Atentati mafioz në Tiranë, dëshmitarët: Autori e qëlloi nga motori në xhamin e makinës

Jul 25, 2015 | 10:05
SHPËRNDAJE

Një 26-vjeçar, i cili prej pak ditësh ishte kthyer nga Italia, u plagos rëndë me 2 plumba nga një person ende i paidentifikuar që lëvizte me motor. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:30, në zonën e “Xhamllikut”, në Tiranë, kur i riu sapo kishte hipur në makinë dhe po bëhej gati të lëvizte nga vendi ku kishte parkuar. Burime nga Policia thanë se i dëmtuari është shtetasi Xhevahir Shabani, nga Miloti, emigrant prej vitesh në Itali, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri për pushime.

Ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është një i ri që lëvizte me një motor tip “Kavasaki”, pa skafandër në kokë, ende i paidentifikuar nga Policia. I plagosuri kishte ndaluar për pak çaste makinën tip “Golf 6”, me targë DW 250 TH, për të blerë diç- ka në një dyqan aty pranë dhe ishte kthyer për të lëvizur nga vendi ku kishte parkuar.

IMG_3799
Të njëjtat burime thanë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të momentit që 26-vjeçari ka pasur me autorin, i cili fillimisht i është afruar duke e sharë te xhami i makinës, më pas ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe e ka qëlluar dy herë. Pas ngjarjes, i dyshuari i ka dhënë gaz motorit dhe është larguar nëpërmjet një rrugice që të nxjerr në afërsi të një shkolle 9-vjeçare, e më pas pranë lumit të Lanës, te materniteti “Koço Gliozheni”.

Megjithatë, burimet thanë se nuk përjashtohet mundësia që i plagosuri dhe autori të kenë pasur njohje të mëparshme me njëri-tjetrin, dyshim që mbetet për t’u vërtetuar vetëm nga dëshmia e 26- vjeçarit, që për momentin e ka të pamundur të flasë. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale në Spitalin e Traumës dhe sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore është mjaft e rëndë. Ndërsa pranë vendit të ngjarjes, shërbimet e Komisariatit nr. 4 dhe oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës kanë shoqëruar 15 dëshmitarë që kanë parë nga shumë afër momentin e sherrit mes të rinjve dhe plagosjen.

DESHMITARET

Vendi ku ndodhi plagosja e 26-vjeçarit Xhevahir Shabani është në një zonë mjaft të populluar, i rrethuar nga dyqane dhe lokale, duke bërë që ngjarja të shihej nga dhjetëra dëshmitarë. Personi më i afërt që ndodhej pranë makinës ku u qëllua Shabani ishte një tregtar ambulant peshku, i cili ishte i pari që u shoqërua në Polici për të dhënë dëshminë e tij. Ndërsa edhe disa shitës dyqanesh e klientë të lokaleve aty pranë kanë dhënë dëshminë e tyre rreth asaj që ka ndodhur.

Një prej dëshmitarëve që ndodhej në lokalin përballë vendngjarjes tregoi dje se i plagosuri ishte në një dyqan dhe sapo hipi në makinën që kishte parkuar në anë të rrugës, një djalë i ri me motor iu afrua afër. “Djali me motor, i ri në moshë, iu afrua te makina e parkuar dhe shoferi hapi xhamin. Fillimisht debatuan dhe u shanë me njëri-tjetrin. Ndërsa brenda pak sekondash pashë atë djalin me motor që nxori pistoletën dhe e qëlloi nga xhami i makinës.

Dëgjova dy krisma, por pistoleta mund të ketë qenë e vogël, pasi të shtënat nuk ishin të forta”, tregon dëshmitari. Ai thotë se autori nuk kishte skafandër, as kapele dhe, sipas tij, fytyra e tij dukej shumë qartë. Dëshmitari shprehet se, pasi qëlloi shoferin e makinës, i riu me motor lëvizi me shpejtësi në rrugicën përbri rrugës kryesore, aty ku kishte parkuar i plagosuri dhe u zhduk brenda pak sekondash.


ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura