Basha: PD po zgjedh më të mirët, garanci për administratën nesër

Jun 30, 2014 | 12:06
SHPËRNDAJE

Kreu i PD, Lulzim Basha
Kryetari i Partisë Demok-ratike, Lulzim Basha, deklaroi nga Korça se sfida dhe qëllimi kryesor i zgjedhjeve që po zhvillohen në gjithë piramidën e selisë blu është të nxjerrim me votë të lirë  drejtuesit e fitores së nesërme. Duke folur në konferencën zgjedhore të degës, ai u shpreh se zgjedhja me votë të anëtarësisë e drejtuesve të partisë është një vlerë e jashtëzakonshme që anëtarët demokratë duhet ta përdorin me zgjuarsi dhe me përgjegjësi. Sipas tij, një parti me demokraci funksionale brenda saj, e cila dëgjon dhe respekton zërin e anëtarëve të saj, është garanci për funksionimin e saj në qeverisje dhe në raport me qytetarët shqiptarë. “Një familje politike që vendos qartë rregullat e demokracisë për funksionimin brenda vetes, një familje politike që zgjedh me votë të lirë më të mirët brenda vetes sot në opozitë, jep garanci se nesër në pushtet po kështu do të caktojë njerëzit më të mirë në postet publike dhe të administratës. Një familje që brenda vetes se vet i jep çdokujt mundësinë të shprehet, të shkëmbejë lirisht dhe në mënyrë të qytetëruar mendimet, të ndajë pikëpamjet me të tjerët,  të respektojë dinjitetin personal të çdo anëtari të PD-së, nga më i vjetri tek më i riu, nesër do të bëjë të njëjtën gjë në raport me shoqërinë, në raport me qytetarët”, u shpreh Basha në konferencën e degës. Duke u ndalur te qeverisja e vendit, ai tha se qeveria e sotme është e orientuar vetëm te propaganda dhe e ka zhytur vendin në krizë. Sipas kreut të demokratëve, ekipi i ri drejtues i PD-së do t’i japë një dimension të ri në alternativën e saj qeverisëse zhvillimit ekonomik dhe demokracisë pjesëmarrëse. “Të orientohemi sot në opozitë drejt kapaciteteve dhe mendësisë për të ndërtuar nesër një qeveri që është më shumë në punë sesa në TV, që prodhon më shumë rezultate se propagandë. Që do t’i japë dimension të ri demokracisë pjesëmarrëse, që do të projektojë duke filluar që tani drejtimet e reja të zhvillimit të vendit, në kushtet e hapjes dhe të konkurrencës me tregjet e BE”, deklaroi më tej Basha. Gjatë ditës së djeshme u zgjodhën drejtuesit e rinj edhe në tri degë të tjera, duke e çuar në këtë mënyrë në 23 numrin e degëve ku është zgjedhur kryetari i ri. Në degën e Krujës, Dragush Vogli fitoi me 90 vota kundrejt 40 votave që mori Gëzim Keqi. Në degën e Fushë-Krujës, Sabri Karaj mori 72 vota, ndaj 67 votave që mori rivali i tij Sabah Stafuka. Ndërsa në degën e Kurbinit, Altin Biba fitoi 192 vota, ndaj 29 votave që mori Isuf Xhaferri.

Zgjedhjet në PD
Dega Krujë
Dragush Vogli    90 vota
Gëzim Keqi    40 vota
Fitues Dragush Vogli

Dega Fushë-Krujë
Sabri Karaj    72 vota
Sabah Stafuka    67 vota
Sokol Ruka    3 vota
Fitues Sabri Karaj

Dega Kurbin
Altin Biba    192 vota
Isuf Xhaferri    29 vota
Islam Ismaili    21 vota
Fitues Altin Biba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura