E ardhmja e futbollistëve të Interit/ 5 kampionë, me valixhe në duar

May 5, 2024 | 8:46
SHPËRNDAJE

Faleminderit dhe mirupafshim. Faleminderit në fakt thjesht në formë mirësjelljeje që ishin pjesë e kësaj skuadre, por jo për kontributin e dhënë në fitoren e titullit kampion në këtë sezon. Disa prej kampionëve të sapo shpallur me skuadrën e Interit do të largohen nga klubi zikaltër në përfundimin e këtij sezoni.

inter

 

Dëmtimet e shumta, mundësitë e pakta që kanë pasur në dispozicion për të mos treguar vlerat e tyre, kanë bërë që së bashku të merret vendimi për të ndarë rrugët. Aleksiz Sançez do të largohet pasi Interi mendon të afrojë lojtarë më të rinj në repartin e avancuar.

Kontrata e tij skadon dhe nuk ka ndërmend që të rinovojë më me zikaltrit. Sançez është një kampion i madh, por sigurisht që edhe ai ka kërkuar më shumë minuta. Të njëjtin fat do të kenë edhe 2 lojtarët e tjerë që më së shumti kanë qëndruar në infermieri: Stefano Sensi dhe Huan Kuadrado. I fundit erdhi me bujë nga Juventusi, por zikaltrit nuk i shijuan dot driblimet dhe shpejtësinë e tij në krahun e djathtë.

Sensi patjetër që pritej të largohej, sepse dëmtimet e njëpasnjëshme nuk e lanë të tregonte versionin e tij më të mirë. Po ashtu edhe Davi Klasen dhe Emil Audero do të përshëndeten me zikaltrit. Shumë pak ndeshje në dispozicion për ta, edhe për faktin se Simone Inzagi është një trajner që nuk hoqi dorë shpesh nga formacioni titullar dhe u besoi të njëjtëve lojtarë. Ka një dritare për qëndrimin e Auderos, por varet nga e ardhmja e Bentos.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura