Plani për eleminimin e Doshit, Kuliçaj: S’jam i implikuar, njoh vetëm Agim Ramajn dhe Eugen Beçin

Mar 5, 2015 | 7:25
SHPËRNDAJE

Ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit në qeverinë “Berisha”, Agron Kuliçaj, e ka cilësuar inskenim deklaratën e ministrit Tahiri, i cili tha se Tom Doshi në kallëzimin e parë ka përmendur dhe atë në organizimin e vrasjes së dy deputetëve.

Agron Kuliçaj

“Hedh poshtë me neveri dhe përbuzje çdo përpjekje për implikimin tim në këtë inskenim, të bërë nga zoti Doshi apo persona të tjerë”, shprehet Kuliçaj. Po ashtu, ai shton se është në dispozicion të çdo lloj hetimi. “Jam i hapur për çdo lloj hetimi apo verifikimi që mund të bëhet nga Prokuroria dhe organe të tjera të zbatimit të ligjit dhe garantoj bashkëpunimin tim në interes të sqarimit të së vërtetës”, tha Kuliçaj.

Në deklaratë, ish-zëvendësdrejtori i Policisë thekson se nga emrat e përmendur në deklaratën e Tahirit ai njeh vetëm dy persona, kunatin e ish-kryeministrit Berisha, Agim Ramajn, për të cilin shprehet se ka “marrëdhënie korrekte shoqërore”, por që “mund të kem mbi një vit që nuk jemi takuar dhe nuk kemi patur asnjë komunikim telefonik”. Si dhe me prokurorin Eugen Beci, me të cilin ka pasur marrëdhënie pune dhe se kanë “ruajtur marrëdhënie shoqërore dhe jemi takuar në disa raste në vende të ndryshme publike, përfshirë edhe lokalin “Vivas”.

Ndërsa nënvizon se nuk ka njohje me Fatjon Skënderin, Ylli Xhaxhollarin dhe Ymer Lalën. Megjithatë, Kuliçaj ka akuzuar Policinë e Shtetit për mosveprim në zbardhjen e ngjarjes në momentin e denoncimit. “Sipas vlerësimit tim, e gjithë kjo situatë është mbarsur nga moskryerja e veprimeve të domosdoshme hetimore nga shërbimet e policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit, veprime këto të përcaktuara në nenin 30 të Kodit të Procedurës Penale”, shprehet ishzëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit.

Sipas tij, ligji përcakton se çështja duhet t’i ishte dërguar Prokurorisë, por edhe të niseshin hetimet paraprake. Madje, duke u mbështetur në reagimin e ministrit Tahiri, Kuliçaj shprehet se vërtetohet mosveprimi i Policisë në hetimin e çështjes.

“Policia e Shtetit, në përmbushje të detyrimeve të nenit 293 të Kodit të Procedurës Penale, duhet të kishte referuar veprën penale te Prokurori dhe njëkohësisht të kishte vazhduar kryerjen e hetimeve paraprake. Pretendimet që parashtroi zoti Tahiri, se edhe këto hetime janë kryer dhe i janë bashkuar fashikullit të hetimit për ngjarjen e ndodhur më datë 1 shtator të vitit 2014 ku është tentuar të vritet shtetasi Fatjon Skënderi, provojnë mosveprimin e Policisë së Shtetit në hetimin e kësaj çështjeje”, shprehet Kuliçaj në reagimin e tij për mediat. Ndaj ai thekson se pretendimet për mosreferimin e çështjes në Prokurori “janë të pambështetura në ligj dhe në praktikën e punës së Policisë së Shtetit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura