“Baroni” dy muaj në përgjim, s’u gjetën prova për arrest. Krimet e Rënda letërporosi Greqisë

May 13, 2016 | 15:30
SHPËRNDAJE

Urdhërarresti i Policisë dhe autoriteteve greke për Klement Balilin, të konsideruar si “baroni i drogës”, nuk ka mbërritur ende në Shqipëri. Kështu kanë thënë dje në orët e mbrëmjes burime të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.

Këto dy institucione, pasi kanë fajësuar njëritjetrin për mosveprim gjatë ditës, kanë pohuar se deri dje në mbrëmje nuk ishin njohur zyrtarisht me ndonjë urdhërarresti ndaj Klement Balilit.

Por, nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka një hetim të hapur për rastin dhe mësohet se ka nisur një letërporosi në Greqi ku kërkon informacion dhe prova.

Mësohet se letërporosia është dërguar në Greqi me kërkesën për informacion nëse ka të dhëna për shtetas shqiptarë të implikuar në linjën e trafikut të drogës mes dy vendeve.

klement-balili-2

HETIMI NË SHQIPËRI

Në fillim të marsit 2016, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mësohet se ka nisur një hetim për trafik të dyshuar droge mes Shqipërisë dhe Greqisë. Hetimi ka nisur mbi bazën e informacioneve të përcjella nga ana e Policisë së Shtetit.

Referimi mësohet se përmbante të dhëna të marra në rrugë operative dhe shumica e personave të dyshuar përmendeshin me nofka. Mes këtyre nofkave mësohet se ka qenë edhe një person i identifikuar si “Keli”.

Prokuroria, pasi ka marrë referimin e Policisë së Shtetit dhe ka nisur hetimet, ka arritur të identifikojë së paku dy numra telefoni në përdorim të “Kelit”.

Mësohet se për të paktën dy periudha, nga 15 ditë secila, personi i dyshuar është mbajtur në përgjim të rregullt për mundësinë e kryerjes së aktivitetit kriminal në lidhje me trafikun e drogës.

“Nga përgjimet e kryera dhe ndjekja e ecurisë së veprimeve të personit në fjalë nuk është arritur të dokumentohet ndonjë komunikim apo veprim i dyshimtë”, ka thënë dje një burim nga hetimi i çështjes.

ARRESTIMI

Burimet e Prokurorisë kanë pohuar dje se nga hetimi i nisur nga fillimi i marsit e në vazhdim nuk është arritur të gjendet ndonjë provë e mjaftueshme për arrestimin e personave të referuar nga policia për trafik narkotikësh.

Po kështu, burimet e akuzës thanë se gjatë mbajtjes së personave të dyshuar në përgjim nuk u arrit të identifikohet ndonjë veprim i tyre konkret në terren me lëvizje lënde narkotike, që mund të shërbente për organizimin e aksionit të kapjes në flagrancë.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka bërë me dije se veprimet kanë qenë të përbashkëta dhe Policia nuk ka pasur asnjë pengesë të veprojë me iniciativë në flagrancë, nëse ka konstatuar kryerjen e ndonjë vepre penale.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura