ilir Metën e Edi Ramën. Është kjo bandë me banditë të rinj e të vjetër që ia doli dy vjet pas ardhjes në pushtet të rikthente eksodin;  ia doli të dyfishonte listat; ia doli të shpunësonte masivisht shkodranët e gjithë shqiptarët; ia doli të kthente krimin në sistem; ia doli të shkaktonte pasigurinë më të madhe që ky vend ka njohur që prej vitit të zi, 1997; ia doli të rikrijojë radhë të gjata të varfërisë e të dëshpërimit. Kjo është banda, kjo është organizata kriminale dhe askush tjetër përgjegjëse për eksodin dhe për çdo vuajtje të shkodranëve e shqiptarëve sot”, tha Basha.

Basha prezanton Ademin

Më herët Basha përmes një postimi në Facebook njoftoi prezantimin e Ademit. 

“Në Shkodër për të prezantuar kryetaren e re të Bashkisë, Voltana Ademin”, shkruan Basha në rrjetin social.

Statusi i Bashës në Facebook

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura