Avramopulos mesazh të qartë Tiranës: Ulni numrin e atyre që abuzojnë me Schengen

Feb 12, 2018 | 14:25
SHPËRNDAJE

Shqipëria dhe Komisioni Europian kanë firmosur sot dy rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë e kufijve dhe mundësinë që do të ketë Tirana zyrtare për të aplikuar për fonde në Bruksel lidhur me luftën kundër drogës.

Marrëveshjet u firmosën gjatë vizitës në Tiranë të komisionerit të KE-së për Sigurinë dhe Cështjet e Brendshme Dimitris Avramopulos dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

xhafaj avramopulos

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, i dërguari i Brukselit në Tiranë vuri theksin te abuzimi me liberalizimin e vizave.

“Nëpërmjet të gjitha këtyre përpjekjeve, ajo që ne duam vërtetë është që Shqipëria të vijë sa më afër BE-së. Dua të përgëzoj Shqipërinë për përpjekjet që ka bërë me menaxhimin e flukseve të emigracionit të parregulltë dhe ta inkurajoj të bëjë akoma më shumë. Ne duhet të ulim numrin e atyre personave që abuzojnë me liberalizimin e vizave. Të gjithë ne duam që ta ruajmë dhe ta kemi procesin e liberalizimit të vizave”, tha Avramopulos.

Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm

Po bëjmë gjithçka është e mundur për të garantuar që Shqipëria të mos jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis, për të treguar vendosmëri në luftën kundër krimit të organizuar përmes operacionit ‘forca e ligjit’. Bashkë ne sot konkluduam siglimin e marrëveshjes me FRONTEX për Rojen Bregdetare dhe Kufitare.

Kjo është një marrëveshje e rëndësishme që do të na ndihmojë të marrim asistencë të kualifikuar lidhur me kufijtë tanë. ne do të ndjekim në vazhdim procedurat e kërkuara për miratimin e saj në Kuvend. Forcimi i kontrollit në kufi dhe përmirësimi i shërbimeve në pikat e kalimit kufitar mbetet prioritet për ne. Sot nënshkruam memorandumin

Avramopulos: Komisioneri për çështjet e brendshme në KE

Shqipëria është një vend që e kam fort për zemër. Kam qenë në Shqipëri dhe shumë herë të tjera dhe më duhet të them se kam parë këtë progres të madh që ka bërë vendi në vitet e fundit. Ju uroj që tu shohë të bëheni pjesë e familjes europiane.

Patëm një takim shumë miqësor dhe konstruktiv me ministrin e Brendshëm, Xhafaj. Në fakt do kisha shumë dëshirë të qëndroja më gjatë, kështu që ndoshta do të rikthehem së shpejti.

Shqipëria është pjesë e familjes europiane. Ne të gjithë përballemi me të njëjtat sfida, menaxhimin e kufirit si dhe me luftën më efikase ndaj krimit të organizuar. Ne ndajmë një histori të përbashkët, por edhe e ardhmja jonë do të jetë e përbashkët mes nesh. Ishte vetëm javën e shkuar momenti kur KE lancoi strategjinë për Ballkanin Perëndimor, një strategji ambicioze. Tani Shqipëria ka një dritare shumë të rëndësishme dhe një shans historik për ta lidhur fort historinë e saj me BE-në. Të gjithë e kujtojmë se si e ka parë bota Shqipërinë edhe para pak vitesh.

Më duhet të them se sot jam i impresionuar për çdo gjë që ju keni arritur në fushën e Drejtësisë dhe çështjet e Brendshme. Dua të falënderoj autoritetet shqiptare për atë punë kaq të shpejtë që kanë bërë që ne të arrijmë marrëveshjen për FRONTEX. Ne kemi sigluar këtë marrëveshje kaq të rëndësishme. Marrëveshja do të lejojë ardhjen në Shqipëri të një ekipi për kufirin dhe rojën e bregdetare.

Cfarë parashikon marrëveshja? Do të bëjë të mundur menaxhimin më të mirë të emigracionit të parregullt, në interes të përbashkët si për Shqipërinë dhe për BE-në. Kjo është marrëveshja e parë që është përfunduar dhe sigluar dhe ne do të shërbejë si model për ti nënshkruar edhe me Serbinë e Maqedoninë. Dua të nënvizoj se sot ne firmosëm një memorandum të rëndësishëm që ka të bëjë me luftën kundër drogës.

Në të ardhmen Shqipëria do të ketë mundësi që të ketë akses me fondet që kanë të bëjnë me politikat kundër drogës. Ne tashmë do të kemi mundësinë që të mbështesim ato iniciativa që janë të rëndësishme për luftën kundër drogës. Njësoj si terrorizimit dhe krimi i organizuar, rrjetet që merren me çështjet e drogës nuk i njohin kufijtë. Këto përpjekje mund të bëhen efikase vetëm nëse ne bashkëpunojmë në mënyrë efikase me njeri tjetrin. Dua ta inkurajoj Shqipërinë që ta përdorë plotësisht këtë mundësi që po i jepet, të aplikojë për fonde në mbështetje të këtyre iniciativave.

Nëpërmjet të gjitha këtyre përpjekjeve, ajo që ne duam vërtetë është që Shqipëria të vijë sa më afër BE-së. Dua të përgëzoj Shqipërinë për përpjekjet që ka bërë me menaxhimin e flukseve të emigracionit të parregullt dhe ta inkurajoj të bëjë akoma më shumë. Ne duhet të ulim numrin e atyre personave që abuzojnë me liberalizimin e vizave. Të gjithë ne duam që ta ruajmë dhe ta kemi procesin e liberalizimit të vizave.

Unë mirëpres që të thellojmë bashkëpunimin tonë për këtë çështje kaq të rëndësishme sigurie që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit. Dua të përqendrohem te lufta kundër krimit të organizuar, ajo duhet të vazhdojë. Mirëpres planin për vettingun në Polici. Kemi pasur vërtetë progres këto kohë. Shqipëria po i afrohet gjithnjë e më shumë BE-së. Në sytë e mi, si mik i Shqipërisë, është edhe kjo strategji kombëtare që ka ky komb kaq i çmuar. Perspektiva europiane e Shqipërisë do të sigurojë progres, zhvillim, rritje.

Deklarata e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj:

Përshëndetje, sapo përfundova një takim të shkëlqyer me mikun tim dhe të Shqipërisë Komisionerin Dimitris Avramopulous.

Ishte një premtim i bërë prej tij gjatë vizitës sime në Bruksel dhe ai si një mik i mirë e mbajti fjalën pavarësisht dhe axhendës së ngjeshur që ka ai dhe Brukseli në këto momente, erdhi sot në Tiranë.

Jam shumë i lumtur gjithashtu edhe për raportin shumë miqësor të krijuar mes nesh.

Vizita e tij sot në Tiranë vjen në një moment shumë të rëndësishëm për vendin, në pritje të dhënies së miratimit zyrtar për hapjen e negociatave me BE-në.

Dëshiroj të vlerësoj veçanërisht faktin që Komisioneri Avramopoluos është një mbështetës shumë aktiv ndaj aspiratës shqiptare për integrimin në familjen europiane.

Ne duhet t’i jemi mirënjohës atij dhe të gjithë miqve tanë në Bruksel dhe në vendet anëtare të BE-së për përkrahjen dhe mbështetjen ndaj këtij projekti që mbetet aspirata e vërtetë e shqiptarëve kudo që ata janë.

Zoti Dimitris Avramopoluos, Komisioneri përgjegjës për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë në Komisionin Europian, vjen sot në Tiranë në një moment të rëndësishëm edhe për vetë Policinë e Shtetit.

Vizita e tij është tregues i mbështetjes së BE-së për reformat e nisura prej nesh, por edhe inkurajim i madh për atë që duhet të bëjmë në luftë me krimin e organizuar.
Dëshiroj të vlerësoj angazhimin dhe ndihmesën që ai po jep për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë, veçanërisht sa i takon menaxhimit të kufirit dhe migracionit të parregullt.

E informova atë mbi punën dhe prioritetet e Ministrisë së Brendshme për vitin 2018, si dhe rezultatet e Policisë shqiptare në këto pak muaj, që pas takimit të fundit që patëm në Bruksel.

Rikonfirmova vendosmërinë tonë se po bëjmë gjithçka është e mundur për të garantuar përfundimisht që Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis, për të treguar vendosmëri dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar përmes operacionit “Forca e Ligjit”, rezultatet e para të të cilit janë inkurajuese; për të rritur më tej performancën e Policisë së Shtetit, për ta sjellë atë në standardet më të mira europiane duke e informuar në këtë kuadër edhe për procesin e Vettingut që sapo kemi nisur.

Po ashtu, dëshiroj t’ju bëj të njohur faktin se, së bashku ne sot konkluduam siglimin e marrëveshjes me FRONTEX për “Rojën Bregdetare dhe Kufitare”.

Forcimi i bashkëpunimit operativ mes vendeve të rajonit dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare, ne besojmë do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt, do të rrisë më tej sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe do të forcojë aftësinë e Agjencisë për të vepruar në vendet e afërta me BE-në, siç është Shqipëria.

Kjo është një marrëveshje e rëndësishme që do të na ndihmojë të marrim asistencë të kualifikuar në lidhje me menaxhimin e kufijve.

Ajo do t’i mundësojë gjithashtu Shqipërisë të përfitojë nga projektet që do të japë Bashkimi Evropian, gjatë implementimit të saj.

Kjo është një mundësi e mirë si për ne, si dhe për të gjitha vendet e rajonit ballkanik ku ajo do të implementohet, për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet e BE-së.

Ne do të ndjekim menjëherë procedurat e kërkuara për miratimin e saj nw parlament dhe për të filluar zbatimin shumë shpejt.

Forcimi i kontrollit në kufi dhe përmirësimi i shërbimit në pikat e kalimit kufitar, sikurse e kemi trajtuar edhe në takimin tonë të parë me Komisionerin, mbetet prioritet për ne, si kusht për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave.

Po sot, nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit mbi pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë së Bashkimit Evropian, mbështetur në vullnetin e palëve për të zgjeruar objektin e këtij Memorandumi në nisma konkrete në fushën e politikave kundër lëndëve narkotike.

Edhe një herë shumë faleminderit Komisionerit Avramopoulos, për vizitën e sotme dhe mbështetjen që më rikonfirmoi në takimin zyrtar midis nesh.
Faleminderit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura