At Zef Pllumi në 10-vjetorin e vdekjes, përmes dëshmive

Sep 26, 2017 | 11:14
SHPËRNDAJE

Çdo ditë të jetës së vet, At Zef Pllumi jetoi për me tregue. Për me tregue e përdori edhe ditën e vdekjes së vet.

mirela

Në një takim rrëfimesh u shndërrua 10-vjetori i vdekjes së priftit martir, i cili vuajti 28 vjet në burgjet e komunizmit dhe e mbajti shpirtin gjallë për t’u treguar brezave që do të vinin se njeriu duhet të mbetet i tillë deri në fund, edhe kur kushtet janë çnjerëzore.

Dje, në Bibliotekën Kombëtare u zhvillua një takim përkujtimor për nder të At Zef Pllumit. Rrethuar nga librat e tij, por edhe vepra të tjera memuaristike, si dhe fotografi në rini të tij, por edhe më pas në liri, kur Ati i Shenjtë puthi tokën shqiptare, të organizuara në një ekspozitë, të ftuarit, shkrimtarë, studiues, përkthyes, nga Shqipëria, Kosova e deri në Francë, rrëfyen njohjen me At Zef Pllumin dhe gjurmën e thellë që ai kishte lënë në jetët e tyre.

zef

Padër Zefi rrezatonte aty në mungesë, me zhgunin e tij të rëndë dhe bastunin shtrënguar në dorë, përmes kujtimesh të të pranishmëve e mbi të gjitha përmes veprës së tij themelore “Rrno për me tregue”.

“Vepra dëshmuese e At Zef Pllumit, ky kulmim brilant i memuaristikës shqipe, rilidhi misionin e kujtesës nga Barleti e Harapi, me historinë dhe shoqërinë bashkëkohore shqiptare. Vetëdije e qëndresës nën misionin ‘Rrno vetëm për me tregue’, vetëdije e shkrimit, si dhe vetëdije e një etike sipërore të dëshmimit, ajo kërkon qysh prej fjalisë së saj të parë e deri tek ajo e fundit, një etikë sipërore të leximit.

zef1

Ajo është një përballje e re, ku krahas përjetimeve të forta e skenave thuajse ‘mizorisht’ të pabesueshme, lind një proces të thellë reflektimi, përmes të cilit At Zef Pllumi besonte se do të rindizte dritën në tunelin e errët të harresës së qëllimshme e për rrjedhojë ‘të fajshme’. Dëshmisë së tij iu shtuan ndër vite dhjetëra të tjera, duke përbërë sot dritën e fortë, gati verbuese, të asaj që dhimbshëm u pagëzua si ‘kujtesa e burgut’, secili me dëshmimin e të vërtetën e vet”, u shpreh drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.

Sipas saj, shoqëria shqiptare gjendet sot në një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vet: Përballjen etike me të shkuarën e saj komuniste, formulimin e “së pafalshmes” dhe shqiptimin “e ndjesës”.

E pranishme në këtë takim homazh ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ndau me të pranishmit misionin e institucionit që ajo drejton dhe jo vetëm, për të mbajtur gjallë kujtesën, pjesë e së cilës është edhe vepra e patër Zefit. “Vepra e tij nuk është thjesht një autobiografi, apo një roman-histori, është një himn për virtytet njerëzore, himn për qëndresën. Është lartimi i një galerie personazhesh që përshkuan ferrin duke ruajtur njeriun brenda tyre, pa mllef e pa urrejtje, ata që deshën një tjetër Atdhe, jo atë të parullave boshe e simboleve pa kuptim.

zef3

Për njerëz si ata, siç shprehet vetë Ati ‘Atdheu nuk janë malet, fushat e prrojet kot: atdheu asht e drejta jote, familja, nderi yt, puna e djersa jote. Kush nuk des për kto nuk des për kurgja tjetër…’.”, u shpreh Kumbaro.

Më tej, studiuesi nga Kosova, një nga njohësit më të mirë të veprës së At Zefit, Sabri Hamiti, u ndal te vetë teksti-testament, siç e quajti ai, duke u shprehur se nderimi dhe lartimi më i madh i figurës së At Zefit mund të bëhet duke lexuar veprën e tij.

Agron Tufa: Drejtuesit e huaj të klerit, shqetësimi i At Zefit

Në bisedat tona me telefon apo drejtpërdrejt, e vetmja bisedë e aspektit teologjik ka qenë për kulturën e misioneve fetare në Shqipëri, jo vetëm katolike, por edhe ortodokse dhe myslimane, sepse ajo që e shqetësonte At Zefin dhe që e ndante me ne ka qenë përfaqësimi i këtyre komuniteteve në Shqipëri nga të huajt. Ky ka qenë një debat që në kohën e At Gjergj Fishtës, i cili e shtronte me po aq mprehtësi. Duke mos zotëruar gjuhën shqipe, duke mos njohur realitetin, psikologjinë e besimtarëve tanë, “prishet” ai pakti midis fjalës së Zotit dhe besimtarit. E vetmja që e lidh një besimtar me hyjin është fjala dhe ajo nuk është më në shqip dhe ky ishte problemi që ndante edhe Fishta, edhe At Zef Pllumi. Unë kam bërë një shkrim më vonë, për të cilin nuk prisja ndonjë mirëkuptim të madh nga qarqet fetare. Kemi bërë edhe replika.

Enriketa Pandelejmoni: Historisë i duhen dëshmitë e gjalla

Për të kuptuar të shkuarën komuniste, duhet të kemi sa më shumë histori të përjetuara edhe të hedhura në tekst. Histori edhe në formën autovizuale të njerëzve që kanë vuajtur, që kanë eksperiencat e asaj kohe, që kanë nevojë edhe të tregohen. Është një nevojë që njerëzit të çlirohen nga traumat, është e vetmja ndihmesë që neve nga vjen, që nxënësit e shkollave të kuptojnë këta libra që flasin për komunizmit, edhe që duhet ekspozuar. Unë si historiane apo si studiuese e periudhës, kam nevojë që të studioj. Prandaj lutemi për fonde shtetërore, për të nxitur botime të tilla, para se dëshmitarët të ikin, sepse duke ikur ata, edhe duke mos mbetur aq shumë histori për t’u lexuar, ne harrojmë historinë.

Ardian Marashi: Modeli i krishterimit modern

Bashkëpunimi i ngushtë në sferën laike të popullsisë tregon për një mendje të hapur të Paterit, pastaj energjia rrezatuese, kultura e jashtëzakonshme në ato vite që kërkonte të njihnin se kush ishin drejtpërdrejt ata autorë, të cilët ishin burgosur edhe ndaluar, por edhe që aksesi i parë në vitet ’90 ishte i pari ndërmjet Pater Zefit, i cili i dhuroi publikut shqiptar, derisa nisi botimi i veprave më tej. Për mendimin tim, mund të shihet te Pater Zefi modeli i krishterimit modern, i të sjellurit në shoqëri, modeli kulturor, intelektual e atdhetar dhe i frymës bashkëpunuese mes sferës fetare dhe asaj laike. Modeli i një qytetari, që çdo komb do të dëshironte që ta kishte pjesë të saj.

Keda Kaceli: Si e përktheva në italisht “Rrno për me tregue”

Unë nuk jam thjesht përkthyesja e veprës, por unë jam bija shpirtërore e At Zef Pllumit, e familjes. Kam pasur fatin që jam konsideruar pjesë e familjes edhe kam ndenjur me familjarët e tij, përveçse njohjes së veçantë me të. Emocionet e njohjes me një kolos, me të qenit njeri janë të mëdha. Pater Zefi na ka lënë dëshmitë e njerëzores më shumë se çdo kush, unë nuk jam thjesht përkthyesja, por jam edhe një mbesë martiri. Unë e di shumë mirë se çfarë Pater Zefi tregon në faqet e tij, në jetën e tij, që dëshmon përcjelljen e kujtesës. E di se çfarë vlere ka përcjellja e kujtesës në breza, prandaj mendova me mish edhe shpirt për përkthimin e veprës së tij në italisht. Nuk është zotësi të dish italishten, por zotësi është që të ndiesh veten të privilegjuar, duke hyrë nën lëkurën e autorit, pa e ndesh atë mbi vete, edhe jo vetëm fjalët, por secilën pëlhurë të tregimit.

ALMA MILE/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura