Banka ul normën e interesit, zhvlerëson lekun

Sep 30, 2011 | 10:35
SHPËRNDAJE

Banka Qendrore ka ulur me 0.25% normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin më të ulët historik, prej 5 për qind. Guvernatori e argumentoi uljen me përgjegjshmërinë që po karakterizon politikën fiskale dhe me uljen e presioneve për rritjen e inflacionit. “Lehtësimi i politikës monetare synon të krijojë kushte monetare të përshtatshme për përmbushjen e objektivit afatmesëm të inflacionit, si dhe të nxitë aktivitetin ekonomik nëpërmjet stimulimit të konsumit dhe të investimeve në vend”. Efekti kryesor që pritet të sjellë ulja e normës bazë të interesit është zhvlerësimi i lekut. Vendimi i Bankës pritet të shoqërohet me uljen e interesit të kredive dhe depozitave. Kjo do të sjellë, të paktën teorikisht, rritjen e kredive, pasi janë më të lira, dhe si rrjedhojë investimeve dhe konsumit. Konsumi është pika kryesore që ka synim kjo politikë e Bankës. Në fjalën e tij Fullani theksoi se konsumit privat vijon të vuajë nga pasiguria e perceptuar nga familjet shqiptare, duke i shtyrë ato të rritin normën e kursimit, megjithëse të ardhurat agregate shfaqen në rritje. Ecuria e investimeve private vlerësohet të ketë qenë e ngadaltë në periudhën në fjalë, por ajo ruan norma pozitive rritjeje. “Ky opinion mbështetet nga ecuria e mirë e investimeve të huaja direkte, të cilat shënuan një rritje prej 38%, gjatë tremujorit të dytë, dhe rritja e importit të mallrave kapitalë, të cilët sugjerojnë një rritje të investimeve private në ekonomi. Megjithatë, kjo rritje

Grafiku i ndryshimit te normes se interesit

kushtëzohet nga fakti se shumë biznese janë duke operuar nën kapacitetet e tyre prodhuese, duke kufizuar nevojat e tyre për investime të reja”. Pra, qartësisht ka rritje të depozitave dhe hezitim për kreditim. Ulja e interesit pritet të lehtësojë kreditimin, si rrjedhojë, dhe të rrisë konsumin dhe zhvillimin ekonomik. Nga ana tjetër, e vetmja pikë rreziku, që është rritja e inflacionit, sipas parashikimeve të Bankës nuk pritet të ndodhë. Por, ulja e interesit pritet të bëjë më pak joshëse depozitat, pasi ato do të sjellin më pak të ardhura. Duket se problem i bankave sot është edhe rritja e depozitave. Rritja e depozitave është më e madhe se sa rritja e kredive. Për këtë arsye, Fullani kërkoi dje që bankat të jenë më aktive në kreditimin e ekonomisë. “Ndonëse sistemi bankar ka lehtësuar kushtet e financimit, Banka e Shqipërisë gjykon se ka ende hapësira për përmirësimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në funksion të kredive për zhvillimin e investimeve private”.
Bankat
Duke folur për bankat, Fullani nënvizoi se rreziku kryesor ndaj tyre është përkeqësimi i portofolit të kredive dhe ndryshimi i kursit të këmbimit. Por, duket se problemi afatshkurtër i bankave është kapitali. Të paktën kjo lihet të kuptohet nga kërkesa e shpejtë që i është bërë bankave për rritjen e kapitalit të aksionerëve. “Në një afat më të shkurtër, Banka e Shqipërisë vlerëson dhe ka kërkuar që sektori bankar duhet të fuqizojë kapitalizimin e veprimtarisë, nëpërmjet rritjes së kapitalit nga aksionerët. Procesi i forcimit të treguesve të kapitalizimit në sektorin bankar përfshin krijimin e madhësive të mjaftueshme të kapitalit mbi nivelin minimal të kërkuar. Procesi vijon të ecë sipas përcaktimeve në komunikimin që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar me sektorin bankar. Si rezultat i këtyre masave, sektori bankar do të mbetet i qëndrueshëm dhe do të krijojë kushtet për rritjen e kontributit të tij në zhvillimin ekonomik të vendit”.

Gati paketa që redukton 60 taksa për biznesin
Shumë shpejt do të fillojë puna për reduktimin e 60  taksave të bizneseve. Paketa fiskale do të diskutohet në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak. Kryebashkiaku Lulzim Basha, i pranishëm në Panairin Ndërkombëtar të Mobilierisë, premtoi se kryeqyteti do të jetë qendra më atraktive për biznes në rajon. “Askush të mos mendohet gjatë para se ta vendosë gishtin te Tirana, si qyteti më i favorshëm për të bërë biznes. Pikërisht për këtë arsye, pas dy javësh do t’i paraqes Këshillit Bashkiak të Tiranës platformën time të lehtësimit të barrës fiskale dhe me një vendim të Këshillit Bashkiak pres të lehtësojmë barrën fiskale të biznesit të Tiranës nga 60 taksa dhe tarifa vendore”, tha kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha. Ai shtoi se do  të stimulohen investimet dhe veprimtaritë tregtare, duke hequr plotësisht taksa për një periudhë 4-vjeçare, për cilindo biznes që premton angazhim për hapjen e 50 apo më shumë vendeve të reja të punës. Vitin që vjen, Bashkia e Tiranës do të akordojë një fond prej 500 mijë eurosh për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, vizitoi dje, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, mozaikun e Tiranës, monumentin më të vjetër të qytetit. Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës do të hartojë një program rehabilitimi me financime, jo vetëm për t’i ruajtur, por edhe për t’i bërë këto vlera pjesë të Tiranës turistike. “Sot është Dita e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare dhe ne gjendemi në një monument shumë të vjetër të trashëgimisë kulturore kombëtare të Tiranës, siç është Mozaiku i Tiranës”, tha Basha.

Hapësirat
Bashkia e Tiranës bëri publik planin e masave, i cili parashikon 5 faza të ndërhyrjesh. Faza e parë ka të bëjë me lirimin e hapësirave publike të zëna nga 84 subjekte, të cilat kanë refuzuar të paguajnë detyrimet fiskale. Më tej do të ndërhyhet me lirimin e hapësirave publike nga 151 kioska dhe subjekte pa leje. Faza tjetër parashikon lirimin e hapësirave publike nga 107 automjete të palëvizura në rrugë. Dy fazat e fundit të ndërhyrjes kanë të bëjnë me lirimin e hapësirave publike nga 431 tregtarë ambulantë dhe  lirimin e hapësirave publike nga të gjitha subjektet e tjera tregtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura