Ballkani Perëndimor, oborri ballor i Europës

Oct 16, 2019 | 10:45
SHPËRNDAJE

 

VALBONA ZENELI & ZORAN NECHEV Zeneli_Valbona

 

Askush në Europë nuk përfiton nga një Ballkan i paqëndrueshëm dhe historia e ka treguar këtë më shumë se një herë. Integrimi euroatlantik i rajonit ka qenë mekanizmi kryesor për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë në oborrin e përparshëm të Europës. “Europianizimi” i një rajoni të trazuar ka kërkuar reforma të forta strukturore dhe “karota” e anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE) është përdorur për të motivuar e nxitur elitat politike në transformimin pozitiv të vendeve të tyre.

Në ditët e ardhshme, Këshilli Europian do të marrë një vendim të rëndësishëm në lidhje me të ardhmen e integrimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hapja e negociatave të pranimit me këto dy vende do të injektonte siguri dhe parashikueshmëri në rajon. Ndërsa nga njëra anë është e rëndësishme që këto vende të shpërblehen për përpjekjet e bëra deri tani, është edhe më thelbësore që negociatat të hapen për t’u hapur rrugën reformave të ardhshme e më të vështira, nën kujdesin dhe kushtëzimin e BE-së. Kostoja e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen dhe sistemin e vlerave europiane është shumë më e ulët sesa mbajtja e këtyre vendeve në distancë.

Se në çfarë drejtimi do të shkojë në të ardhmen Ballkani Perëndimor, varet si nga vizioni gjeopolitik i BE-së, ashtu edhe nga vullneti politik në rajon, për të ndërmarrë reforma serioze demokratike. Tashmë ka ardhur koha që liderët në rajon të tregojnë seriozisht se kanë ndërmend të mbajnë kursin drejt Perëndimit, jo vetëm fjalë, por me vepra.

BE gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet e angazhuar në Ballkan. Është donatori më i madh, partneri më i madh tregtar, si edhe investitori më i madh i huaj në rajon. Në shkurt të vitit 2018, Komisioni Europian publikoi një strategji premtuese për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor, e shoqëruar edhe me gjashtë nisma kryesore për zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor të rajonit. Pas shumë viteve “lodhjeje nga zgjerimi” që mbizotëronte në vendet dhe institucionet e BE-së, dukej se strategjia e re i dha një shtytje pozitive optimizmit në rajon, i prekur tashmë nga “lodhja e reformave”. Sidoqoftë, entuziazmi fillestar u zbeh shpejt. Në qershor 2018, Këshilli Europian shtyu procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi përçarja brenda BE-së për sfida si imigracioni, Brexit dhe të tjera e larguan vëmendjen politike nga çështja e zgjerimit përsëri.

Aktualisht, do të ishte e gabuar të supozohej se çmimi i angazhimit të BE-së në rajon është i ulët. Nëse kredibiliteti i BE-së do të vihej në diskutim, duke mos hapur negociatat e pranimit me këto dy vende dhe rritur asetet politike në Ballkanin Perëndimor, forca e BE-së për të aplikuar një kushtëzim rigoroz mbi qeverisjen e mirë do të zvogëlohej. Kjo do të krijonte një boshllëk të madh të fuqisë perëndimore dhe vendet e rajonit do të fillonin të çorientoheshin në kërkim të partnerit dhe orientimit të ri strategjik.

Në vitet e fundit ka pasur një rritje të pesimizmit për sa i përket perspektives europiane të Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2019, vetëm 56 për qind e popullsisë e shikojnë anëtarësimin në BE me një optimizëm “të kujdesshëm”, ndërsa pesimistët ekstremë që e shohin negativisht integrimin në BE mbeten në numra të lartë, sidomos në Serbi (21%), Bosnjë dhe Hercegovinë (17%) dhe Mal të Zi (15 %).

Nisur nga tranzicioni i pafund në rajon, përçarjet e vazhdueshme politike dhe etnike, tendencat e reja shqetësuese të përkeqësimit të proceseve demokratike, por edhe aktorët e rinj të influencës në Ballkanin Perëndimor, BEsë i duhet të zbatojë një qasje të re gjeopolitike drejt rajonit.

Lajmi i mirë është se Presidentja e re e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tashmë ka bërë të qartë se komisioni i ri do të angazhohet të veprojë gjeopolitikisht, në një botë në të cilën konkurrenca midis fuqive të madhe po behet gjithnjë e më e dukshme. Vitet e fundit është rritur ndërhyrja agresive e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duke pasur si qëllim rritjen e kostove të integrimit të vendeve rajonit në NATO dhe BE, duke vepruar si një përfitues që shfrytëzon dobësitë e brendshme politike dhe ekonomike të rajonit.

Një lojtar i ri në rajon që nuk duhet të anashkalohet është edhe Kina, për të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishin të lehta për t’u influencuar. Me “paratë e saj të shpejta”, e gatshme për të shpenzuar me qëllim përfitimin e kontrollit ekonomik dhe gjeopolitik në Europën Juglindore, projektet kineze mund të harmonizohen lehtësisht me ciklet politike të qeverive të rajonit, e për këtë arsye të ishte e mirëpritur. Tërheqja shqetësuese drejt borxheve shumë të larta, ulja e standardeve mjedisore dhe të punës, shtytja e korrupsionit të përhapur gjerësisht dhe mungesa e transparencës do të ishte e dëmshme për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Aktivizimi diplomatik dhe ekonomik në rritje i Pekinit në rajon është ndihmuar edhe nga skepticizmi, nëse vërtet BE-ja do të mund të formulonte një pozicion të përbashkët për strategjinë drejt Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, aleancat e mundshme midis Pekinit dhe Moskës nuk duhet të anashkalohen, duke pasur parasysh se të dy këta aktorë kanë një të përbashkët të madhe, narrativen antiperëndimore.

Është e qartë se procesi i anëtarësimit në BE për vendet e rajonit ka nevojë për rigjenerim, pasi qasja aktuale nuk po jep rezultatet e pritura. Vetëm një vështrim drejt Malit të Zi dhe Serbisë është i mjaftueshëm për të mbështetur këtë pretendim. Këto vende kanë filluar procesin e negociatave me BE-në, respektivisht në vitin 2013 dhe 2015, dhe në rastin më të mirë, nëse marrin parasysh Malin e Zi, është ende në gjysmë të rrugës. E tillë periudhë kohore ishte e mjaftueshme që Kroacia ta përfundonte të gjithë procesin e negociatave me BE-në.

Perspektiva është thelbësore. BE e ka mundësinë, si edhe interesin e fortë që t’i hapë rrugë një momenti pozitiv dhe afatgjatë për të gjithë rajonin. Ky do të ishte edhe momenti më i mirë që BE të angazhohej seriozisht në çështjen e zgjerimit, pasi sondazhet brenda BEsë tregojnë një rritje të madhe të besimit dhe optimizmit për më shumë se 61 për qind të qytetarëve europianë drejt BE-së. Këto janë rezultatet më të mira që prej vitit 2014. Në këtë situatë, vendet anëtare të BE-së do duhej të drejtonin debatin publik në lidhje me politikat e zgjerimit, duke i dale përpara çdolloj politizimi të mundshëm. Debati i brendshëm duhet të orientohet drejt çështjeve të vlerave europiane, rregullave të qarta perëndimore, mirëqeverisjes dhe mbështetjes së zhvillimeve demokratike në shtetet kandidate.

Mungesa e vendimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e afërme të Këshillit apo çdo shtyrje tjetër eventuale do të dërgonte një mesazh të dëmshëm në të gjitha vendet e rajonit. BE duhet të përmbushë angazhimet e saj dhe të japë kredite aty ku i takon t’i japë, por në të njëjtën kohë të rrisë kushtëzimin për reforma mirëqeverisëse. Dështimi i shpërblimit të çdolloj progresi objektiv, do të dëmtonte besueshmërinë e BE-së në të gjithë rajonin dhe më gjerë.

Nëse BE nuk do të shkojë në Ballkanin Perëndimor me mjetet dhe investimet e saj për transformimin demokratik të rajonit, për ta afruar atë me vlerat dhe institucionet e saj, atëherë qytetarët e Ballkanit do të vazhdojnë të shkojnë në BE si emigrantë ekonomikë.

Duke parë drejt së ardhmes, duhet të merren parasysh edhe pasojat e “paparamenduara”, që mungesa e njohjes së vlerës së marrëveshjes historike midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë do të kishte për çështje të tjera të ndjeshme dypalëshe rajonale, ku më sfiduesja është ajo midis Kosovës dhe Serbisë. Çdolloj rënie e mëtejshme e besimit ndaj BEsë do të ndihmonte konkurrentet gjeopolitike të perëndimit, që të rrënjoseshin në rajon, në pragun e Europës. Pra, Ballkani Perëndimor nuk duhet parë më si oborri i pasmë (backyard) i BE-së, por ai ballor (frontyard). Skenarët e mundshëm për të ardhmen e rajonit janë të qartë e do të varet vetëm nga vizioni i BE-së, se në cilin drejtim do të shkojë Ballkani Perëndimor. Një narrativë e re e BE-së është e nevojshme që të kultivohet nga Komisioni i ri Europian, për ta spostuar debatin nga zgjerimi tek unifikimi i Europës dhe integriteti i saj kontinental.

Ky artikull është botuar në The Globalist dhe Affari Internazionali

Dr. Valbona Zeneli është drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”.

Zoran Nechev është drejtor i Qendrës për Integrimin Europian në Institutin për Democracy “Societas Civilis”, (ISSCS)në Maqedoninë e Veriut.

Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorëve dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të “Marshall Center” dhe të qeverive të SHBA dhe Gjermanisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura