Bajatllëk, mjerim dhe një gjitholog për KM!…

Dec 9, 2019 | 11:01
SHPËRNDAJE

ARTUR ZHEJI Artur-Zheji

I di të gjitha, Ay! Kur dhe ku ndërtohet në mënyrë pastërmetore. Di të puthë e të ndukë faqet e popullit, të përlotet, të flasë e përsëri të flasë… Të konsumojë ekzistencën e tij të përditshme në sy të popullit dhe për popullin. Ay di të ndërtojë dhe të shkatërrojë me dinamit, di të drejtojë qeverinë, partinë, por edhe inxhinierët, edhe sizmologët, edhe muratorët, edhe çdo frymor, pavarësisht ustallëkut që njeh.

Sepse Ay, Kryeministri i përjetshëm e mjekërkaçurrel dhe poturegjerë (plaçkë e pagjetshme në çdo treg kjo gjëja e gjerë lart dhe e tubuar poshtë…), është ay që është…

(Sepse, poturet alla ushtarake si të Luftës së Parë Botërore, ose përndryshe qillotat dhe kapellua alla Lenin e së gruas, e rilindur edhe ajo, janë mëvetësira të çmuara e të pagjetshme për “the people” apo ndryshe “pabuksat” e shumtë adhurues…)

Ay, pra, gjithologu i gjithëpërgatitur, tashmë edhe tërmetolog e posttërmetolog me nam (Ej!…Çfarë fati i madh e zuri Arnautllëkun, po Arnautllëku ende nuk e di!), ka lëçitur, ka kënduar e ka përvetësuar, ndërkohë, papiruset dhe librat më të thellë e më pusoologjike (pus të thella me demek, jo gjë tjetër, mos u ngatërroni me anglishten…), e shumëvëllimesh, të gjithologjisë shqiptare si dhe asaj të gjithologjisë mbarë botërore.

Libra të trashë e fijetrashë apo fijehollë, të zvjerdhur apo të ndryshkur, që nga koha e Nastradinit, Nostradamusit, Haxhiqamilit, Esat Pashë Toptanit, Zogollit, Enver Hoxhës…

Por, Ay, së fundmi, shfleton edhe kryeveprën e vetëshkruar dhe të vetëkënduar e të vetërecituar gjithologjike, “Shqipëria e Rilindjes posttërmet, 26 Nëntuer 2019…”, volume këto, që do ta fusin në Historinë e Shqipërisë si kryegjithologu i të gjithë kohërave që ishin dhe i gjithë kohërave (me vranësira ose pa vranësira) që pritet të vijnë…

“Një mësues vizatimi me 8 klasë fillore” e mbiquan dikush (apo “Avokati” si e mbiquan shumica këtë burrë, dikur Mentori i tij flokëbardhë!…)

Por gabim të madh bën, kush e thotë dhe kush e besoi këtë paradigmë denigruese.

Sepse gjithologu, gabimisht edhe Kryeministër i fshatit të shqiptarëve jugorë, thirrur ndryshe edhe Arnautllëk apo Shqipëri, ka shpikur “kamerat pas-menderjesore” (për të mos thënë kamerat pasbythore), që bëjnë realitete të reja e përmbysin të vjetrat.

Që e ndjekin, kamerat pasbythore, pra, gjithkund ku ai lëviz menderjen, në “zgjidhje” të halleve të mëdha pastërmetore e mbarë arbërore.

Sepse pavarësisht që gaboi pakëz njëherë dhe nuk ia fërshëlleu tërmetit të 21 shtatorit, sepse ishte shumë i zënë me hartimin shterues dhe ujëtëzinxjerrës të “Platformës AntiKëçëkëiste”, e kapi 26 nëntori të dehur nga asgjëbërja e tij e përditshme.

Porse kamerat “pasby” (shkurtim i “kamerave pasbythëse”) na rrëfejnë fuqinë magjike të kokëkruajtjeve të tij!

Kokëkruajtje këto, të vazhdueshme dhe të herëpashershme (gjithmonë me dorën e majtë), porse thelbësore për zgjidhjen dhe në zgjidhjen e habitshme që ato kruarje bëjnë, dhe madje që edhe një kruarje e vetme në gjithë planetin mund të bëjë, për të zgjidhur të pazgjidhshmet halle.

Kamerat moderne të tipit “PasBy”, e dëshmojnë bujarisht këtë ves mrekullibërës, që e ndih gjithologun e parë të zgjidhë çdo ekuacion e pandehmë mbi dhe. Mjafton të kruajë me thonj anën e majtë të Çafkës (lexo Kafkës) së tij thinjoshe…

E kam thënë shpesh, e përsëri do ta përsëris po shpesh, në emër të së Vërtetës: në vetvete dhe sidomos për vete, gjithologu, rastësisht edhe Kryeministër, është rob interesant, si aktor, si piktor dhe si “parlator” (lexo “fjalëthënës”), kush thotë ndryshe: “Mos u gdhiftë!”.

Por nuk mjafton kjo, pavarësisht çfarë na rrëfejnë kamerat e shumta të televizioneve të shumta “Pasby” (lexo e mos harro “Televizionet pasbythore”), që ndjekin e shfaqin gjithkund ku e kur Ay, Kryeministri, lëviz menderen e tij të rëndësishme…

E do të mbetet fshati Arnautllëk, një arenë cirku apo një skenë teatri, ku Ay, gjithologu Kryeministror, do na rrëfejë e do na gajasë me barcaleta në mes të acarit të ftohtë posttërmetor.

Dhe populli do, s’do, do të ngrohet kështu, veç me fjalët e tij pambarim, gjithmonë e më shumë pa kuptim, pa zgjidhje dhe pa përmbajtje.

Mjerë Arnautllëku posttërmet për gjithologun që ka për haje groshë bajate, mëngjes,
drekë e darkë…
Ku ishim?
Asgjëkund!
Ku jemi?
Le të na e thonë kamerat “Pasby” me cilësi të lartë…

360grade

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura