Basha: Paligjshmëria dhe arbitrariteti qeveritar kanë sjellë një ekonomi në rënie dhe pasiguri

May 31, 2014 | 14:11
SHPËRNDAJE

TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar sot me zëvendëspresidenten e Europës dhe Azisë Qëndrore, Laura Tuck, me të cilën ka ndarë shqetësimin e opozitës për përkeqësimin e treguesve ekonomikë e fiskalë, për mungesën e transparencës dhe pasigurinë që ka krijuar në vend mossundimi i ligjit.

Duke iu referuar të dhënave financiare të këtyre 9-muajve qeverisje, Basha është shprehur se, rritja e nivelit të borxhit publik, rritja e pasigurisë, ndalja e investimeve publike dhe  intimidimi i investimeve private përmes arbitraritetit qeveritar dhe shkeljes së ligjit kanë kontribuar në rënien e rritjes ekonomike dhe shtimin e papunësisë.

Megjithë rritjen e taksave dhe akcizave, Basha tha se qeveria ka dështuar në objektivat e shpallura të mbledhjes së të ardhurave. Duke iu referuar vetë buxhetit dhe planit të ekzekutivit, që parashikon mbledhjen e 40 miliardë lekëve, faktet tregojnë se me ecurinë e derisotme nuk arrihet as gjysma e kësaj shifre.

Duke iu referuar raporteve të insitucioneve finaciare të cilat konstatojnë në vijimësi se ka rënie të kreditimit, konsumit dhe punësimit, kryetari i opozitës theksoi domosdoshmërinë e përballjes me realitetin dhe jo përhumbjen në propagandë apo falsifikim të të dhënave siç po bën aktualisht qeveria për konsum mediatik.

Në të kundërt, pasojat do të bëhen gjithmonë e më të rënda dhe të papërballueshme për qytetarët dhe vendin, theksoi zoti Basha. Shumë shqetësuese e cilësoi kryetari i opozitës edhe mungesën e transparencës nga ana e qeverisë përsa i përket vendimarrjes në tërësi dhe prokurimeve publike në veçanti, çka dëshmon për rritje të informalitetit dhe korrupsionit.

Basha informoi delegacionin e Bankës Botërore për shqetësimin që ka krijuar në vend shkelja e ligjit nga ana e qeverisë, dhe moszbatimi i vendimit të gjykatave. Duke u ndalur tek shkelja e Kushtetutës, në rastin e moszbatimit të ligjit për nëpunësin civil, Basha tha se pasojat ishin dramatike për vendin pasi mundësuan një spastrim masiv në administratë çka solli rreth 8 mijë burra dhe gra, specialistë e profesionistë që mbeten pa punë. 

Delegacioni i lartë i Bankës Botërore u njoh edhe me një tjetër zhvillim negativ për demokracinë në vend, që ka të bëjë me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për kapjen e institucioneve të pavarura. Përfaqësuesit e Bankës Botërore e vlerësuan shkëmbimin e informacionit dhe  pikëpamjeve me opozitën e vendit dhe u shprehën të gatshëm për të mbajtur një dialog të vazhdueshëm me Partinë Demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura