Azem Syla dorëhiqet nga posti i deputetit, por ende nuk i dorëzohet EULEX-it

Apr 28, 2016 | 19:20
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, i cili po kërkohet nga Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës, si i dyshuar kryesor i grupit kriminal prej 51 personash, ende nuk është kthyer në Kosovë.

Dy ditë para se policia të ndërmerrte aksion për bastisjen e shtëpive të Sylës dhe personave të tjerë, të dyshuar për tjetërsim të pronave publike, ai është larguar drejt Shqipërisë.

1461858739Azem-Syla-2Top Channel ka mësuar se, Policia e Kosovës nuk ka kërkuar ende nga Policia në Shqipëri që të kërkojë për vendndodhjen apo arrestimin e deputetit Azem Syla, ndërsa avokati i tij Tomë Gashi tha se, klienti i tij ka folur me policinë në telefon dhe u ka premtuar se do të kthehet së shpejti.

“Unë di që Azem Syla nuk është në Kosovë. Dje kam biseduar disa herë në telefon me të. Ai ka premtuar se do të kthehet shumë shpejt. Mund të jetë edhe në Shqipëri, mirëpo unë nuk i kam kërkuar të di vendndodhjen e tij. Unë besoj se burrat seriozë, nëse japin fjalën se do të kthehen sa më shpejt që është e mundshme për t’u ballafaquar me këto akuza të prokurorit të EULEX-it, atëherë ai duhet ta mbajë fjalën e tij. Të vijë dhe të japë shpjegime për atë që kërkon prokurori”, tha Tomë Gashi, avokat i Azem Sylës.

Sakaq, sot pasdite Syla, ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha përgjegjësitë institucionale. Nëpërmjet një deklarate ai ka bërë të ditur se kjo dorëheqje është e parevokueshme, por nuk ka treguar vendin se ku ndodhet.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës
Nga sot ofroj dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha përgjegjësitë instutucionale, nga të qenurit deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Hetimi i filluar ndaj meje është i padrejtë, por unë dëshiroj t’i jap hapësirë dhe mundësi drejtësisë të punojë pa ndikime.

Me respekt

Azem Syla

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura