Banorët e “Kodrës së Priftit” në protestë, kërkojnë rikthimin e projektit fillestar të Unazës së Madhe: Kanë toka bosh, pse do na prishin shtëpitë

May 3, 2022 | 10:39
SHPËRNDAJE

Banorët e zonës së “Kodra e Priftit” në Tiranë kanë zhvilluar këtë të martë një protestë kundër prishjes së banesave të tyre si pasojë e devijimit të Lotit të 4 të Unazës së Madhe.

kodra e priftit

Në një prononcim për mediat, banorët janë shprehur se prej vitesh kanë bërë kërkesë për legalizim të shtëpive dhe se Bashkia por dhe ARRSH i kanë garantuar se nuk do të preket asnjë prej banesave, ndërkohë që sot u thonë që ato do të prishen.

Banorët kërkojnë devijimin e rrugës në një tokë bosh aty pranë, sipas projektit fillestar.

Por sipas tyre qeveria nuk pranon që segmenti rrugor të devijohet në parcelën bosh pasi ajo është në pronësi të një oligarku.

“Këtu kemi një tokë bosh. Nuk kemi ne pse të kërkojmë dëmshpërblimin, kur këtu ka një tokë bosh. Apo është e një oligarku ajo dhe nuk e prekin dot. Ne kemi shtëpinë tonë. Të dëmshpërblejë këto 7 shtëpi dhe të devijohet rruga”, tha banori.

Një tjetër protestuese tha: “Unë  e kam blerë tokën me lekë edhe nuk e mora kështu, por e mora në atë gropën atje, ne s’jemi aq budallenj. Shpirti im e di, tham se do legalizoheshim edhe ne. 22 vite pa u legalizuar. Me vjen keq që dëgjova Veliaj që sa të jem unë dhe Rama rrugët nuk ndryshojnë. Po mirë kur ia dhamë votën i pëlqeu atij? E mori çunin të mbledh njerëzit. Na premtoi se me garanci do të dëmshpërbleheni, ua jap me garanci, si nuk na ka ardhur një njëri. Nuk e di si e vlerësojnë ato, kur jam ankuar te avokati i popullit, dhe më kanë sjell letrën që më kap rruga. Ne duam që projekti të shkojë ku ka qenë. Vota nga ne nuk presim më. Edhe kalamajtë që janë kokë e këmbe më Edi Ramën mos ta votojnë”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura