Babai e djemtë e dehur, dhunë në spital

Sep 30, 2013 | 12:31
SHPËRNDAJE

Drejtoria e Policisë, Fier
FIER – Babai dhe dy djemtë shkojnë të dehur në spital dhe konfrontohen me bluzat e bardha. Lajmin e bëri të ditur Policia, sipas së cilës 63-vjeçari Faik Kallashi me djemtë, Shpëtim dhe Afrim Kallashi, përkatësisht 35 dhe 40 vjeç, kanë dhunuar mjekët. Ngjarja ka nisur kur 63-vjeçari kishte shkuar t’i bënte  analizat në poliklinikë. Mjekët i kanë kërkuar të presë radhën. Por djemtë që shoqëronin me të atin, të cilët sipas Policisë kanë qenë në gjendje të dehur, janë konfrontuar fillimisht me laborantet e më pas edhe me mjekë që ndodheshin në atë pavijon. Mjekët sinjalizuan menjëherë policinë për ngjarjen që vuri në panik edhe pacientët e tjerë. Blutë ndërhynë për të qetësuar situatën, por tre familjarët kanë bërë rezistencë duke iu kundërvënë fizikisht policisë. Por më pas ata i arrestuan të tre familjarët. “Tre shtetasit nga fshati Kraps i rrethit të Fierit u arrestuan në flagrancë për veprën penale ‘kundërshtim me dhunë’ ndaj punonjësve të Policisë, parashikuar nga neni 236/2 dhe 25 të Kodit Penal, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin në poliklinikën Fier kanë kundërshtuar me dhunë dhe nuk u janë bindur punonjësve të Policisë”, bëri të ditur Policia e Fierit.      m.r

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura