Atentat hallës me nipin në makinë! Si nisi “lufta” mes dy fiseve për 2 hektarë tokë, i vëllai i shënjestrës vrau 30-vjeçarin dhe i plagosi anëtarët e familjes

Mar 31, 2023 | 9:24
SHPËRNDAJE

Hakmarrja nuk kursen as gratë, madje as ato brenda fisi e gjaku. Ditën e enjte (30 mars), një grua ra në pritën e plumbave  nga një makinë në lëvizje, teksa udhëtonte në mjet me nipin e saj, djalin e vëllait.

Atentatorët, ose atentatori që qëlloi mbi ta iku me shpejtësi, ndërkohë që Policia e identifikoi dhe e shpalli në kërkim. Është një histori gjaksore mes dy familjeve të fisit Hasalla, histori që ka kulmuar dy vite më parë, ndërkohë që asnjë institucion nuk mori përsipër ndërhyrjen mes palëve që të ulen gjakrat pas asaj ngjarjeje të rëndë që ndodhi me të vrarë dhe të plagosur. Ndërkohë që vëllai i të plagosurës është në burg për ngjarjen.

Referuar të dhënave të Policisë në kërkim është shpallur shtetasi Armand Hasalla, i cili dyshohet t’i ketë zënë pritë Bajame Senejas, e cila udhëtonte me nipin për në shtëpinë e saj. Në një makinë para tyre ka qenë vëllai i saj bashkë me avokatin e familjes, që për fat iu kanë shpëtuar plumbave. 60 vjeçarja, sipas të dhënave ka marrë një plumb në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Vëllai i saj ka hedhur dritë mbi momentin e pritës, ndërkohë që ka treguar se ata po ktheheshin nga Gjykata ku janë në gjyq sërish për tokën, në të cilën familja e Bajame Senejas ka ngritur një stallë.

Policia e Lushnjës është vënë në ndjekje të autorit, ndërkohë që janë marrë masat mes dy familjeve që të mos agravohet më tej situata e rëndë.

DINAMIKA E NGJARJES

Gjithçka daton dy vite më parë, nga një konflikt pronësie mes kushërinjve Hasalla. Në 2021 humbi jetën 30-vjeçari Romeo Hasalla, i cili u qëllua nga kushërinjtë e tij. Ndërsa kësaj here plumbat u drejtuan ndaj 60-vjeçares Bajame Seneja, motrës së Kastriot Hasallës, i cili bashkë me të vëllain në 2021 qëlloi me armë zjarri ndaj Shaip Hasallës dhe tre djemve të tij.

Si pasojë njëri nga djemtë, Romeo, humbi jetën ndërsa Shaipi me dy djemtë e tjerë u plagosën rëndë. Vëllai Bajame Senejës, Afrim Hasalla, tregon dinamikën e ngjarjes për median dhe drejton gishti nga kushëriri i tij. Ai rrëfen se sot kishin gjyqin për tokën dhe teksa po ktheheshin në shtëpi janë qëlluar me armë zjarri.

“Policia nuk ka marrë asnjë masë. Këtu është Shaip Hasalla me djemtë. Para dy vjetësh na kanë qëlluar me armë, sot na qëlluan motrën. Shteti nuk ka marrë masa. Ishim në gjyq për tokën. Mbaruam gjyqin, u nisëm për shtëpi dhe na bënë pritë. Isha bashkë me avokatin nga Tirana.

Gjyqi ishte për çështjen përpara. Unë isha me avokatin në makinë para, motra me nipin pas. Qëlluan makinën e nipit. Sherri është për tokën, 2 hektarë tokë. Kam bërë një stallë atje dhe zotëria do ta marrë me forcë. Kastrioti është dënuar, por Kastrioti s’e vrau, por e vrau Shaipi djalin. Kastrioti mbrojti vëllain dhe fëmijën e tij. Shikoni personin që na ka pritur me armë”, thotë ai.

PAS NGJARJES

Policia ka kryer kontrolle në shtëpinë e Laert Hasallës, por nuk ka gjetur gjë. Për plagosjen është shpallur në kërkim, Armand Hasalla, i cili mendohet të jetë personi që ka qëlluar me armë zjarri ndaj 60-vjeçares, Bajame Sejena.

Sipas detajeve, pas vendimit të Gjykatës për dënimin me 35 vite burg të Kastriot Hasallës të akuzuar për vrasjen e Romeo Hasallës dhe plagosjen e tre të tjerëve, kanë qenë të afërmit e këtyre të fundit që i kanë ngritur pritë familjes së Kastriot Hasallës.

Toka me sipërfaqe prej dy hektarësh ka qenë molla e sherrit mes kushërinjve të largët, ku përplasjet mes tyre kulmuan në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tyre, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin, Romeo Hasalla dhe të plagosur Shaip Hasallën së bashku me dy djemtë e tij, Emiljano dhe Laert Hasallën. Për ngjarjen u arrestua edhe Afrim Hasalla, por më pas u la i lirë pasi Kastriot Hasalla u vetëdorëzua në Polici duke pranuar krimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura