Banka Botërore: Kujdes me favorizimet e taksave, nxisin evazion

Nov 17, 2017 | 13:10
SHPËRNDAJE

Banka Botërore i rekomandon qeverisë që me paketat fiskale të mos favorizojë sektorët në uljen e taksave. Kryeekonomistja e Bankës Botërore vlerëson se favorizimet fiskale rrisin evazionin.

tatimet

“Zbatimi i paketës fiskale mund të ketë sfida, duke pasur parasysh se qeveria me anë të paketave fiskale, kërkon të nxisë sektorë të caktuar. Nga studimet që janë bërë dhe nga eksperienca që kemi, nuk mendojmë se duke dhënë favore të trajtimit nga taksat mund të nxitet një sektor i caktuar përtej nivelit që ai mund të nxitet, duke krijuar kushte të mira të zhvillimit të biznesit dhe duke përmirësuar qeverisjen, kuadrin ligjor dhe kuadrin rregullator. Dhënia e favoreve fiskale mund të shtyjë shumë biznese të riklasifikojnë nominalisht aktivitetin e tyre dhe kjo është një eksperiencë që shumë vende e kanë dhe nxit evazionin”, u shpreh Shijaku.

Më herët, qeveria miratoi edhe uljen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël, nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë. Për Bankën Botërore, edhe ulja e TVSH-së duhet të niset nga një analizë e mirë e kostos dhe e përfitimit.

“Të merren parasysh përfitimet në rritje të të ardhurave, por edhe kostot në drejtim të barrës administrative të mbledhjes së taksave dhe kapaciteteve ekzistuese për ta përballuar, si dhe të barrës raportuese të biznesit. Mendojmë se kuadri i taksave ka ende vend për thjeshtëzim e transparencë dhe kuadri i taksave të jetë sa më shumë stabël e sa më pak i ndryshueshëm dhe normat e aplikuara si kufi të jenë më të unifikuara”, tha Shijaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura