Asad merr raketat nga Rusia: Jemi afër fitores së madhe

May 31, 2013 | 12:44
SHPËRNDAJE
Sistemi i avancuar raketor rus, S-300 në Siri

Presidenti sirian, Bashar Al Asad, ka deklaruar se “Fitorja e madhe e forcave qeveritare është afër”, pasi ai njoftoi se ka marrë dërgesën e parë të sistemit raketor të avancuar S-300 nga Rusia. Aleatët dhe kundërshtarët e Asad kanë nisur një “garë” armatimesh, që kur Britania dhe Franca hoqën embargon e armëve për rebelët “e moderuar” sirianë, duke zemëruar Rusinë, e cila ishte zotuar të pezullonte kontratën e shitjes së armëve të avancuara me Sirinë, në rast se e gjithë diplomacia ndërkombëtare angazhohej në zgjidhje diplomatike e paqësore të konfliktit gati dyvjeçar në vendin e Lindjes, që ka marrë deri tani më shumë se 70 mijë viktima. Asad nuk i ka pranuar thirrjet për dorëheqje dhe ka dhënë vetëm sinjale për ulje në bisedime me opozitarët, por asnjë plan të qartë për ta realizuar këtë. Muajin e ardhshëm, në Gjenevë të Zvicrës, mbahet një takim ndërkombëtar ku do të jenë të pranishëm edhe autoritete nga Siria, takimi sponsorizohet nga SHBA dhe Rusia dhe synon gjetjen e një kompromisi për t’i dhënë fund luftës në Siri. Mes raportimeve të herëpashershme për përdorimin e armëve kimike nga Ushtria e Asad, si dhe videot e vrasjeve mizore të ushtarëve të Asad, të kryera nga rebelët sirianë, është e qartë se situata në këtë vend ka dalë plotësisht jashtë kontrollit. Asad po ndihmohet edhe nga luftëtarët e Hezbollahut libanez, të cilët besojnë se lufta siriane është organizuar nga jashtë. Që kur u deklaruar se do të ketë bisedime paqeje, goditjet nga Ushtria e Asadit janë intensifikuar ndjeshëm. “Ushtria siriane ka arritur një seri fitoresh të rëndësishme në luftën civile dhe mund të jetë pranë një fitoreje vendimtare”, tha Asad në një intervistë për një televizion libanez. Deklarata e Presidentit sirian u bë dje, kur u konfirmua mbërritja në vend e disa sistemeve mbrojtëse raketore, armë të prodhimit rus.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura