Barazon Tirana, xhindoset Rubio: Do të largoj 20 veta

Apr 30, 2012 | 13:21
SHPËRNDAJE

Një barazim që shuan çdo shpresë për Tiranës për titull. Bardheblutë, edhe pse ishin në avantazh, vetëm një minutë nga fundi çakordohen dhe për rrjedhojë vjen edhe goli i Shkumbinit. Me shifrat 1-1 u mbyll takimi i luajtur në “Selman Stërmasi”, rezultat që ka xhindosur Rubion. Me të drejtë, sepse fill pas gafës me Dinamon, erdhi dhe ajo me peqinasit, që i hoqi nga duart vendin e parë kryeqytetasve. Ndalja e Skënderbeut në Ballsh dhe ajo e Teutës me Kamzën u jepte shans për kreun 24 herë kampionëve të vendit. Por më kot, pasi këto llogari i merr era, pas barazimit kaq shumë të papritur me Shkumbinin. Kjo ka bërë që trajneri Hulian Rubio të xhindoset me lojtarët në dhomat e zhveshjes. Nervat ai i ka shprehur duke gjuajtur fillimisht murin me pëllëmbë dhe hedhur dy çanta me shkelm. Më pas u është drejtuar të tijve, sidomos titullarëve, si Sina, Dushku e Karabeci, por edhe të tjerëve për atë çka dhanë në fushën e lojës. “U bëmë gazi i botës, më vjen turp të shkoj në shtëpi, pasi nuk di çfarë t’u them njerëzve që do të më pyesin për atë që ndodhi. Gabuam me Dinamon, por ajo iku, mirëpo me Shkumbinin nuk mund të falet. Tashmë do të ishim të dytët, me një pikë më pak. Po të qëndroj vitin tjetër, do të heq 20 prej jush, qofshin titullarë apo të rinj, për mua pak rëndësi ka”, mësohet të ketë thënë Rubio.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura