Babai i të arrestuarit për vrasje: Im bir, i pafajshëm

Nov 2, 2012 | 13:15
SHPËRNDAJE
Prindërit e të arrestuarit për vrasjen e rojes së kazinosë

Në familjen e Edison Kodrallit gjithçka është rrethuar nga tmerri i lajmit se 35- vjeçari është autori i vrasjes së bujshme të Et’hem Hënës.
Por, në fakt, askush nuk arrin ta pranojë këtë fakt, as babai, as nëna dhe as motrat e kunetërit e Edisonit. Babai i tij, Safeti, një i moshuar i cili përlotet teksa flet, tregon se djali i tij u ka rrënuar ekonominë familjare duke luajtur vazhdimisht kumar, por nuk është i aftë për diçka të tillë. Sipas 70-vjeçarit, djali i tij nuk ka dalë nga shtëpia gjatë orëve të natës, kohë në të cilën policia pretendon të jetë kryer krimi.
Si e keni pritur lajmin?
Tmerr! Po ma torturojnë djalin dhe ne bashkë me të, por unë jam i bindur që ai është i pafajshëm. Na kanë tmerruar me atë që thonë, nusja, tre fëmijët e tij, por edhe ne po e përjetojmë shumë keq këtë histori. Kemi frikë të ndezim televizorin, se e dimë që ai është i pafajshëm, por emri i tij del në të gjitha lajmet si të ishte një kriminel ordiner.
Ku ka qenë djali juaj ditën e vrasjes?
Që në mëngjes shkoi me kunatin e vet për të salduar makinën dhe u kthyen së bashku rreth orës 11 paradite prej andej së bashku me nusen e tij. Ne shkuam për të nxjerrë panxhar. Punuam deri në orën 17:00. Qëndroi pak në shtëpi, pastaj na mori 90 mijë lekë dhe bashkë me të birin u nis për të pirë një kafe. Pas një ore djali u kthye, ndërsa ai ishte ulur për të luajtur, si gjithmonë. Erdhi rreth orës 10 të darkës, ndërsa të nesërmen në mëngjes ka ardhur policia dhe e ka marrë teksa po flinte ende.
Ju mendoni se nuk e ka bërë ai këtë krim?
Jam i sigurt sepse ai gjithë natën ka qëndruar në shtëpi, nuk ka dalë. Policia erdhi dhe e kontrolloi të gjithë shtëpinë. I kam treguar unë edhe skutat më të fshehta, por nuk gjetën gjë, sepse nuk kishin çfarë të gjenin. Djali im, atë që e ka nuk ia mohoj, por ai nuk ther dot një pulë, e jo më të vrasë një njeri. Ai me djalin e Et’hemit janë rritur bashkë, vetëm 3 dyer na ndajnë. Erjoni (djali i viktimës) na ka ndihmuar sa herë kemi pasur nevojë dhe nuk ka se si të arrinte puna deri këtu. Unë e them me bindje që nuk e ka vrarë, sepse ai nuk doli nga shtëpia, por nëse policia e provon që e ka bërë djali im këtë vrasje, le ta varin në sy të të gjithë fshatit.
Djali juaj nuk e ka pranuar autorësinë për këtë krim?
Ne po na bëhet një padrejtësi, na turpëruan emrin kot më kot. Duam që policia të bëjë detyrën dhe të gjejë autorin e vërtetë. Djali im nuk mund të pranojë diçka që nuk e ka bërë. Drejtësia duhet të gjejë autorin e vërtetë.

PROVAT

Edison Kodralli

Prova kryesore mbi të cilën është mbështetur akuza për vrasjen e 58-vjeçarit është një bluzë e Edison Kodrallit, ku janë gjetur gjurmë të djegies. Sipas familjarëve, këto janë shkaktuar nga saldimi që ai ka kryer në makinë së bashku me kunatin, por nga policia pretendohet se janë kryer analizat laboratorike që vërtetojnë se kemi të bëjmë me lëndë eksplozive (barut).

 


Gruaja e viktimës: Të qetë që u kap autori

Viktima Et’hem Hëna

Pasi policia ka publikuar identitetin e autorit të vrasjes, familja e viktimës duket më e qetë. Bashkëshortja e Et’hemit, Fiqiria, përtej rrobave të zisë dhe dhimbjes shpirtërore, shprehet se ankthi për të ditur se kush e bëri këtë krim dhe arsyeja ishin ato që e mundonin më tepër.
Tani policia ka zbuluar emrin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, si ndiheni?
Tani jam më e qetë. Kam arritur të çlodhem pak sepse dhimbja më e madhe për mua ishte të dija pse e bëri dhe kush ishte. Jam e zhgënjyer që dikush që ka hyrë në këtë shtëpi mori jetën e bashkëshortit tim, por ja që e bëri. Unë nuk e pashë me sytë e mi dhe nuk e akuzoj, por nëse policia nxori këtë emër, kjo është pjesë e saj.
Ju mendoni se mund ta ketë bërë Edison Kodralli këtë vrasje?
Nuk mund të flas, ne do ta ndjekim deri në fund çështjen dhe kur drejtësia t’i vërë gishtin dikujt, atëherë do të besojmë. Tani për tani jemi më të qetë që vrasja e bashkëshortit tim u zbulua.
Ju si do të veproni tani?
Asgjë, nuk do të ketë hakmarrje, cilido qoftë autori. Nuk mund të themi se e falim, nuk e fal dot atë që i mori jetën burrit tim, por thjesht do të vazhdojmë jetën të qetë dhe me mungesën që na la kjo vrasje.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura