Banka Botërore pesimiste për rritjen ekonomike të vendit

Jan 8, 2016 | 12:48
SHPËRNDAJE

Për këtë vit Banka Botërore projekton rënie në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Në raportin e publikuar dje pas rishikimit të të dhënave, Banka Botërore ndryshon parashikimet për rritjen ekonomike me ulje 0.1% nga çka u tha në qershor. Gjashtë muaj më parë, rritja ekonomike u parashikua 3.5%, kurse tani Banka Botërore parashikon se viti do të mbyllet me rënie të ekonomisë.

the world bank

Për vitin 2016, rritja ekonomike do të jetë 3.4%. Për vitet 2017 dhe 2018 raporti parashikon që rritja ekonomike do të jetë 3.5%. Pra, e thënë ndryshe, për dy vitet e ardhshme rritja ekonomike nuk do të ketë asnjë ndryshim. Shqipërisë, sipas raportit të Bankës Botërore për rritjen ekonomike të ngadalësuar, vazhdojnë t’i mbeten sfidë reformat që mbështesin investimet nga biznesi.

bb


Kjo do të sillte që ekonomia të rriste prodhimin dhe t’u siguronte më shumë të ardhura qytetarëve.

“Në një kontekst të rritjes së ngadalësuar, reformat strukturore synojnë të adresojnë pengesat në anën e ofertës dhe nxitjen e rritjes potenciale. Programi i reformave mund të ndihmojë për përcaktimin e investitorëve që mbështesin rritjen ekonomike. Zbatimi i reformave mbetet një sfidë, përfitimi i tyre ndihet në planin afatmesëm dhe afatgjatë, por, nga ana tjetër, ato luajnë rol në adresimin e dobësive”, thuhet në raport.

DEFICIT NË TË ARDHURAT

Banka Botërore e klasifikon Shqipërinë në vendet që pas vitit 2008 ka pasur deficite të konsiderueshme buxhetore. Për përmirësimin e situatës rekomandohet konsolidimi fiskal, pra, në mbledhjen e të ardhurave në mënyrë që të krijohen hapësirat për ndërhyrje fiskale.

Për sa i përket politikës monetare, Banka Botërore vlerëson qëndrueshmërinë e saj. Për sa u përket të ardhurave të emigrantëve, vlerësohet se ato vazhdojnë të jenë burimi kryesor i rritjes ekonomike. Të ardhurat e emigrantëve mbeten burimi kryesor për rritjen ekonomike, sipas Bankës Botërore.

Për Shqipërinë të ardhurat nga emigrantët zënë 7% të prodhimit të brendshëm bruto. Për Ballkanin Perëndimor nivelin e të ardhurave të emigrantëve e ka Kosova me 10% të prodhimit të brendshëm bruto, e ndjekur nga Moldavia dhe Shqipëria. Në raport për vitin 2016, ekonomia globale parashikohet të rritet 2.9%.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura