“Asnjë investim real në sektorin e energjisë”/ Deputeti i PD-së: Krizën energjitike, qeveria ia faturon tregjeve ndërkombëtare

Oct 13, 2021 | 16:50
SHPËRNDAJE

arbiagalliu

Deputeti i PD-së njëkohësisht dhe Sekretari i Grupit parlamentar demokrat, Arbi Agalliu ka reaguar për krizën energjitike në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, ai shprehet se qeveria ia faturon krizën energjitike tregjeve ndërkombëtare, por në fakt sipas demokratit, kjo është një krizë korrupsioni.

Sipas Agalliut, kjo i ka themelet në abuzimin me tenderat me miliona euro të kompanive të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Deputeti i PD-së thotë se Shqipëria nuk ka asnjë investim real në sektorin e energjisë elektrike.

Deklarata e plotë e Arbi Agalliut:

Përshendetje të nderuar qytetarë! Sot dëgjuam se si qeveria i faturon tregjeve ndërkombëtare krizën të cilën e artikulon përdite. Por në të vërtetë problemi është tjetërkund.

Kjo është një krizë korrupsioni, kjo krizë i ka themelet në abuzimin e tenderave me miliona euro që zhvillon OSSHE.

Kjo krizë buron nga punësimi në administratën  publike dhe në OSSHE të qindra patronazhistëve që paguhen  nga taksat e shqiptarëve. Kjo krizë e ka themelin në abuzimin dhe vjedhjen që bëhet në këtë sektor.

Ne nuk kemi asnjë investim real në sektorin e energjisë në Shqipëri. Dëgjuam qeverinë sot se si tha që nuk do të rritet çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin dhe për biznesin e vogël, por në asnjë moment nuk dëgjuam se çfarë do te ndodhë me çmimin e energjisë elektrike për biznesin e madh.

Është e pashmangshme nëse do të kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike për këte sektor të mos preket qytetari shqiptar.

Njerëzit , qytetarët, konsumatorët,, blejnë produkte dhe shërbime që ofrohen nga biznesi i madh dhe në këtë kontekst xhepi i çdo shqiptari do të rëndohet në mënyrë të pashmangshme.

Të nderuar qytetarë! Kriza nuk vjen nga rritja e çmimit të tregjeve ndërkombëtare. Kriza i ka themelet pikërisht në abuzimet dhe në korrupsionin që kjo qeveri bën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura