Artet, studenti dhe Universiteti Europian i Tiranës

Sep 21, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

SUZANA VARVARICA KUKA

 

 

 

SUZANA VARVARICA KUKA

Gjatë këtij viti e pikërisht në mars 2020, Covidi-19 apo koronavirusi prodhoi mbi shoqërinë njerëzore një situatë të vështirë, që po trondit ende përmes fatkeqësisë më të rëndë, ndërrimit të jetës. Njerëzimi ende lufton që ekzistenca e tij të rikuperohet nën një organizim të ri politik, ekonomik dhe kulturor, duke ulur tempin e shqetësimit, duke iu përshtatur fakteve të reja dhe njëkohësisht duke pranuar zhvillimin e vet. Pjesa më e gjallë e shoqërisë dhe më këmbëngulëse drejt këtij zhvillimi janë universitetet dhe studentët e tyre. Ata orientohen nga dija dhe nxiten nga vetëdija e tyre inteligjente, për të studiuar dhe informuar shoqërinë se ekzistenca dhe vijueshmëria e saj, në të ardhmen e afërt, përcaktohen nga një brez i shëndetshëm dhe impenjues.

Tërësia e këtij mendimi nuk rrjedh si proces i moralistikës së të përditshmes së zakonshme, por si një proces që UET, drejtuesit e tij, pedagogët dhe studentët po e jetojnë dhe po e trupëzojnë në jetën e tyre universitare. Ajo rinisi në ditët e këtij shtatori me veprimtarinë “Ekspozita UET- Art Festival”, organizimi i së cilës është kontribut i projekteve artistike të Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, i punimeve të studentëve të Arteve Pamore, Arkitekturës dhe Dizajn – Modës, si dhe i performancave koncertale të studentëve të Arteve Muzikore dhe Skenike.

Ermir Nika, drejtuesi i këtij departamenti, shprehet se: “Projektet artistike në UET janë në shërbim të formimit profesional të studentit. Ata bëhen pjesëmarrës aktivë në to dhe qëllimi i tyre është që studentët të njihen me vlerën dhe cilësinë artistike, madje ta prekin atë gjatë edukimit me artin”.

Enkeleida Prifti, pedagoge e Arteve Pamore, bën të qartë qëllimin e ekspozitës dhe shkruan se: “Ekspozita u organizua në kuadrin e fillimit të vitit të ri akademik 2020- 2021 dhe është pjesë e UET – Art Festival”. Ajo vazhdon të bëjë me dije se: “Ky aktivitet është tashmë një traditë shumë e bukur e Universitetit Europian të Tiranës në çdo fillimshtatori. Ajo jo vetëm hap siparin për një radhë ekspozitash, por si e para ka një qëllim paksa më të veçantë. Ekspozitat, së bashku me koncertet dhe aktivitete të tjera kulturore, janë një formë artistike mikpritje që studentët e klasave më të larta, u bëjnë studentëve më të rinj të UET-së”.

Ndërsa Kristi Bello, pedagog i Arteve Muzikore dhe Skenike, si dhe një nga iniciatorët e “Ekspozita UET- Art Festival”, shprehet se: “Koncertet e studentëve instrumentistë dhe vokalë në UET dhe konkretisht në këtë veprimtari formojnë mjedise të qëndrueshme dhe shpresëdhënëse në rritjen e cilësisë së formimit të studentit artist”.

Atmosfera pamore e ekspozitës së studentëve të Arteve Pamore në UET, në një kuptim empirik duket e thjeshtë. Ndërsa në një kuptim përmbajtjesor, ajo e zgjeron qëllimin e saj praktik, duke shkaktuar emocione dhe situata të veçanta estetike. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi na nxit të mendojmë dhe të kuptojmë se çfarë është studenti–artist? Natyrshëm, mendimi i formuar jep përgjigjen se ai është individ shumë kompleks që fizionominë ia përcakton krijimi vetjak i ekspozuar dhe formimi teoriko-estetik, siç ia përcakton çdo artisti të kompletuar dhe me zë në sistemin e artit.

Gjithsesi, krijimi vetjak i ekspozuar i një studenti ruan tri nivele formuese. Krijimi vetjak apo punimi i artit të studentit konservon në një masë të madhe në buxhetin e tij figurativ, nivelin fillestar, që është një përbashkësi e talentit, dëshirës dhe vullnetit për ta formuar dhe shfaqur nivelin fillestar. Gjatë kohës universitare, mbi këtë nivel vendoset dhe fillon të ndërthuret me të niveli i rritur brenda caqeve të edukimit universitar. Ky i fundit bëhet i suksesshëm kur orientimi pedagogjiko-artistik është impenjativ, i përshtatur dhe nxitës në rritjen e cilësisë së nivelit fillestar. Ose, përmes subjektivitetit, bëhet i kundërt, jo i suksesshëm, i lodhshëm dhe deformues, kur orientimi ushtron trysni për transformimin në thelb të nivelit fillestar. Në këtë çast mund të kuptojmë, të mendojmë dhe të pyesim se çfarë është pedagogu i artit?

Së fundmi, i tretë në radhë është niveli i individualitetit estetik të studentit, që përbëhet nga modelimi final i nivelit fillestar, që arrin të shfaqet dhe ta dallojmë përmes krijimtarisë praktike në pandërprerje, edukimit teorik dhe komunikimit figurativ. Të tri nivelet, në një kohë të përbashkët të edukimit universitar dhe gjatë ekspozimeve të punimeve të artit, përcaktojnë në një mënyrë relative të ardhmen perspektive të artistit të ri dhe më tej të artistit real.

Nisur nga këndvështrimi i mësipërm, i cili buroi pas përballjes me “Ekspozita UETArt Festival” dhe perceptimit mbi figurën e punimit të çdo studenti, veçohen nivelet e kategorizuara, përbërja e tyre dhe perspektiva e studentit në të ardhmen. Punimet e tyre brenda ekspozitës nuk propozojnë imazhe të rrjedha nga një temë apo koncept i sugjeruar. Ata janë prurje interesante dhe shpresëdhënëse për vitin universitar 2020- 2021, të cilat kryesisht lidhen me pasqyrimin realist. Ai kushtëzohet nga përvoja për të perceptuar dhe modeluar natyrën shumëdimensionale të sendeve me linjë, dritëhije dhe ngjyrë. Të tjera punime kanë zhvillime abstraguese mbi sendet, që do të thotë se krijimi është në kërkim të njohjes jo vetëm mbi fuqinë e perceptimit realist, por edhe kërkim për të provuar në format e drejtimeve artistike të artit të shekujve XIX-XX, të cilat nuk rreshtin së ekzistuari edhe në kapërcyell të shekullit tonë, të cilat janë shprehi të lirisë së vlerësimit vetjak mbi perceptimin jo vetëm të objektit, por edhe të ndjesive të nënvetëdijes njerëzore. Në ekspozitë është domethënëse edhe përvoja e përftuar e studentit gjatë kërkimit figurativ për të njohur mjeshtrit botëror, gjë e cila jep rritje të aftësimit profesional dhe teknik.

Një veçori që dëshiroj ta theksoj janë materialet, të cilat përkthehen edhe në teknika si: akuarel, pastel, karbon, guash, vaj, akrilik, mix media, materiale të riciklueshme etj. Përmes tyre janë krijuar figura që sjellin kompozimin, portretin, peizazhin, natyrën e qetë, modelin kostumografik etj.

Ekspozitat janë një grumbullim i rregullt dhe i kuruar i dhjetëra punimeve të artit. Ajo i vë përballë dhe i pasqyron në mendësitë e publikut. Në rastin universitar, ajo më parë vë përballë tyre studentët – artistë, të cilët kurrsesi nuk janë indiferentë. Ekspozita i bën ata të jenë selektivë e konkurrues, komunikues dhe admirues. Atmosfera e saj mbi të gjitha i shkakton ndjesinë e nxitjes për të rritur dhe tejkaluar nivelin fillestar, si dhe për të arritur te niveli i individualitetit estetik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura