Autizmi, të prekur 1% e fëmijëve në vend

Mar 31, 2011 | 13:38
SHPËRNDAJE

Rreth 1% e fëmijëve në vendin tonë vuajnë nga autizmi, çrregullimi neuro-biologjik që ka prekur gjithë botën. Fondacioni “Fëmijët shqiptarë”, i njohur për fushatat dhe mbështetjen për trajtimin e fëmijëve autikë, në prag të 2 prillit, ka deklaruar se do të lobojë pranë strukturave të shtetit, në ndihmë të këtyre fëmijëve. Rimbursim të terapive, ngritjen e asistencave ditore, apo dhe rishikimin e ndihmës ekonomike që përfitojnë fëmijët autikë. Problem ende në vend mbetet diagnostikimi jo në kohë i këtij çrregullimi. “Trajtimi afatgjatë i fëmijëve me autizëm të jetë i njohur dhe i rimbursueshëm nga sistemi shëndetësor në Shqipëri. Institucionet spitalore apo ambulatore pediatrike në qendrat rajonale të ndërtojnë njësitë e diagnostikimit të hershëm të autizmit”, tha presidentja e këtij fondacioni, Liri Berisha, në konferencën e djeshme. Sipas saj, çdo qytet duhet të ngrejë qendra asistence për individët me spektrin e autizmit të grupmoshave të ndryshme, duke ngritur njësitë e edukimit të specializuar pranë kopshteve e shkollave të përzgjedhura. “Njësitë e qeverisjes vendore të shohin mundësinë e ngritjes së qendrave të asistencës ditore për fëmijët me autizëm mbi 18 vjeç. Rishikimi i plotë i kritereve të asistencës sociale të kempit për fëmijët autikë dhe familjet duke u afruar atyre mbështetje maksimale”, tha presidentja e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”. Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” ka ngritur një nga qendrat e vetme profesionale për trajtimin me terapi të fëmijëve autikë “Fluturo për jetën”. Krahas saj, fondacioni “Fëmijët shqiptare” ka organizuar dhe fushata sensibilizuese.

Qendër e re e autizmit në Elbasan

Në ditët në vijim pritet të hapet një qendër e re për fëmijët autikë në Elbasan, të shpërndahen fletëpalosje për qytetarët, si dhe të promovohet një udhëzim për arsimtarët, që do t’u vijë në ndihmë fëmijëve autikë. Ky udhëzim për arsimtarët do të përmbajë të gjitha detajet që ata duhet të dinë për sëmundjen, në mënyrë që ta njohin dhe t’i trajtojnë si duhet të prekurit nga autizmi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura