Asistencë ligjore falas për qytetarët e Tiranës

Apr 30, 2012 | 13:00
SHPËRNDAJE

Ervin Salianji, drejtori i Zyrës së Avokatit të Qytetit

Flet Ervin Salianji: Qasja ndryshe e Avokatit të Qytetit në Bashki.

“Ankesat mund të vijnë edhe nga subjekte private”

Asistencë ligjore për të gjitha ankesat që ata kanë ndaj administratës. Ky është misioni i Zyrës së Avokatit të Qytetit pranë Bashkisë së Tiranës.

Është ngritur që në 2007-n, por në fakt duket se muajt e fundit pesha e këtij departamenti në raport me qytetarët ka marrë një tjetër kthesë. Janë trajtuar 93 çështje, ndërkohë që në një hark kohor prej 5 vitesh të mëparshme, kishin marrë zgjidhje vetëm 8 prej tyre. Objekt i punës së saj janë ankesat e qytetarëve dhe kontrollet në rast se veprimi ose mosveprimi i organeve të administratës ka dëmtuar interesat e tyre. Gjithashtu, Zyra shërben edhe si një mundësi për t’u dhënë orientim dhe ndihmë ligjore qytetarëve, të cilët sorollaten në dyert e administratës pa e ditur se ç’duhet të bëjnë për të zgjidhur problemet e tyre. Në intervistën e tij për gazetën, drejtori i kësaj zyre Ervin Salianji jep të gjitha detajet për mënyrën si ofrohen këto shërbime.

Çfarë është Avokati i Qytetit dhe nga është huazuar ideja për një departament të tillë bashkiak?
Zyra e Ombudsman-it të Qytetit është krijuar për herë të parë në Suedi, e implementuar në qytetet e saj dhe më pas në pothuajse të gjitha qytetet kryesore të botës. Pavarësisht modeleve të ndryshme të zgjedhjes dhe të kompetencave, Ombudsman të qytetit ka Bashkia e Romës, e Neë York-ut, Montreal-it, dhe për t’u afruar në rajon, zyrë të tillë ka Bashkia e Beogradit, Lubjanës, Zagrebit . Pranë Bashkisë Tiranë, Zyra e Avokatit të Qytetit funksionon prej pothuajse 5 vjetësh. Zyra e Avokatit të Qytetit është një zyrë që funksionon si departament pranë Bashkisë së Tiranës dhe që shërben për të mbrojtur interesat e ligjshme të qytetarëve në raport me Bashkinë dhe administratën vendore, ky mund të ishte një shpjegim i thjeshtë, por jo shterues për pyetjen tuaj. Avokati i Qytetit ndërmjetëson mes qytetarit dhe organeve të Bashkisë për zgjidhjen e problemeve te tyre, vihet në lëvizje pas një qëndrimi zyrtar të bashkisë ose në rastet kur nuk respektohen afatet ligjore për kthimin e përgjigjes. Në këto raste, Zyra e Avokatit të Qytetit merr në shqyrtim ankesën e qytetarit dhe kontrollon në rast se veprimi ose mosveprimi i organeve të administratës ka dëmtuar interesat e qytetarëve. Gjithashtu Zyra shërben edhe si një mundësi për t’i dhënë orientim dhe ndihmë ligjore qytetarëve, të cilët “sorollaten” në dyert e administratës pa e ditur se ç’duhet të bëjnë për të zgjidhur problemet e tyre.
A është kjo zyrë e njëjtë, zëvendësim apo një shtesë e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit?

Bashkia e Tiranës

Avokati i Qytetit nuk është as një shtesë e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe as zëvendësim i saj. Avokati i Qytetit është një zyrë që funksionon nën vartësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ndërsa Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit është një agjenci e krijuar me vendim të Këshillit Bashkiak, e cila ka në funksion mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit funksionon si një agjenci kontrolli për të mos lejuar abuzimet e subjekteve private në raport me qytetarin, ndërsa Avokati i Qytetit mbron të drejtat e ligjshme të qytetarit në raport me organet e Bashkisë. Për ta thjeshtuar, pranë Avokati të Qytetit mund të vijnë ankesa nga subjekte privatë, të cilat mund të pretendojnë një të drejtë të shkelur nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Çfarë stafi ka kjo zyrë dhe si funksionon puna?
Kjo zyrë ka Avokatin e Qytetit dhe disa komisionerë, p.sh. Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi, për barazi gjinore etj, të gjitha me funksion dhe fokus mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
A janë ankesat që ju vijnë substanciale, apo në shumicën e tyre, kanë të bëjnë me konflikte të vockla si mosmarrëveshje mes fqinjësh, me administratorët e pallateve etj? Nëse do t’i ndanit me përqindje, sa vend zënë konfliktet dhe sa mospajtimet e vogla?
Në shumë raste kam vënë re që problemet vijnë si shkak i një konflikti kontraktual mes palëve dhe palët janë individë privatë, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një konflikt administrativ, por me një konflikt civil i cili zgjidhet në gjykatë. Për ta prekur fare pak, kontratat hartohen dhe lidhen mes palëve për të përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e palëve ndaj njëri–tjertit, dhe në rast të një konflikti mes tyre, interpretimin dhe vendosjen se kush ka të drejtë e bën gjykata. Pasja e një fluksi të madh të kërkesave të këtij lloji tregon, së pari, që kultura juridike ende mungon dhe së dyti që besimi i qytetarëve ndaj Bashkisë është rikthyer dhe kërkojnë nga Bashkia zgjidhjen e problemit të tyre, pavarësisht se kompetencën e ka një organ tjetër. Në këto raste, ne jemi përpjekur të zgjidhim me ndërmjetësin tonë probleme të qytetarëve, mjafton që Bashkia të ketë pasur një rol rregullator në marrëdhënien e krijuar mes palëve. Po ashtu ne u japim konsulencë ligjore për rastet kur ne nuk mund të përfshihemi në këto konflikte dhe kur kompetenca jonë për to nuk mund të shtrihet. Konfliktet e “vockla” janë gjithashtu në masë të madhe të pranishme dhe kjo për një sërë faktorësh. Ligji për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e përbashkëta, megjithëse ka hyrë në fuqi në vitin 2009, ende nuk ka gjetur zbatim në Tiranë. Ky ligj rregullon marrëdhëniet ndërmjet banorëve qe kanë njësi individuale në banesa të përbashkëta, për ta bërë më të thjeshtë, ky ligj rregullon mënyrën se si banorët vendosin për konflikte të vogla të tipit “më rrjedh ujë nga dyshemeja, pse duhet ta paguaj tarifën e pastrimit, komshiu më bën zhurmë” etj. Duke parë trajtimet e ankesave që kemi deri tani, mund të them se në mbi 55% janë ankesa për probleme të vogla.
Çfarë ndodh nëse konflikti i qytetarit është pikërisht me Bashkinë? A nuk ka konflikt interesash këtu? Ju do të mbronit qytetarin apo institucionin, i cili ju paguan? Si zgjidhet kjo?
Vetëm në raste kur konflikti është me Bashkinë dhe institucionet e varësisë, ne kemi tagër ligjor për të ndërhyrë dhe për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen e konfliktit me qytetarin dhe institucionin e Bashkisë. Në rast se ne vërejmë që ka shkelje të ligjit, kërkojmë rivendosjen në vend të së drejtës.
Nuk ka konflikt, sepse AQ është krijuar për këtë arsye, për të pasur një mundësi më tepër qytetari në raport me administratën. Në çdo rast ne mbrojmë qytetarin, për ta bërë konkrete dhe për të bërë një krahasim me administratën e mëparshme. Në 2007-2011 AQ ka trajtuar 8 çështje, ndërkohë që në tremujorin e parë ne kemi trajtuar 93 çështje, nga të cilat 66% janë në favor të qytetarit dhe 17% nuk kanë qenë në kompetencën tonë. Në këtë rast i kemi dhënë konsulencë ligjore dhe i kemi orientuar në institucionin që ka tagër ligjor për ta zgjidhur. Shifrat tregojnë që edhe në realitet kemi një qasje ndryshe ndaj qytetarëve dhe tregojnë gjithashtu që pa vullnetin politik të kryebashkiakut, pavarësisht se mekanizmat ekzistojnë, kjo zyrë kthehet jofunksionale. Vlen për t’u përmendur që për raste me sensibilitet të lartë interesimi i kryetarit ka qenë i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë.

Numrat në shërbim të qytetarëve
Për t’u ardhur më mirë në ndihmë qytetarëve të Tiranës në lidhje me shqetësimet dhe nevojat e tyre, Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion një numër telefoni falas. Ndihmë dhe informacione nëpërmjet telefonit për të gjithë qytetarët e Tiranës, për shqetësimet dhe nevojat e tyre në lidhje me shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës. Ndihmë për të njohur të gjitha kompetencat e Bashkisë dhe institucioneve të varësisë, bazën ligjore përkatëse. Një qendër për të qenë sa më pranë qytetarëve me mënyrat më të favorshme për ta, lehtëson punën për shumë qytetarë që nuk kanë mundësi të vijnë disa herë për të marrë një shërbim nga Bashkia. Ata mund të telefonojnë falas në numrin 0800 0888 nga e hëna në të diel nga ora 8:00 deri në 22:00. Për telefonata drejt Policisë Bashkiake, për çdo shqetësim tuajin telefononi në numrin e telefonit 04 2419 465.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura