Babai në gjykatë: Vrava djalin, isha i dehur

Sep 30, 2011 | 11:49
SHPËRNDAJE
Shtëpia e familjes Lulaj, ku ndodhi vrasja

SHKODER- “Nuk doja ta vrisja djalin tim, por vetëm ta trembja. Të dy ishim të dehur, ndaj dhe vrasja erdhi në mënyrë të pavetëdijshme. Në debat e sipër nuk e di si shkrepi arma. Nuk e di si ndodhi…”. Kështu është shprehur dje para trupit gjykues shtetasi Marash Lulaj, gjatë seancës gjyqësore në ngarkim të tij për caktimin e masës së sigurisë, nga ku u vendos arresti me burg. Ai akuzohet se tri ditë më parë ka vrarë me armë zjarri djalin e tij 27-vjeçar, Eduard Lulajn, ngjarje kjo e ndodhur në fshatin Stërbeq të komunës Qendër, në Malësi të Madhe. Para trupit gjykues, 60-vjeçari Lulaj shprehu pendesë për krimin e rëndë brenda familjes. “Nuk doja ta vrisja Eduardin, por ishim të dy të dehur. Mora çiften vetëm për ta trembur, por ja ndodhi”, është shprehur Lulaj. Mësohet se 60-vjeçari ka pësuar tronditje të thellë pas vrasjes së djalit të tij. Ai akuzohet për veprat penale “vrasje me dashje” dhe “mbajtje të armëve të gjahut pa leje”. Ngjarja ndodhi tri ditë më parë, teksa babë e bir ishin ulur për të ngrënë drekë. Në debat e sipër, i zoti i shtëpisë ka marrë armën duke qëlluar djalin e tij, të cilin e ka lënë të vdekur në vend. Ndonëse ngjarja ka ndodhur në gjendje të dehur, mësohet se marrëdhënia mes tyre kishte qenë mjaft e acaruar, pasi 27-vjeçari i kishte dhënë fund fejesës së tij. I ati i kishte kërkuar me ngulm të ndryshonte këtë vendim, pasi sipas tij ai e kishte koritur.                                            r.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura